Nisma, mësuesit janë gati për një kapitull të ri
“Tri lëndë në gjashtë” zbatohet duke filluar nga data 1 shkurt në të gjitha shkollat e Shqipërisë. Mësuesit tashmë janë gati për të nisur një kapitull të ri në librin e këtij viti shkollor.
Në sistemin arsimor parauniversitar nis një etapë e re e mënyrës së organizimit të mësimit dhe specifikisht orarit mësimor. “Tri lëndë në gjashtë” zbatohet duke filluar nga data 1 shkurt në të gjitha shkollat e Shqipërisë. Mësuesit tashmë janë gati për të nisur një kapitull të ri në librin e këtij viti shkollor.
Këto ishin ditë intensive për Portalin Shkollor, kemi ecur me hapin e mësuesve, duke qenë gjithmonë krah tyre me informacion, modele ditarësh, plane, orare mësimore… Por sot jam e bindur që mësuesit janë gati për ta fituar këtë sfidë. Ata përvetësuan shpejt gjithçka dhe janë gati edhe për të propozuar modele.
Kur kryeministri foli për këtë nismë, në adresat e Portalit Shkollor pati fluks e-mailesh, sa shumë pyetje prisnin përgjigje. Diskutime kishte nga ata që kundërshtonin, por edhe nga ata që ishin dakord me këtë nismë. Të gjitha opinionet dhe analizat e mësuesve u pasqyruan në faqen tonë dhe u komentuan. Të pandryshuara, të pacenuara, argumentet pro dhe kundër të shkruara nga ju ishin aty, vetëm për ju.
Më pas mësuesit donin të dinin se si do të zbatohej kjo nismë, kërkonin informacion, sepse po mendonin për mësimin, për nxënësit, si do të vepronin. Është pritur me padurim, madje mund të them edhe me ankth fisha sqaruese e publikuar nga Instituti i Zhvillimit të Arsimit. E publikuam menjëherë. Në këtë fazë pashë solidaritetin e mësuesve me njëri-tjetrin, sapo drejtoritë arsimore dërguan e-maile në shkolla, në përmbajtje të së cilit ishte fisha sqaruese dhe disa modele, shumë mësues dhe drejtues e dërguan në adresën tonë dhe kërkonim ta shpërndanim që ta shikonin të gjithë, pavarësisht se ne e kishim bërë tashmë.
Kjo fazë kaloi, për t’u lënë vendin orëve model dhe planeve mësimore. Falë bashkëpunimit, mësuesit dërgonin ditarët dhe planet e tyre, të cilët i pasqyronim menjëherë. Rrjetet profesionale u bënë bashkëpunëtorët tanë më të afërt, drejtuesit e rrjeteve komunikuan me ne dhe publikuam modele për pothuajse të gjitha lëndët. Na vjen keq që nuk mundëm të ndihmonim mësuesit e gjuhëve të huaja: italisht, frëngjisht dhe anglisht. Ju kërkojmë ndjesë, premtojmë të jemi më të vëmendshëm ndaj jush në vijim të punës sonë.
Ne shtruam edhe pyetje për diskutim, si do të bëhet vlerësimi i portofolit, situata e të nxënit apo temat efektive për projektet në letërsi. Ju, mësues të nderuar, ndihmuat njëri-tjetrin në çdo hap.
Nesër, më datë 1 shkurt, është dita për të shpalosur gjithçka që përftuat e mësuat gjatë këtyre ditëve. E di që kjo javë do të jetë e vështirë për ju, jo se nuk jeni përgatitur, por sepse ju duhet të përgatisni nxënësit tuaj për këtë risi.
Portali Shkollor ju uron suksese dhe premton që do të jetë pranë jush. Na shkruani për vështirësitë që hasni, na dërgoni punët tuaja më të mira, na shkruani për nxënësit tuaj dhe sukseset e tyre. Por na shkruani edhe për dështimet, sepse sot më shumë se kurrë nxënësit kanë nevojë të dinë të pranojnë humbjen, e ju jeni shembulli i tyre. Nuk ka njeri perfekt, por ka njerëz që përmirësohen çdo ditë nga pak dhe ju jeni të parët!
(Albina Hoxhaj, Portali Shkollor)
Dhurojuni të vegjëlve tuaj Abetaren mbarëkombëtare!
Teste për vetëkontroll dhe teste për vetëvlerësim
"Ariu i Bardhë i Ëndrrave"