Dita Botërore për Zero Diskriminim

Librat e sugjeruar nga ALBAS për t’i thënë JO diskriminimit

Këta janë librat që sugjeron ALBAS në Ditën Ndërkombëtare për Zero Diskriminim, në mënyrë që fëmijët tuaj nëpërmjet leximit të kuptojnë diversitetin që i rrethon, të bëhen më tolerantë dhe më gjithëpërfshirës.

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare për Zero Diskriminim, ku bëhet thirrje për t’i dhënë fund diskriminimit dhe për të kremtuar diversitetin, tolerancën dhe gjithëpërfshirjen.

Ndaj ALBAS sugjeron titujt e mëposhtëm si një mënyrë që fëmijët tuaj nëpërmjet leximit të kuptojnë rëndësinë e kësaj dite simbol për t’i thënë gjithmonë JO diskriminimit.


“Më quajnë Gandi”


Lindi në Probandar, një qytet i vogël në Indinë Perëndimore. Ai ishte një njeri me pamje elegante dhe i veshur mjaft thjeshtë: mbështillej vetëm me një cohë të bardhë. Më vonë të gjithë do ta thërrisnin Mahatma (Shpirt i lartësuar), sepse Gandi ia përkushtoi gjithë jetën e tij idealit për të bindur dhe për t`u treguar njerëzve, se dhuna është forma më e keqe për të luftuar për barazi mes pushtuesve dhe të shtypurve, mes të pasurve dhe të varfërve. Duke bërë një jetë të thjeshtë dhe shembullore, si modeli më i mirë për të tjerët dhe duke shndërruar fjalën në armën e tij më të mirë, ai kontribuoi jo vetëm në përmirësimin e gjendjes së njerëzve më pak të privilegjuar apo të diskriminuar, por luajti një rol vendimtar në arritjen e pavarësisë së Indisë. Për fat të keq, në mënyrë paradoksale, një nga pacifistët më të mëdhenj të botës vdiq i vrarë nga një fanatik fetar.


“Ngjyrat e ylberit”


Ylberi ka shumë ngjyra dhe secila ngjyrë është e ndryshme nga të tjerat. Edhe ne njerëzit jemi pak a shumë si ngjyrat e ylberit, sepse secili prej nesh është i ndryshëm dhe i veçantë. Forma e syve, ngjyra e lëkurës, madje edhe ushqimet që na pëlqejnë, janë ato që na bëjnë të ndryshëm. Por, gjithashtu, ne jemi shumë të ngjashëm. Ne kemi ndjenja, mendime, shpresa, dëshira dhe ëndrra; ne qeshim kur jemi të gëzuar dhe qajmë kur jemi të mërzitur. Kur njerëzit nga e gjithë bota bëhen bashkë, ata krijojnë një pamje të mrekullueshme, njësoj si ylberi. Ndaj le të bashkohemi, që të krijojmë një ylber! Le të festojmë për të përbashkëtat dhe ndryshimet tona!




“Racizmi shpjeguar vajzës sime”

Tahar Ben Jelloun është një nga shkrimtarët më të njohur francezë, i vlerësuar me disa çmime dhe kandidat për çmimin Nobel në Letërsi. Racizmi shpjeguar vajzës sime është bestseller dhe është përkthyer në 25 gjuhë.

Njeriu nuk lind racist, por bëhet. Këtë përpiqet t’i shpjegojë autori vajzës së tij, Merjemes, e cila gjatë një manifestimi kundër një projektligji për emigracionin e pyeti për racizmin. Libri është në formën e një bashkëbisedimi, që u përgjigjet pyetjeve kureshtare të një fëmije. Më shumë se dhjetë vjet pas këtij bashkëbisedimi me të bijën, autori i bën të njohura këto këmbime mendimesh me fëmijët nga gjithë bota, të cilët vazhdon t’i takojë. Sepse së bashku konstatojmë se racizmi jo vetëm nuk është sprapsur, por është bërë i zakonshëm, madje, në disa raste, është thelluar. Ne përpiqemi të kuptojmë format e reja të shfaqjes së tij: rritja e antisemitizmit dhe islamofobisë, diskriminimet, viktima të të cilit janë emigrantët etj. Ky libër u drejtohet fëmijëve që nuk kanë ende paragjykime dhe prindërve, mësuesve, edukatorëve, për t’iu përgjigjur pyetjeve më të koklavitura nga sa mendojnë fëmijët.




“Shoqja ime ka sindromën Daun”

Ky libër rrëfen historinë e dy vajzave që takohen në një kamp veror dhe zënë miqësi të ngushtë; pavarësisht se njëra prej tyre ka sindromën Daun. Të dyja vajzat tregojnë se janë të afta të bëjnë mirë diçka dhe kjo e ndihmon secilën të kapërcejë frikën dhe vështirësitë, duke arritur sukses. Libri “Shoqja ime ka sindromën daun” jep mesazhin se të gjithë fëmijët meritojnë t’u jepen mundësi për të shfaqur gjithë potencialin e tyre dhe për të krijuar marrëdhënie shoqërore afatgjata. Vetëm se duhen thyer disa nga kufijtë që ekzistojnë midis fëmijëve; çdo fëmije, në çfarëdo rasti, i pëlqen të arrijë të përkryerën, duke bërë më të mirën për veten.



“Unë them jo”

Nga Spartaku te Darvini, nga Gandi te Martin Luter Kingu, nga Xhordano Bruno te Malala Josafzai: historitë e grave dhe të burrave që u kanë thënë jo padrejtësive. Tridhjetë e pesë histori të jashtëzakonshme, që rijetësojnë betejat e mëdha për lirinë.

Ky libër është realizuar në bashkëpunim me shtëpinë botuese Edizione El. Dy personalitete të rëndësishme të kulturës shqiptare, NËNË TEREZA, që i ka thënë “JO” varfërisë dhe MUSINE KOKALARI, që i ka thënë “JO” komunizmit, janë përgatitur për botim nga redaksia Albas.




“Vëllai im është autik”

Të rritesh në një familje me një fëmijë me autizëm mund të jetë e vështirë, por pjesa më e madhe e familjeve, përpiqen ta kalojnë këtë sfidë. E rëndësishme është që fëmijët, vëllai ose motra, të kuptojnë sa më shpejt problemet që kanë lindur dhe të zbulojnë se dashuria, durimi dhe sensi i humorit, janë aftësi jetësore të qenësishme, të cilat do t’u hyjnë atyre në punë gjatë gjithë jetës. Ky libër tregon për një djalë, vëllai i të cilit Beni, është me autizëm. Kur ai vihet në vështirësi nga sjelljet e tij në sy të shokëve të klasës, i kërkon mësueses t’u flasë atyre për autizmin. Me ndihmën e mësueses, fëmijët mësuan se shumë njerëz me këtë sëmundje kanë zhvilluar aftësitë e tyre të veçanta, duke u ndier të vlefshëm e të vlerësuar.




Kaltra Tafani 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

874 Lexime
1 vit më parë