Aktualitet

MAS thirrje për projektet e kërkimit shkencor 2025: Buxheti rritet në 1.5 miliardë lekë

Ministria e Arsimit dhe Sportit shpalli thirrjen për projektet e kërkimit shkencor dhe inovacionit 2025. Buxheti është rritur në 1.5 miliardë lekë, me një mbështetje prej 6 milionë eurosh për projekte 18-24 mujorë. Fokus në fushat e shkencës, teknologjisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Ministria e Arsimit dhe Sportit, nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI), ka shpallur thirrjen për aplikim për projektet e reja për vitin 2025 në tre programe kryesore: Projekte të Infrastrukturës së Kërkimit Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë, Projekte Kombëtare të Kërkimit dhe Zhvillimit (PKKZH) dhe Projekte të Teknologjisë dhe Inovacionit (PTI). Këto projekte do të mbështesin fushat prioritare si Biodiversiteti dhe Mjedisi, Bujqësia, Ushqimi dhe Bioteknologjia, Shëndetësia dhe Shkencat Mjekësore, Sistemet dhe Teknologjitë e Informacionit, Shkencat Sociale dhe Albanologjike si dhe Uji dhe Energjia.


Në aktivitetin e organizuar për shpalljen e thirrjes, përfaqësues të institucioneve akademike dhe kërkimore ndanë sfidat dhe mundësitë për zhvillimin e kërkimit shkencor dhe inovacionit në vend. Diskutimet u fokusuan në rëndësinë e partneriteteve ndërkombëtare, mbështetjen për doktoratat dhe zhvillimin e programeve të reja për studiuesit.


Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manstirliu tha se këtë vit shpallja është bërë më herët se të gjitha vitet e tjetra dhe kjo e ka një arsye.


“Në këtë aktivitet të shpalljes së projekteve të reja për vitin 2025 të kërkimit shkencor dhe inovacionit, kjo thirrje për projektet e reja, që vjen më herët se çdo vit tjetër, në muajin dhjetor, i paraprin edhe buxhetit të vitit 2025 për t’u dhënë mundësinë të gjitha universiteteve, studiuesve dhe kërkuesve të kërkimit shkencor jo vetëm të bëjnë një bilanc të punëve që kanë realizuar në funksion të kërkimit shkencor gjatë këtyre viteve, por edhe të mund të vendosin piketat për projektet e reja në tre programet që ju sot po shpallni. Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit, e mbështetur nga Ministria e Arsimit dhe nga qeveria shqiptare, përmes buxheteve tashmë të rritura të përvitshme, krijon mundësinë e lidhjeve jo vetëm të partneriteteve përmes universiteteve në Shqipëri, por edhe përmes biznesit dhe universiteteve të huaja, ato ndërkombëtare. Nxit në mënyrë të shumëfishtë programet tona, qoftë programet e ndërkombëtarizimit, qoftë programet të cilat lidhen me tregun e punës, me zhvillimin sektorial, dhe që besoj se jemi në një moment të mirë.”, tha Ministrja Manastirliu.

 

Ministrja theksoi se këto projekte nxisin bashkëpunimin jo vetëm mes universiteteve në Shqipëri, por edhe me biznesin dhe institucionet ndërkombëtare. Ajo vuri në dukje rëndësinë e programeve të reja si READ Albania, që synojnë bashkëfinancimin e projekteve dhe angazhimin e kapaciteteve brenda dhe jashtë vendit. Po ashtu, programet për mbështetjen dhe financimin e doktoratave përmes partneriteteve ndëruniversitare do të fillojnë në fillim të vitit 2025.


“Kërkimi shkencor është zemra e universitetit, por nëse mbetet brenda mureve të universitetit, nuk do të arrijë të ofrojë atë që në fakt arrihet përmes kërkimit shkencor: t’i shërbejë shoqërisë. Ne kemi qenë avangardë përsa i përket projekteve të reja dhe programeve të reja që kemi ndërtuar, por edhe ato që do të nisim së shpejti. Këtu e kam fjalën për një program i cili është finalizuar në fakt në thirrjen e fundit, përmes një iniciative të përbashkët të Ministrisë së Arsimit dhe Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit, si dhe programit READ Albania, për kontributin e përbashkët në bashkëfinancimin e projekteve, për të bashkuar jo vetëm fondet, por edhe kapacitetet, burimet njerëzore brenda dhe jashtë kufijve, të shqiptarëve që janë në diasporë për të kontribuar në kërkimin shkencor. Një tjetër program i READ, që ne do të nisim në fillim të vitit 2025 për mbështetjen dhe financimin e doktoratave, si dhe për partneritetet që mund të krijohen përmes universiteteve të ndryshme dhe studiuesve të ndryshëm të shkollave të doktoraturave, për të arritur një tjetër dimension përsa i përket bashkëpunimit mes studiuesve dhe kërkuesve për ciklet e treta të studimit.”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.

 

Ministrja Manastirliu ne fund vuri theksin te buxhetet të rritura për kërkimin shkencor dhe inovacionin si një hap i rëndësishëm për zhvillimin e dijes dhe krijimin e mundësive të reja për studiuesit shqiptarë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.


“Fondet për kërkimin shkencor janë rritur. Buxheti për kërkimin shkencor dhe inovacionin kap vlerën prej 1.5 miliardë lekë në vit dhe që vetëm për këto projekte që ne hapim sot për vitin 2025, për ciklin e projekteve 18-24 mujor, do të kemi një mbështetje financiare prej 6 milionë euro, një buxhet i rritur krahasuar me vitin e kaluar.”



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

194 Lexime
3 ditë më parë