Modernia në dy tregime për dashurinë
“Hanë gjaku” e shkrimtarit Ernest Koliqi dhe “E madhe është gjëma e mëkatit” e Mitrush Kutelit të përbashkëtat e veprave të tyre dhe risitë që ata sollën.
Modernia shpesh është një fjalë që në Shqipëri e ka humbur dhe gjetur vlerën e saj nëpër shekuj. Ajo nuk hyri fshehtas tek ne, por nuk do të ishte edhe e lehtë për të. Koha do të na ndihmonte sigurisht, ajo do të na vinte në provë duke sjellë pendë mëdhenj si Kuteli dhe Koliqi, të cilët pa frikë brazduan të parët dhe ecën kundër rrymës. Ata u çliruan nga “prangat” e traditës dhe përfaqësuan universin e ri e të panjohur për shkrimtarin shqiptar të çerekut të parë të shekullit të XX.
Ky univers i ri e me elemente simboliste, që ata sollën, nuk i kundërvihej historisë, nuk i priste rrënjët asaj, përkundrazi, këta krijues të prozës moderne shqiptare, kthyen shikimin nga historia dhe lashtësia e botës autentike, nga bukuria dhe fantazia e shpirtit njerëzor, duke shembur skema e moralizime, që pengojnë përsosjen e shpirtit, qetësinë e tij dhe zgjidhjet e dilemave të mëdha historike dhe vetjake.
Në dy prozat e autorëve lëvizin histori të mëdha dhe histori të vogla, lëvizin vetëdije dhe nënvetëdije, dialogje dhe heshtje, monologje tronditës dhe “danga” gjaku. Ata mbjellin farën e re në letrat shqiptare duke u kapur fort pas kujtimeve të një shekulli të gjaktë të popullit tonë, ku u copëtuam, u formuam, luftuam e u vramë me njëri-tjetrin e me të tjerë. Kjo gjë nuk i ka shpëtuar Koliqit. Ngjarja e tij vendoset në një periudhë të vështirë e të trazuar të trojeve tona. Për të simbolizuar këtë ai përdor hënën artistikisht, me danga të kuqe që paralajmëron tragjedi. Një tragjedi, e cila është fshehur për mjaft vite në zemrën e djalit, në tregimin e Koliqit. Hëna e trazon shpirtin e tij, kurse kujtimet që i shtrëngon fort në mendje, katalizohen nga shoqja e tij, kujtime të cilat djali kurrë nuk do t’i lëshojë, por kërkon t`i jetojë si një realitet paralel.
Kjo e “mplak” djalin dhe pavarësisht se ka një moshë të re, të jetuarit në dy botë paralele ia zmadhon atij moshën shpirtërore. Plakja e pakuptueshme e personazhit relativisht të ri në moshë përforcohet nga Koliqi tek Kuteli. Tata 37-vjeçar endet në botën e të gjallëve si një shpirt multimëkatar dhe i pavdekshëm. Pamja e tij të gënjen dhe nuk përputhet me pamjen e terrorizuar të shpirtit të tij. Një shpirt i goditur nga mëkatet e njëpasnjëshme. Një shpirt që trazohet nga një grua njësoj si djali i Koliqit. Figura e femrës shërben gjithashtu si katalizator filozofik i Tatës. Noemi i kujton Tatës dashurinë rinore që e ka humbur në mënyrë të pakthyeshme, gruaja tjetër e mbështjell Tatën në epsh mëkatar dhe sa për të ardhmen e Tatës, nuk i mbetet zgjidhje tjetër përveçse rrugës hyjnore.
Njësoj si Koliqi dhe Kuteli e kthen Tatën pas në kohë, në Iliri. Kjo një tjetër e përbashkët mes autorëve me karakteristika moderne, që i përputh historia e kohës së brendshme të tregimit, por me një mendim të thellë filozofik që i avancojnë subjektet. Ato vihen në lëvizje duke na prezantuar psikikën e personazheve. Tek Koliqi, vajza i ngacmon kujtimet djalit dhe ne zhytemi në detin e thellë të botës së tij të brendshme që mbizotërohet nga një hënë me danga të kuqe që paralajmëron luftëra të përgjakshme në të shkuarën, ajo përcjell frikë në të tashmen dhe parashikon ndoshta një fund të hidhur të lidhjes së çiftit. E ndërsa monologu i Tatës e çon rrëfimin përpara dhe luan rolin e një skaneri psikofilozofik.
Them psikik, sepse ne trazohemi nga dallgët e shpirtit të Tatës që ndodhet në “trekëndëshin e Bermudës”, mes gruas, Zotit dhe mëkatit. Them filozofik, sepse njihemi me mënyrën se si Tata “vritet” nga dashuria, mbështetet nga epshi mëkatar, dënohet në mënyrë hyjnore dhe po në mënyrë hyjnore gjen shpëtimin pranë figurës së Zotit.
Dhimbje dhe dashuri, luftë dhe paqe, mëkat dhe shpëtim, figura konkrete dhe absurde, si qershia mbi tortë, funde të hapura, të cilat lënë hapësira për diskutime dhe konstatime të pafundme.
Koliqi dhe Kuteli futen në vallen e yjeve të autorëve shqiptarë, por i japin qiellit të lartësisë një ngjyrim tjetër, as më të bukur, as më të shëmtuar, por të ndryshëm nga të tjerët, më bashkëkohor … më misterioz …
(Noel Hoxhaj, klasa: XII-1, gjimnazi “Ernest Koliqi”, Portali Shkollor)
Ceremonia e ndarjes së “Medaljeve të Arta” për 188 maturantë, Manastirliu: 80% e ekselentëve studiojnë në universitetet shqiptare
Pasurimi i bibliotekave shkollore, Manastirliu: Mbi 20 mijë libra për nxënësit në gjithë vendin
Dita e Diasporës, Manastirliu: Nis nga Janari programi “Mësues për Greqinë”, mbështetje financiare për mësuesit e diasporës