Nga universiteti kërkojmë profesionalizëm në mësimdhënie
Godinat e zbukuruara, sallat e pajisura me komoditet dhe bari i prerë në përpikëri i godinës mund të jenë ftues, por janë tregues i pranisë së asaj që unë i kam frikën: fasadës së lartësimit. Dhe këtu, kur përballemi me drejtuesit e profesorët, ata ...
Para një muaji u regjistrova në një kurs online, të mundësuar nga një universitet me emër. Tema e kursit ishte specifike, pjesë në shkencat humane. Mendimi im i parë ishe që një universitet i këtij kalibri do të kishte edhe profesionistët e duhur për të paraqitur idetë më objektive e të dobishme, por u gabova!
Kursi ndahej në disa javë pune, ku çdo javë paraqiste një perspektivë të re të temës. Kur fillova të punoj në javën hapëse, vura re kaq shumë gjëra që për mua ishin tërësisht të reja. Kishte një perspektivë shumë të huaj nga ajo më të cilën isha mësuar ta shihja çështjen.
Informacionet ishin të ndara në mënyra jo shumë të rehatshme për t’u përpunuar. E megjithatë, të gjitha këto i mora si gjëra të mira, si shenja të asaj që mua më mungonte në këtë fushë dhe të cilën e gjeta më në fund nga profesorët e duhur. Bindja ime për legjitimitetin e asaj që po bëja, ideja ime se çfarë do të arrija në fund kur të mbaja me vete një emër dijesh të tilla, më shtynin vazhdimisht që t’i kaloja shumë ngërçe papajtueshmërie që ngriheshin. Gjatë rrugës sime të verbër drejt pajisjes me informacion, për të përvetësuar dhe certifikatën e artë, unë nuk i lashë vetes asnjë farë të drejte për të menduar ndryshe. Ajo që kishte rëndësi, ishte që unë të ndryshoja.
Të gjitha filluan të shemben e të binin në vendin e tyre të ndriçuar pas një postimi të bërë nga dikush në faqen e këtij kursi. Ishte java e dytë për mua, dhe vazhdimisht shtoja punën e përqendrimin për të kompensuar shqetësimin që më krijohej.
Dikush shkruante, (duke e perifrazuar) se ajo që ata (shkolla me profesorët) po bënin, ishte një dëm dhe turp i madh për vetë emrin e tyre dhe për nxënësit të cilëve po u mësonin një mënyrë të gabuar të të parit të subjektit. Më pas ai vazhdonte të shtjellonte shkurt se si ishte në fakt përgjigjja e duhur ndaj pyetjeve që kursi ngrinte dhe se si perspektiva e tyre e shtrembëruar mund të vinte vetëm nga mungesa e profesorëve të duhur.
Siç e përmenda, një temë e tillë kërkon vërtetë një kualifikim të mirë dhe shumë vite eksperiencë. Por edhe këto nuk do të mjaftonin po të mos kishin bazë të përgjithshme disa të vërteta të shumë pranuara më përpara.
Personi e mbyllte ankesën e tij fare shkurt, “ky është një akuzim shumë i rëndë për një shkollë me emër siç jeni ju”, - thoshte ai. Dhe ne, nxënësve, na bënte thirrje për t’u informuar mirë nga ana jonë, për të mos lejuar gjëra të pasakta të tilla të ndërhynin në konceptimin tonë të mëvonshëm.
Prisja përgjigjen që shkolla do t’i jepte. Prisja, ose më shumë shpresoja, se do të dinin të paktën të vetëmbroheshin, të zbukuronin disa kundër argumente dhe sigurisht të paraqisnin anën e tyre të të menduarit.
Por ajo që konstatova, ishte se ata nuk donin të mendonin fare. Njëri prej përfaqësuesve të shkollës e kursit u paraqit me një listë arritjesh në vite, çmimesh e lëvdatash të shkollës, qëllimi i të cilave duhet të ishte që të vërtetonte emrin e lartësuar të shkollës. Mungesa e përpjekjeve nga ana e përgjigjes ishte fundi i hedhjes dritë mbi atë që kisha një javë që po bëja. Sigurisht, profesorët apo shkolla nuk kishin asnjë detyrim të shfajësoheshin për pakënaqësitë që një individ për shumë arsye mund të parashtronte. Por duke shkuar me ndjesinë që po i mësoja vetes të shtypja nga fillimi, besoja se kishte diçka tjetër që nuk shkonte. Pikërisht mungesa e interesit nga ana e shkollës më dhimbte; pikërisht mungesa e arsyes dhe apatetia në atë që unë dhe shumë të tjerë po bënim (të shfaqura nga përgjigjet e tyre të vakëta në formë ripërsëritjesh) më sumbonte, pasi kjo nuk mund të ishte kurrsesi rruga e duhur drejt asaj që unë shpresoja të arrija. Njohjen e plotë, të dobishme; të subjektit sigurisht, por të vetes e të botës së vërtetë. Por atë që mund të them se mësova, jashtë leksioneve të kursit, e mësova në ballafaqim me të tjerët. Ngritja e zërit të dikujt më shtyu mua që të ndaloja së fshehuri timin. Dhe gjatë këtij procesi, mësova shumë më shumë mbase nga çdo të mësoja nga të gjitha leksionet e kursit.
