VITI I RI SHKOLLOR NË KOSOVË

Mësimi në shkollat e Kosovës do të nis me dy faza, ja udhëzimet dhe planet

Edhe shkollat në Kosovë janë gati të hapin dyert e tyre për fillimin e vitit shkollor 2020-2021, nën kushtet e pandemisë. Ministria e Arsimit dhe Shkencës shpall udhëzimet përfundimtare. Procesi mësimor do të nis me dy faza. Në artikullin në vijim do të njiheni edhe me planet mësimore për çdo klasë.

Tashmë që na ndajnë vetëm dy ditë nga rifillimi e vitit shkollor 2020-2021, Ministria e Arsimit dhe Shkencës në Kosovë vjen me udhëzimet për përgatitjet përfundimtare. Mësimi në Kosovë po duket se do të zhvillohet në dy faza, ku faza e parë do të rifillojë më datë 14 shtator dhe ajo e dyta më datë 21 shtator.


MaSh  ka propozuar që ditën e hënë më datë 14 shtator të rifillojë mësimi tërësisht në shkollë vetëm për klasat 0,1,2,3,6,10  në të gjitha shkollat në Republikën e Kosovës, ndërsa klasat 4 dhe 5 të rifillojnë mësimin tërësisht në shkollë ose me mësim të kombinuar, kjo në varësi të kapacitetit që ka shkolla. Faza e dytë do të rifillojë më datë 21 shtator, ku janë të përfshira klasat, 7,8,9,11 dhe 12 bazuar në skenarin e dytë, pra dy ditë në shkollë dhe tri ditë mësim online dhe në distancë.


Gjithashtu një do të jetë risi këtë vit akademik për të gjitha shkollat në Kosovë pasi në javët në vijim së paku një orë në javë do t'i kushtohet informimit dhe vetëdijesimit të nxënësve lidhur me pandeminë Covid-19.


Risi tjetër do të jetë dhe përdorimi me kusht i maskës nga të gjithë nxënësit, ku gjithsecili  të jetë i pajisur me maskën personale, e cila do të përdoret gjatë gjithë kohës së qëndrimit në ambientet e shkollës. Madje qeveria e Kosovës ka ndarë dhe planifikuar që një pjesë e buxhetit të shtetit të shkojë për maska, mjete mbrojtëse dhe dezinfektues, në mënyrë që të gjitha këto nxënësit t'i kenë të siguruar në shkollë.

Disa nga rregullat që të gjithë nxënësit duhet t'i zbatojnë më rifillimin e vitit shkollor në Kosovë janë:

  • Mbajtja e domosdoshme e maskave; 
  • Distancë prej 2 metër mësues-nxënës;
  • Ulja e nxënësve në banka në një distancë prej 1.5 metër;
  • Ndalohet konsumimi i ushqimit apo dhe çdo gjëje tjetër në klasa;
  • Ajrosja e klasës mbas çdo ore mësimore.


Ministri i Kosovës Ramë Likaj thirrje për bashkëpunim të vazhdueshëm dhe mobilizim

Ministri i Kosovës Ramë  Likaj u ka bërë thirrje drejtuesve të shkollave, mësuesve dhe nxënësve që të ketë bashkëpunim të vazhdueshëm dhe mobilizim për t'iu përgjigjur çdo situate, bazuar në master-planin e miratuar nga Qeveria e Kosovës dhe dokumentet e tjera për organizimin e mësimit në kushte pandemie. "Kemi marrë të gjitha masat, për rifillimin e vitit shkollor, kemi dezinfektuar shkollat. Respektoni masat që shkollat të ngelen  të hapura për ju.  Mos harroni se virusi nuk njeh as gjini as moshë, ndaj bëni kujdes! Por duhet ta dini se ju nuk jeni vetëm. Ne do të jemi gjithmonë në kujdes për ju. Urime vitin e ri shkollor", shprehet ministri Likaj.


MASH, udhëzimet e përgjithshme për fillimin e vitit shkollor 2020/2021 

Bashkë me partnerët, MASH ka udhëzuar shkollat që të përgatiten për të katër skenarët, të cilët do të implementohen në shkolla varësisht nga situata epidemiologjike dhe rekomandimet e ISHKP-së dhe varësisht nga kapacitetet hapësinore e infrastrukturore të shkollave veç e veç.

Ministri Likaj, kabineti i MASH dhe departamentet përkatëse në MASH janë mobilizuar që me bashkëpunim të mirë të të gjithë aktorëve, përfshirë DKA-të, shkollat, mësimdhënësit, prindërit dhe nxënësit e donatorët, do të bëhet e mundur që t’i përgjigjemi me sukses sfidave të shumta që paraqet organizimi i mësimit në kushtet e pandemisë COVID-19 në shkollat e Kosovës.


Udhëzimi për fillimin e vitit shkollor 2020-2021 në Kosovë 

Planet mësimore për çdo klasë mund t’i shkarkoni këtu 




Përgatiti Marina Kërçeli 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,927 Lexime
4 vjet më parë