Profil

Njihe dhe ti mësuesin tim...

Joana, sot studente e inxhinierisë informatike na fton të njihemi me mësuesin e matematikës në vitet e gjimnazit. Ajo thotë që heronjtë e vërtetë janë të pranishëm në përditshmërinë tonë dhe ai, mësues Luani është një prej tyre…

Është pasdite vonë, por po nisem për atje… Do të kaloj prej rrugës së kujtimeve dhe do të arrij atje shpejt… Një hap, dy, tre… kaq ishte, arrita. Arrita atje prej ku jam nisur drejt rrugës së madhe, që fundin s’ja dimë as unë as ti.., arrita atje ku ëndrrat morën jetë dhe unë krahët për të fluturuar drejt tyre, atje ku emrin m’a thoshin: gjimnaziste. 


Sa herë nisem rrugës së kthimit në kujtime për atje, më mirë se sa veten kujtoj  dy duar të bukura deri në fisnikëri, mbuluar nga pluhuri i bardhë i shkumësit e që po t’i shikoje dalloje në to një dridhje të lehtë që buronte prej pasionit, më mirë se sa veten kujtoj një portret që mbi supet e veta mbante jo veç përparësen e bardhë, po veshur, sipër saj, mbante mantelin e mirësisë dhe dashurinë e madhe për shkencën e quajtur: matematikë! 


Po, më kujtohet më mirë se sa vetja ajo figurë që prej nga mësues matematike u kthye në figurën e një mësuesi për një jetë të tërë. Më kujtohet i veshur në bardhësi e mirësi dhe sot në kujtime më shfaqet në një fotografi me ngjyra prej malli. Pak dridhje mbi duar ashtu si në duart e tij, ndjej sot në të miat kur nis t’i shkruaj emrin mbretëror: Presor Luan! Po shkruaj sot për të, që t’a njohësh dhe ti që se ke njohur..., të siguroj se ja vlen të më dëgjosh se rrallë, shumë rrallë do të të tregojnë tjetër herë për një njeri si mësuesi im i matematikës. 


Ka lindur në Tepelenë, mes atyre majave të larta e të ashpra, po prej tyre ka marr veç madhështinë që  ia ka veshur bukurisë së shpirtit. Mësova prej tij se shkenca është art.., art që ka nevojë t’a duash për t’a mësuar, mësova prej tij se këmbëngulja për të mos hequr dorë është çelësi i gjithë rrugëtimit, mësova prej tij si t’a doja dhe unë matematikën, mësova prej tij se ç’është qetësia dhe durimi, mësova prej tij se ç’është një njeri shpirt-bukur e mendje-ndritur.


Po, i mësova prej tij të gjitha këto, m’i mësoi të gjitha me po të njëjtin përkushtim dhe pasion që më mësoi matematikën. Mësova prej tij se mjafton pak besim dhe një dorë vendosur mbi shpatulla për t’i dhënë ngjyra botës së një fëmije dhe për të formësuar në realitet ëndrrat e tij...


E kujtoj si të ishte mëngjesi i kësaj dite hera e fundit që e kam parë, në ecejaket e qeta në oborrin e shkollës dhe buzëqeshjen e lehtë mbi fytyrë, kur përshëndetjen e mëngjesit m’a jepte pasi i kishte hedhur orës së dorës një shikim si për të më kujtuar se isha vonë si çdo ditë tjetër, e kujtoj si të ishte sot hera e fundit kur me vështrimin e pandashëm nga sytë ia dilte të kuptonte  çdo paqartësi, çdo dilemë të vogël ose të madhe…


Tani që shkruaj për të më rikthehet dhe njëherë ajo ndjesia e sigurisë prej gjimnazisteje se çdo gjë që mund t’i kërkoja kishte fuqinë t’i jepte zgjidhje. Nuk e kam për zakon të imponoj mendime te të tjerët, po nëse ndodh që ti që po i lexon këto rreshta të jesh sot nxënës i tij, të lutem vlerësoje dhe duaje me shpirt…


Heronjtë e vërtetë janë të pranishëm në përditshmërinë tonë dhe ai është një prej tyre…

Në  qytetin tim të vogël, mësuesi im i matematikës është një njeri i madh…


(Joana Osmenaj, studente në vitin e dytë në degën Inxhinieri Informatike)

10,484 Lexime
7 vjet më parë