Njeriu ambicioz, për të mundësuar shtrimin e rrugës së tij, duhet t’i drejtohet shkollës si mundësia më e sigurt për të vazhduar përpara. Sot shumëllojshmëria e degëve dhe godinave arrin kulmin dhe me përfshirjen e internetit, kërkimi bëhet sa i lehtë aq dhe i vështirë. Biznesi i sotëm global përmirëson mënyrat e tij të të zhvilluarit, duke krijuar disa monopole që marrin vëmendjen e reklamave dhe mediave. Detyrimisht, ne jemi të gjithë drejtpërdrejtë të ndikuar nga kjo frymë. Rezultati është që dimë shumë për atë që supozohet të bëjmë, dhe pak për atë që vërtetë duam dhe mundemi të bëjmë. Dhe kur mendoj për të avancuar në karrierë, synimi më i thjeshtë është të fituar më shumë ekonomikisht.
Megjithatë, po të ndalojmë e të mendojmë më kthjellët për vendin që kjo rrugë të çon, kuptojmë se është shumë e huaj. Është e zhveshur nga ndjenja dhe qëllimi parësor i individit human. Dhe sado që vazhdon të marrë lëvdata si rruga e shenjtë drejt jetës së mirë dhe drejt njohjes, unë besoj se nuk është. Sepse ajo është rruga e të tjerëve.
I gjithë zhgënjimi fillon kur përballemi më të vërtetën e hidhur se të gjithë, në fakt, luftojnë për veten e tyre. Dhe madje shpesh as për familjen apo pasardhësit, pasi interesi i tyre gjendet në suksesin e këtyre të fundit. Njerëzit e pushtetshëm e kanë më të vështirë të mendojnë për të tjerët, sepse kanë më shumë për të humbur. Ata kanë luftuar për të grumbulluar rreth vetes materien që i jep lavdinë, dhe çdo mundësi për ta humbur atë bëhet fatale.
Duke ecur me parimin e thjeshtë të njeriut ambicioz, që është të arrijnë sa më lart, kjo nuk përbën problem aspak. Por ata janë të gatshëm të luftojnë dhe të humbasin, pasi rruga u duket e drejtë.
Në zgjedhjen e një universiteti apo kursi, kërkesa jonë e parë është profesionalizmi në mësimdhënie. Godinat e zbukuruara, sallat e pajisura me komoditet dhe bari i prerë në përpikëri i godinës mund të jenë ftues, por janë tregues i pranisë së asaj që unë i kam frikën: fasadës së lartësimit. Dhe këtu, kur përballemi me drejtuesit e profesorët, ata mbajnë në krye këtë fasadë që i paraqet. Por ata nuk e zotërojnë shkollën për të cilën punojnë, dhe në thelb as nuk janë përfaqësues të saj. Ata mund të jenë vetëm përfaqësues të vetes. E më thjeshtë, përfaqësues të interesave të tyre vetjake.
Po cila është dobia e fasadës dhe përse vazhdimisht i mëshohet përparimit të saj? Ajo sigurisht qëllim ka të mbulojë më pak të bukurën, mangësinë diku tjetër. Në rastin e shkollës apo profesorëve, ajo mund të vazhdojë të udhëheqë egon tonë, duke na bërë të besojmë se po bëjmë gjënë e duhur, të rrethuar nga njerëz karizmatikë. Këtë projektuesit e idesë e dinë shumë më mirë. Dhe duke qenë vazhdimisht nën presonin e dehjes së të bukurës dhe të lartësuarës, gjithçka tjetër që del prej saj duhet të jetë po aq e plotë. Por dija nuk mund të fshihet pas fasadave. Ajo nuk mund të vishet pas kollareve të hekurosura dhe nuk mund t’i adresohet të pushtetshmëve. Ajo është një, unike, ashtu si dhe vetë jeta, e pa formë dhe e kalueshme. Ajo buron nga puna dhe qëllimi i vetëm është të vihet në punë më të mirë. Të gjithë format e tjera që asaj i vishen janë detyrimisht për të bërë dikë tjetër përfitues.
Sigurisht, nuk mund të ketë asgjë pa një kompromis të dyanshëm, pa qenë të dyja palët negociuese disi të kënaqura. Duhet të ketë baraspeshë interesash. Por kjo nuk arrihet lehtë, sepse ata të palës ofruese, në këtë rast shkolla me emër, e dinë shumë më mirë se çfarë po bëjnë, pasi kanë shumë më shumë kohë e eksperiencë në të njëjtën fushë. Ne nga ana tjetër, nga gjërat e vetme të sigurta që mund të bëjmë, është të mos i lejojmë ngjyrat verbuese të fasadës të na dehin.
Suksesi ynë do të fillojë kur ne të mëvetëdijësohemi për rëndësinë tonë, për peshën e trupit e të mendjes, për drejtësinë e vetë shtyllës sonë kurrizore. Qëndrimi i palëkundur në vetvete, do të na jepte dhe kthjelltësinë e forcën e nevojshme për të bërë zgjedhjet më të mira.
Në rastin e rënies pre të fasadës, ne do të na hiqej e drejta, në radhë të parë, për të ngritur zërin, për të protestuar. Përbërja jonë do të ishte shkrirë me atë të godinës e emrit verbues që ajo do të mbante, dhe çdo gjë e keqe e saj do të ishte më e keqe për ne.
Si kundërvënie, ftohtësia e të gjykuarit dhe një plotësim i mirë me informacion e dije nga ana jonë, do të peshonte, duke na i ngulitur këmbët mjaftueshëm në tokë për ta parë (fasadën) atë ashtu siç është: një hije e bukur.
(Nga Rea Shundi, Portali Shkollor)
Udhëzimi për frekuentimin e procesit mësimor, sipas llojit të veprimtarive mësimore në auditor dhe ciklit të studimit
Studenti Saimir Balliu: Inxhinieria elektrike, sfida ime profesionale
"Forumi Rinor i Shkencave" 2018, jetë studentore aktive