MËSIMI TËRËDITOR

Mësimi tërëditor, trajtë e re jo korresponduese me praktikën kosovare

Mësimi Tërditor në shkollat e vendeve të zhvilluara nisi me arsyen kryesore: "Rritjen e Punësimit të Grave", ndërsa në Kosovë do të nis me arsyen primare: "Rënien e Numrit të Nxënësve".

Nisur nga ajo që ekzistojnë trajta të ndryshme të të mësuarit, varësisht se si organizohen oraret shkollore, marrë parasysh numrin, moshën dhe vendndodhjen e shkollave, shkollat me kohë të zgjatur janë sistem i ri modern për vendet shqiptare, ndërsa të aplikuara dhe të njohura shumë më parë nga vendet e huaja të zhvilluara, jo vetëm në shkollat publike, por dhe në ato private poashtu. Shkaku kryesor i aplikimit të këtij sistemi për te shtetet e tjera merrej për bazë punësimi i grave në numër më të madh dhe rritja e popullatës aktive për procesin e punës. Pjesëmarrja e të dy prindërve në prodhim dhe në jetën shoqërore zvogëlonte në masë të dukshme mundësinë e kujdesit dhe të ndikimit të prindërve në edukimin e fëmijëve, në kohën kur ata gjenden jashtë shkollës. 


Mirëpo se si qëndron gjendja reale në shumicën e shkollave publike në Kosovë, kur ende vazhdojmë të punojmë me mjete didaktike të cilat shpesh vijnë nga donacionet e ndryshme të individëve dhe organizatave të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare. Sot gjejmë shkolla që ende kushtet më elementare bazike infrastrukturore nuk i posedojnë.


Në anën tjetër aspekti i teksteve mësimore po aq sa qëndron larg rrjedhojave normale të përdorimit të tyre, po aq sa dhe kapin tema që nuk i përkasin nivelit e moshës së nxënësve, pavarsisht klasëve që mund të jenë, por dhe që nuk korrespondojnë me kapacitetin e të nxënit të nxënësve, shpesh dhe nga ato përmbajtje hasin “huti” dhe vetë mësimdhënësit. 


Rrjedhimisht statistikat e ndryshme nxjerrur nga vendoret dhe ndërkombëtaret flasin se efikasiteti i shkollës sonë fillore është i dobët, me gjithë zgjerimin kuantitativ. Me kohë të zgjatur, apo mësim tërditor  do të përfshihen nxënësit e të gjitha klasëve, ndërsa ku mungojnë kuadrot adekuate, respektivisht pedagogët dhe psikologët për ato shkolla, niveli dhe vijimi i duhur në këto shkolla nuk do të jetë i kënaqshëm, duke e ditur se në shumë shkolla punojnë njerëz jo adekuat, të profileve të ndryshme të cilët janë larg fushës për çka mund të thirren mësimdhënës, e që shpesh herë janë të pa faj, meqë “Papunësia” e bën të veten dhe secili pretendon të jetë i punësuar dikund, në mos në profilin e vet përkatës. 


Megjithatë ajo çka mund të themi është kjo:

Mësimi Tërditor në shkollat e vendeve të zhvilluara nisi me arsyen kryesore: "Rritjen e Punësimit të Grave", ndërsa në Kosovë do të nis me arsyen primare: "Rënien e Numrit të Nxënësve". Te vendet e zhvilluara kjo trajtë mësimi ka sjell dobi për vendet, ndërsa te ne do të jetë edhe një "EKSPERIMENT" tjetër i radhës, larg korrespondencave me realitetin!



(Shkruar nga; PhD.Can. Besjana Rexhepi; Portali Shkollor)

4,573 Lexime
5 vjet më parë