Aktualitet

Manastirliu-Manja, firmoset marrëveshja për edukimin në shkolla kundër korrupsionit

Marrëveshja e re e firmosur nga MAS, Ministria e Drejtësisë dhe Ambasada Italiane, që do të zgjasë 3 vite, ka të bëjë me përfshirjen në edukimin qytetar edhe të instrumenteve që kanë të bëjnë me ndërgjegjësimin kundër korrupsionit dhe informacionit që fëmijët duhet të marrin nëpërmjet kurrikulave.

Përhapja e kulturës së ligjshmërisë dhe qytetarisë së përgjegjshme në shkolla, si mjet për të parandaluar korrupsionin është në fokus të marrëveshjes 3-vjeçare, ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Ministrisë së Drejtësisë dhe Ambasadës Italiane në vendin tonë.


Marrëveshja u firmos sot nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja dhe Ambasadori i Italisë në vendin tonë, Fabrizio Bucci.


“Marrëveshja e re që firmosim sot të tre palët, për këtë projekt, i cili do të zgjasë 3 vite, ka të bëjë me përfshirjen në edukimin qytetar edhe të instrumenteve që kanë të bëjnë me ndërgjegjësimin, sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe informacionit që fëmijët duhet të marrin nëpërmjet kurrikulave, leksioneve, seminareve, debateve, mbi çështje që lidhen me fenomene të dëmshme për shoqërinë”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.


“Sot ne vendosëm të ngremë këtë bashkëpunim në një tjetër nivel, me një angazhim më të madh, për ta shtrirë edukimin në 12 shkolla, në 6 qytete të vendit dhe kemi gjetur gatishmërinë e menjëhershme të Ministrisë së Arsimit, por edhe partnerët italianë, që mirëpritën kërkesën për të replikuar këtë praktikë në shkallë edhe më të gjerë”, -tha Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja.



Promovimi i kulturës së ligjshmërisë në shkolla nisi si një projekti pilot në 4 shkolla të Tiranës, më konkretisht në shkollat “Qemal Stafa”, “Petro Nini Luarasi”, “Asim Vokshi” dhe “Myslym Keta” dhe tashmë do të shtrihet në gjashtë qarqe, më konkretisht, në Tiranë, Durrës, Shkodër, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër, me synim konsolidimin e kulturës së ligjshmërisë dhe qytetarisë së përgjegjshme tek të rinjtë.



©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

739 Lexime
1 vit më parë