Aktualitet

OBSH: 98% e shkollave në Shqipëri tejkalojnë kufijtë e ndotjes PM 2.5, rrezik për fëmijët

98% e shkollave shqiptare tejkalojnë kufijtë e ndotjes për grimcat PM 2.5 të ajrit të brendshëm, duke rrezikuar shëndetin e fëmijëve. Seminari i organizuar nga Akademia e Shkencave dhe ISHP trajtoi rëndësinë e ventilimit smart për përmirësimin e ajrit dhe mirëqenien në çerdhe, kopshte e shkolla.

Në një seminar të zhvilluar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik, u vu theksi mbi domosdoshmërinë e përmirësimit të cilësisë së ajrit në ambientet ku qëndrojnë fëmijët, përfshirë çerdhet, kopshtet dhe shkollat. Seminari me temë “Cilësia e ajrit dhe frymëmarrja e shëndetshme tek fëmijët dhe ventilimi smart i tyre” mblodhi ekspertë, studiues dhe përfaqësues të institucioneve nga fusha të ndryshme për të diskutuar sfidat dhe zgjidhjet e mundshme për këtë çështje jetike.


Problemet dhe faktet shqetësuese


Studimet e prezantuara gjatë seminarit treguan se cilësia e dobët e ajrit të brendshëm në shkolla ndikon ndjeshëm në shëndetin, performancën dhe mirëqenien e fëmijëve. Studimet kanë zbuluar se rreth 98% e shkollave janë në zona që tejkalojnë kufijtë e ndotjes së OBSH-së për PM 2.5, madhësia më e dëmshme e grimcave, krahasuar me 24% jashtë qyteteve .  


UNICEF për qytetet europiane vlerësoi në vitin 2018 se një në tre fëmijë po rritej në zona me nivele të larta të grimcave, në total 4.5 milionë fëmijë në qyteza dhe qytete. Fëmijët e vegjël në klasë thithin rreth 100-200 mg/ditë pluhur, rreth 2-4 herë më shumë se sasia e të rriturve.


Efektet afatgjata të ndotjes përfshijnë sëmundje pulmonare, kardiovaskulare dhe madje edhe kancer. Këto të dhëna e bëjnë të qartë se menaxhimi i cilësisë së ajrit dhe aplikimi i sistemeve të ventilimit të avancuar është një prioritet kombëtar. 


Rëndësia e ndërgjegjësimit dhe veprimit


Seminari u mbajt me praninë fizike dhe online të inxhinierëve dhe kërkuesve të fushës, përfaqësuesve të institucioneve shtetërore nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, Bashkia e Tiranës, Instituti i Shëndetit Publik, pedagogë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe studio profesionale te arkitekturës dhe agjencive politikëbërëse dhe zbatuese të lidhura ngushtë me çështjen. Veprimtarinë e çeli akad. Jorgo Kaçani, i cili përshëndeti të pranishmit. Ai vuri në dukje se ky seminar është organizuar me synimin që të japë kontribut për zbatimin e normave dhe standardeve të miratuara që duhen respektuar, dhe jo vetëm të respektohen, por edhe të jenë të detyrueshme e jo vullnetare për t’u respektuar e zbatuar, me synimin për të rritur cilësinë e ajrit dhe teknologjinë e ventilimit në çerdhe-kopshte-shkolla. 


Akad. Kaçani falënderoi Kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe Kryesinë e kësaj akademie për mbështetjen dhe organizimin e seminarit, si dhe përfaqësuesit nga Ministria e Arsimit dhe e Sportit, Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik. 

Konferencën e përshëndetën edhe prof. dr. Ramadan Alushaj dhe znj. Majlinda Memetaj (MAS), të cilët e vunë theksin tek rëndësia që ka ky seminar për të përmirësuar në shkolla cilësinë e ajrit, si dhe për monitorimin e vazhdueshëm të parametrave të duhura për të ruajtur cilësinë e ajrit tek fëmijët. 

 Sesioni i parë i këtij seminari u çel me prezantimin e punimit të dr. Ariela Malaj (NJVKSH/DROSHKSH, Tiranë) për çështje të mjedisit në shkolla, kopshte e çerdhe, sipas këndvështrimit të stafit shëndetësor. 

Znj. Majlinda Memetaj (MAS) foli për përmirësimin e infrastrukturës dhe mjediseve të shkollës, mbështetur në normat dhe standardet e ndërtesave shkollore për të siguruar arsim cilësor, gjithëpërfshirës, si dhe mirëqenien e shëndetin mendor të nxënësve të arsimit parauniversitar. 

Prof. dr. Elida Mataj (ISHP) prezantoi vlerësimet e bëra për  ekspozimin ndaj ndotësve të ajrit të brendshëm në shkolla, sipas një ankete pilot të OBSH-së në Shqipëri. 

Dr. Irina Branko dhe dr. Ledita Mezini (UPT) prezantuan rezultatet e kërkuara për transformimin e cilësisë hapësinore dhe kushteve ambientale përgjatë viteve në shkollat e Tiranës. 

Dr. Ramadan Alushaj dhe prof. asoc. dr Flamur Bidaj (UPT) trajtuan cilësinë e ajrit dhe frymëmarrjen e shëndetshme tek fëmijët në çerdhe, kopshte e shkolla. 

Sesioni i dytë u zhvillua me drejtimin e akad. Jorgaq Kaçani, prof. dr. Ramadan Alushaj, prof.dr. Elida Mataj me diskutime, pyetje e përgjigje.  



Në përfundim, bazuar në rezultatet e anketës pilot të OBSH-së në Shqipëri dhe vlerësimet e bëra kryesisht në Tiranë, seminari trajtoi problematikën në një kuadër më të gjerë, dhe gjatë tij  u bë thirrje për rritjen e ndërgjegjësimit dhe përfshirjes së palëve të interesuara në këtë çështje. U rekomandua që cilësia e ajrit të matet dhe monitorohet rregullisht në çerdhe, kopshte dhe shkolla, duke vendosur norma dhe standarde të qarta që duhet të zbatohen me detyrim. 



©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

157 Lexime
2 orë më parë