Aplikimet

Në pritje të portalit “Mësues për Shqipërinë” 2024 nga Fiqiri Çifliku

Artikulli më poshtë u ofron përgjigje disa pyetjeve tuaja në lidhje me aplikimin në portalin “Mësues për Shqipërinë”. Duke Ju uruar suksese të gjithë aplikantëve jemi të gatshëm të ofrojmë asistencën tonë për çdo pyetje apo paqartësi që mund të keni, mjafton të na shkruani.

Nga Fiqiri Çifliku


“Jeta nuk është e ndarë në semestra. Ju nuk i ndalni dot stinët e vitit dhe vetëm shumë pak prej punëdhënësve tuaj janë të interesuar t’ju ndihmojnë për të gjetur vetveten. Prandaj gjejeni vetveten se kush jeni në kohën e duhur.”- Bill Gates


Udhëzimi nr. 8, datë 3.5.2024, “Për procedurat e pranimit, të pezullimit dhe të largimit të mësuesit nga një vend pune, si dhe administrimit të portalit “Mësues për Shqipërinë”, i ndryshuar, rregullon procedurat e konkurrimit.


Të gjithë kandidatët duhet të plotësojnë kriteret e përcaktuara në Ligjin 69/2012, “Për arsimin parauniversitar” i ndryshuar, sipas përcaktimeve të nenit 57, citojmë më poshtë; 


  1. Mësuesi për arsimin parashkollor duhet të ketë fituar diplomën e ciklit të parë “Bachelor”, që formon mësues të arsimit parashkollor.
  2. Mësuesi për arsimin fillor duhet të ketë fituar diplomën e ciklit të parë “Bachelor” dhe diplomë të ciklit të dytë “Master Profesional”, që formon mësues të arsimit fillor, ose diplomë për arsimin fillor të ish-instituteve të larta pedagogjike.
  3. Mësuesi për arsimin e mesëm të ulët dhe për arsimin e mesëm të lartë duhet të ketë fituar diplomën e ciklit të parë “Bachelor” në fushën/lëndët e arsimit të mesëm të ulët dhe të arsimit të mesëm të lartë dhe diplomën e ciklit të dytë “Master” me 120 ECTS në fushën e mësuesisë, që lidhet me programin e studimit të ciklit të parë.
  4. Profesioni i mësuesit mund të ushtrohet edhe nga individë që zotërojnë diploma universitare të ciklit të parë dhe të dytë ose diplomë universitare të integruar, të ngjashme ose të përafërt me fushën/lëndët e mësimdhënies në arsimin parauniversitar, dhe njohuri të certifikuara në formimin psikopedagogjik nga institucione të arsimit të lartë, që ofrojnë programe të studimeve të formimit të vazhduar.
  5. Për mësuesit që janë diplomuar pas vitit 2011, ose para vitit 2010 por nuk kanë punuar asnjë ditë, është e detyrueshme edhe licenca për ushtrimin e profesionit të mësuesit.


Nuk mund të aplikojnë për konkurim personat e regjistruar në Regjistrin Kombëtar të të Dënuarve për Krime Seksuale; ose janë dënuar me vendim penal të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale. Ato veprat penale që diskreditojnë pozitën dhe figurën e punonjësit arsimor ose dëmtojnë rëndë besimin e publikut në sistemin arsimor, pavarësisht nëse është rehabilituar sipas parashikimeve të Kodit Penal. Kjo listë miratohet me udhëzim të ministrit.


Kandidatët për mësues që aplikojnë për herë të parë apo dëshirojnë të mbartin pikët e dosjes, testit apo dosje/test, paraprakisht duhet të skanojnë dokumentat e në momentin e aplikimit i ngarkojnë në portal. Regjistrimi për kryerjen e aplikimit dhe ngarkimit të dokumentacionit do të kryhet në e-albania, 15 (pesëmbëdhjetë) ditë nga data e shpalljes.


Edhe kandidatët që janë licencuar këtë vit dhe kanë pasur mundësi të japin edhe testin e Portalit në të njëjtën ditë, duhet të ndjekin të njëjtën procedurë për aplikimin dhe ngarkimin e dokumenteve, si kandidatët e tjerë.


Disa prej dokumenteve janë të detyrueshme dhe nëse mungon njëri prej tyre në sistem, kandidati nuk kualifikohet. Më poshtë lista që detyrimisht duhet  ngarkuar:


a) diplomën/at për ushtrimin e profesionit të mësuesit dhe listës së notave dhe për kandidatët që e kanë detyrim ligjor ngarkojnë edhe licencës për ushtrimin e profesionit;

b) formular të vetëdeklarimit të gjendjes gjyqësore, sipas modelit të shtojcës 3;

c) deklaratë nga kandidati për autorizimin e institucionit arsimor që të shqyrtojë vërtetësinë e dokumenteve të paraqitura sipas modelit të shtojcës 4.


Disa dokumente nuk janë shkak për të mos u kualifikuar nëse nuk ngarkohen, por vlerësohen me pikë ndaj duhen ngarkuar në interesin tuaj. Më poshtë lista e dokumenteve, duhet të jenë të skanuara nga origjinali, me ngjyra dhe të lexueshme lehtësisht nga komisionet e vlerësimit të dosjeve. 

a) libreza e punës, (të gjitha faqet ku ka shënime);

b) certifikata e kualifikimit, e përfituar së fundmi që tregon nivelin më të lartë të kualifikimit:

c) dëshmi të njohjes së gjuhës/ve të huaja;

d) certifikatat me kredite. Mjaftojnë 3 kredite për të marrë tri pikë, mos ngarkoni më shumë pasi ngarkoni sistemin dhe personat që i verifikojnë).


Kandidati aplikon në DRAP-në që përfshin vendbanimin e përhershëm dhe mund të përzgjedhë deri në tri ZVAP ku dëshiron të punësohet e nëse zotëron më shumë se një diplomë/licencë, ka të drejtë të konkurrojë në profilet sipas diplomave/licencave përkatëse.


Duhet shfrytëzuar edhe mundësia për të punuar si mësues në dispozicion ose si mësues ndihmës, ku krahas aplikimit për profilin përkatës, në aplikim duhet të zgjidhni edhe opsionin “Mësues në dispozicion” ose “Arsim special”.


Duke Ju uruar suksese të gjithë aplikantëve jemi të gatshëm të ofrojmë asistencën tonë për çdo pyetje apo paqartësi që mund të keni, mjafton të na shkruani.



©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

6,018 Lexime
5 muaj më parë