Aktualitet

Ministria e Arsimit parashtron kornizën e re që do të ndiqet për kualifikimin e mësuesve

Janë ulur vitet e kualifikimit në punë për të marrë titullin “Mësues i Kualifikuar”, “Mësues Specialist” dhe “Mësues Mjeshtër”. Por ndërkohë numri i krediteve që duhet të përfitojnë mësuesit për t’u futur në këto kualifikime është rritur. Ndryshimet e reja janë deklaruar në mbledhjen e KKAP.

Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Arsimit Parauniversitar është folur për nismat e reja që po ndërmerr MAS që sipas saj do të ndikojnë për një arsim parauniversitar cilësor.


Në këtë mbledhje u trajtuan:

  1. Modernizimi i kornizës kurrikulare
  2. Edukimi në fëmijërinë e hershme
  3. Ndryshimet në kualifikimin e mësuesve
  4. Programi kombëtar i zhvillimit profesional të mësueseve


“Kornizë e re e Kualifikimit të Mësuesve, për të siguruar që çdo mësues në klasë të ketë njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për të përcjellë mësimin me metodat më të fundit dhe sistemin e ri të certifikimit”, kështu citohet në profilin zyrtar të Facebook të ministres Ogerta Manastirliu. 


Porsa i përket kësaj kornize të re, gjatë mbledhjes u bë e ditur se janë ulur vitet e kualifikimit në punë për të marrë titullin “Mësues i Kualifikuar” , “Mësues Specialist”  dhe “Mësues Mjeshtër”. Por ndërkohë numri i krediteve që duhet të përfitojnë mësuesit për t’u futur në këto kualifikime është rritur.


Konkretisht: 


Kualifikimi “Mësues i Kualifikuar” nuk do të jepet më pas 5 viteve punë por pas 3 vitesh pune si mësues, ndërkohë mësuesi duhet të këtë: 

  • 60 kredite zhvillim profesional për tre vjet
  • 1 orë mësimi të vëzhguar
  • Vlerësimin e performancës nga drejtori i shkollës, mirë ose shumë mirë 
  • Test kualifikimi

Kualifikimi “Mësues Specialist” nuk do të jepet më pas 10 vitesh pune, por pas 8 viteve pune si mësues nga të cilat 5 vite punë si mësues i kualifikuar. Mësuesi duhet të këtë: 

  • 100 kredite zhvillim profesional gjatë 5 viteve pune si mësues i kualifikuar
  • 1 orë mësimore të vëzhguar
  • 1 projekt kurrikular që sjell novacion
  • Vlerësimin e performancës nga drejtori i shkollës mirë ose shumë mirë


Kualifikimi “Mësues Mjeshtër” nuk do të jepet më pas 20 viteve punë, por pas 15 vitesh pune si mësues, nga të cilat 7 vjet punë si mësues specialist. Mësuesi duhet të ketë: 

140 kredite zhvillim profesional gjate 7 viteve si mësues specialist

1 projekt që sjell novacion për lëndën

Vlerësimi i performancës nga drejtori i shkollës shumë mirë



Pritet që së shpejti të dali dhe drafti apo udhëzimi përkatës në lidhje me ndryshimet e përmendura më sipër, ku padyshim do të jepen detaje të tjera. 



Nanila Allkja Biçaku 

©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

4,836 Lexime
7 muaj më parë