Nisma

Nxënësit e shkollës "Protagonistët": Kujdesi për bimët fillon që në bankat e shkollës

Këto nisma të gjelbra, duhet të nxiten nga mësuesit dhe prindërit, që të kultivohet te nxënësit dashuria për mjedisin dhe pse jo mund të fillohet që nga zbukurimi i ballkoneve të shtëpive, duke vazhduar në klasë, në shkollë dhe në mjediset jashtë tyre.

Nxënësit e klasës së 3-A, të shkollës "Protagonistët", ndërmorën një nismë të bukur, në bashkëpunim edhe me prindërit, për mbjelljen e luleve dhe fidanëve në mjediset e klasës dhe të shkollës. Në këtë aktivitet morën pjesë të gjithë nxënësit e klasës, duke u bërë pjesë e procesit se si mbillet një bimë, si ujitet ajo dhe më tej, se si duhet të kujdesemi për të. 


Mësuesja e klasës, Dolora Shena, udhëzonte hap pas hapi nxënësit si duhej të vepronin, për të mbjellë lulet në saksi, të cilat më pas u vendosën në mjediset e klasës. 

Ndërsa në oborrin e shkollës nxënësit mbollën një fidan. Përpara se ta mbillnin fidanin, nxënësit së bashku më mësuesen e tyre, kërkuan një vend të përshtatshëm për të, në mënyrë që të kujdesen vetë dhe pse jo edhe ta soditin fidanin teksa rritet dhe zbukurohet me gjethet e gjelbra dhe bëhet një pemë me kurorë të madhe. 

Nxënësit pasi përfunduan mbjelljen e luleve dhe të fidanëve ishin të lumturuar për rezultatin e punës së tyre, sepse krijuan një mjedis të bukur brenda dhe jashtë.

Këto nisma të gjelbra, duhet të nxiten nga mësuesit dhe prindërit, që të kultivohet te nxënësit dashuria për mjedisin dhe pse jo mund të fillohet që nga zbukurimi i ballkoneve të shtëpive, duke vazhduar në klasë, në shkollë dhe në mjediset jashtë tyre.





Nga Iriana Papamihali

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,394 Lexime
1 vit më parë