Njohja e diplomave Kosovë-Serbi, marrëveshje ende e pa zbatuar!
Kosova dhe Serbia, sërish kanë pranuar obligimin për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit të vitit 2011, për njohjen reciproke të diplomave profesionale dhe akademike.
Autoritetet lokale në Preshevë, vlerësojnë se kjo është një çështje mjaft e rëndësishme për të rinjtë shqiptarë që jetojnë në këtë komunë.
Avni Aliti, sekretar i Kuvendit Komunal të Preshevës, duke folur për Radion "Evropa e Lirë", thotë se shumica e të rinjve të kësaj komune, për shkak të barrierave gjuhësore, por edhe për shkak se Universiteti i Prishtinës është më afër se sa universitetet në Serbi, studiojnë në Prishtinë.
Zbatimi i marrëveshjes për njohjen reciproke të diplomave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sipas tij, do t’iu shërbente shumë këtyre të rinjve.
“Njohja e diplomave është një akt shumë i mirë për të rinjtë tanë, pasi që ua mundëson të vazhdojnë me punësimin e tyre dhe në karrierën e tyre në institucione shtetërore këtu në Serbi. Problemet kanë qenë të shumta. Të rinjtë tanë, të paktën, nuk kanë mundur as të regjistrohen as në entin e punësimit, si të papunësuar, në profesionin e tyre që kanë mbaruar, në shkollimin e tyre dhe në arritjet e tyre profesionale e lëre më që të kenë një punësim apo diçka të ngjashme”.
Aliti ka shtuar se në pamundësi që diplomat e Universitetit në Prishtinë të njihen nga Serbia, deri më tash, shumë të rinj të Preshevës, por edhe komunave tjera të banuara me shqiptarë, Bujanoc dhe Medvegjë, janë detyruar të shkojnë në Maqedoni, që të mbarojnë ndonjë fakultet tjetër ose studimet ‘master’, në mënyrë që ato t"u njihen në Serbi.
Siç theksoi Aliti, njëri prej këtyre studentëve, ka qenë edhe ai vet.
Në anën tjetër, Tijana Gjorgjeviq, nga Lazarevci i Serbisë, e cila aktualisht po studion për ‘master’ në Fakultetin Filozofik, në Universitetin e Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicë të veriut, beson që zbatimi i marrëveshjes për njohjen reciproke të diplomave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do t'u hapë më shumë mundësi të rinjve.
“Ajo çfarë sjell kjo marrëveshje dhe që është e rëndësishme për të rinjtë, konkretisht edhe për mua, është fakti se më hapen mundësi më të mëdha për punësim. Kur ta marr diplomën ‘master’ në studime akademike dhe ta certifikojë atë, atëherë mund të konkurrojë në më shumë vende pune dhe e kam më lehtë të gjejë punë në të ardhmen”, ka theksuar Gjorgjeviq.
Siç ka njoftuar Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, diplomat fillimisht do t’i vërtetojnë agjencitë që do të zgjidhen nga Bashkimi Evropian dhe më pas, kërkesat për pranimin e tyre mund t’iu drejtohen ministrive për arsim, përkatëse në të dyja vendet.
Gjithashtu, Kosova dhe Serbia do t’i njohin të gjitha vërtetimet e pranuara nga Asociacioni evropiani universiteteve (EUA), ndërkaq të gjitha diplomat e pranuara më herët do të trajtohen si të vlefshme.
Zëvendës ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë në Qeverinë e Kosovës, Usmen Baldzhi, thotë për Radion Evropa e Lirë se tashmë ka mbetur që të precizohen edhe disa detaje në funksion të zbatimit të marrëveshjes.
“Kjo ka qenë marrëveshje të cilës i ka munguar zbatimi. Sipas marrëveshjes së fundit, ky zbatim duhet të nisë këto ditë. Nevojitet marrëveshje lidhur me atë se kush do të jetë zbatuesi ndërmjet dy ministrive. Do të gjendet një ndërmjetësues i cili do të ndërmjetësojë ndërmjet ministrive të arsimit të Kosovës dhe Serbisë”, ka theksuar Baldzhi.
Përveç njohjes së diplomave të institucioneve të larta arsimore në Kosovës dhe Serbi, pritet që Prishtina të njohë edhe diplomat që dalin nga universiteti në Mitrovicë të veriut, i cili funksionon në kuadër të sistemit arsimor të Serbisë.
Baldzhi, ka theksuar se Qeveria e Kosovës, në dhjetor të vitit të kaluar, ka sjellë vendimin për pranimin e diplomave të universitetit që funksionon në Mitrovicën e veriut, si dhe ka paraparë procedurat se si të realizohet ky qëllim dhe që vendimi të zbatohet deri në fund.
Sipas tij, qëllimi i Qeverisë së Kosovës, ka qenë që t’iu ndihmojë studentëve që marrin titujt akademik në Universitetin në Mitrovicë të veriut, në mënyrë që ata më lehtë të konkurrojnë për punë në Kosovë.
Megjithatë, në anën tjetër, marrë parasysh përvojën e moszbatimit e deritashëm të marrëveshjes për njohjen e diplomave që ishte arritur ne vitin 2011 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Aliti, është skeptik nëse kjo marrëveshje do të zbatohet tash.
“Nuk kemi pritshmëri të mëdha për zbatimin e marrëveshjes, sidomos të rinjtë tanë. Kjo, sepse që atëherë kur është bërë marrëveshja ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë për pranimin e reciprocitetit ose pranimin e diplomave, në Republikën e Serbisë është dashur t’i nënshtrohen një procedure të gjerë ose të madhe për nostrifikimin e diplomës. Është dashur të bëhen pagesa të majme për të arritur deri te një vendim i tillë”, shtoi ai.
Sidoqoftë, në komunikatën e Bashkimit Evropian, thuhet se palët janë pajtuar që ta zgjerojnë fushën e marrëveshjes të vitit 2011 duke përfshirë edhe shkollimin parauniversitar.
(Përgatiti: Bekim Bislimi)
Rritja e pagave të punonjësve të arsimit dhe udhëzime për zbatimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave
Fajton Softa: Siguria në shkolla duhet të certifikohet, duhen bërë kontrolle me detektorë dhe të vendosen kamera
Të drejtat dhe detyrat e nxënësve, mësuesve e prindërve