Manastirliu e tronditur nga ngjarja në Lezhë: E papranueshme, të forcojmë mekanizmat për një mjedis të sigurt në shkolla
Ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu, ka dënuar ngjarjen e sotme në Lezhë, ku një nxënës dhunoi mësuesen. Në reagimin e saj ministrja thotë se duhet më shumë angazhim për forcimin e mekanizmave institucionalë.
Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, ka reaguar lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur ditën e sotme në një shkollë të mesme në Lezhë, ku nxënësi goditi me karrige mësuesen gjatë orës së mësimit. Përmes një postimi në “Facebook”, ministrja Manastirliu e tronditur nga kjo ngjarje i ka shprehur mbështetje dhe i ka uruar shërim të shpejtë mësueses së dhunuar, Majlindës.
Sipas ministres kjo ngjarje e ndodhur në shkollën “Hydajet Lezha”, duhet të sjellë reflektim dhe më tepër angazhimin në forcimin e mekanizmave institucionale për mbështetjen psiko-emocionale të nxënësve me qëllim për të garantuar një mjedis të sigurt për nxënësit dhe mësuesit.
Manastiruliu thekson se është detyra e të gjithëve si shoqëri që të kontribuojnë për fuqizimin e trinomit aq shumë të rëndësishëm, mësues-nxënës-prind, për të garantuar respektin e merituar për figurën e mësuesit dhe një mjedis sa më të shëndetshëm e të sigurt në shkolla.
“Jam shumë e shqetësuar dhe e tronditur nga ngjarja e sotme në shkollën “Hydajet Lezha” në qytetin e Lezhës, një ngjarje totalisht e papranueshme dhe e patolerueshme, ashtu siç është i papranueshëm çdo akt dhune, në mjediset tona të mësimdhënies. I jam pranë mësuese Majlindës në këto momente dhe i uroj shërim sa më të shpejtë. Kjo ngjarje e rëndë duhet të na bëjë të reflektojmë dhe të angazhohemi edhe më shumë për forcimin e mekanizmave institucionalë, për mbështetjen psiko-emocionale të nxënësve, komunikimin efektiv, rritjen e ndërgjegjësimit në shkollë, në familje, në komunitet, me qëllim që të garantojmë një mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm për nxënësit dhe mësuesit tanë. Na takon të gjithëve si shoqëri, të kontribuojmë për fuqizimin e trinomit aq shumë të rëndësishëm, mësues-nxënës-prind, për të garantuar respektin e merituar për figurën e mësuesit dhe një mjedis sa më të shëndetshëm e të sigurt në shkolla, në mënyrë që institucionet arsimore si vatrat e dijes të garantojnë arsim cilësor, dhe të edukojnë e të përgatisin brezin e ri, me vlerat më të larta të kulturës dhe qytetarisë”, shprehet Manastirliu.
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Letër e hapur për prindërit, mësuesit e institucionet: Për të mos neglizhuar asgjë në edukim!
Hartimi i projektit kurrikular
Kualifikimi i mësuesve sipas udhëzimit të ri