Librat më të mirë për fëmijë 2023

Libri “Aventurat e bebit” nga Teuta Dhimarko Kasoruho shpallet fitues i Fondit për Krijimtarinë Letrare për Fëmijë

Sot u organizuan ndarja e vlerësimeve për tri veprat e reja të letërsisë për fëmijë, botimi i së cilave do të mbështetet nga QKLL-ja. Një nga këto vlerësime shkoi për shtëpinë botuese “Albas”, e cila do të botojë dorëshkrimin fitues “Aventurat e bebit”, të autores Teuta Dhimarko Kasoruho.

Sot në mjediset e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit u organizuan ndarja e vlerësimeve për tri veprat e reja të letërsisë për fëmijë, botimi i së cilave do të mbështetet nga QKLL-ja. Në këtë ceremoni ishte e pranishme edhe ministrja e Kulturës znj. Elva Margariti, personalitete të tjera të letërsisë për fëmijë dhe të fushës, si dhe dhjetëra fëmijë që mbushën sallën e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit.  

Nga 10 dorëshkrime të dorëzuara në këtë fond, i cili u gjykua nga një juri e kryesuar nga shkrimtari Fatmir Gjestila dhe anëtarë Anisa Ymeri dhe Majlinda Nana, 3 vepra do të jenë në duart e lexuesit të vogël brenda vitit 2023. 


Një nga këto vlerësime shkoi për shtëpinë botuese “Albas”, e cila do të botojë dorëshkrimin e vlerësuar si fitues “Aventurat e bebit”, të autores Teuta Dhimarko Kasoruho. Vlerësimi dhe motivacioni iu dorëzua autores nga shkrimtarja fituese e këtij vlerësimi e një viti më parë, Sevi Agolli, e cila u shpreh se e ishte e lumtur, që këto emocione që kishte përjetuar vetë një vit më parë, këtë vit do t’i pasonte një tjetër autoreje të letërsisë për fëmijë. 

Kurse vetë autorja duke falënderuar shtëpinë botuese “Albas” për besimin dhe drejtuesen e saj, Rita Petron, për mbështetjen për të marrë pjesë në këtë konkurs, u shpreh se ndihej si në qiellin e shtatë nga vlerësimi i marrë.


Ky vlerësim u shoqërua me motivacionin: “Për një gjetje të kërkuar dhe mjaft interesante, ku nëpërmjet një rrëfimi dhe një dialogu të zhdërvjelltë, të ngrohtë, të shpejtë e të kursyer, përcillet te fëmijët e moshës fillestare shkollore”. 


Vlerësimi tjetër shkoi për dorëshkrimin “Arinjtë duan të fluturojnë”, të autores Rovena Rrozhani, me motivacionin: “Shkruar në përshtatshmëri me moshën e fëmijëve, përmes një rrëfimi të zhdërvjellët, përjetimit të personazheve dhe një informacioni të tërthortë, duke përçuar mesazhe të qarta, si thirrje për mbrojtjen e kafshëve dhe të mjedisit të tyre natyror”. Ky vlerësim iu dorëzua autores nga anëtarja e jurisë, Majlinda Nano.

Vlerësimi i tretë shkoi për autorin Xhahid Bushati, me librin “Alfabeti i Bletës”, me motivacionin: “Për vargun dhe figuracionin e thjeshtë, gazmor e lodërtar për moshën e fëmijëve të arsimit fillestar, ku poemthat e këtij libri përcjellin këndshëm dashurinë për natyrën, si një thirrje për të qenë më shumë pranë saj”. Ky vlerësim iu dorëzua autorit nga shkrimtarja aq e dashur për fëmijë, Adelina Mamaqi, e cila u prit me duartrokitje nga fëmijët e pranishëm në mjediset e QKLL-së.

©Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,043 Lexime
1 vit më parë