Kush tha që fëmijët nuk lexojnë?
Fëmija duhet të rritet mes librave; të gjejë modelin te prindi që lexon; të jetë pjesë e një rituali të përjavshëm familjar: e shtuna e librarisë, ku ai vetë të kërkojë librin që do, ta prekë, ta marrë në duar, ta zgjedhë.
Jo pak herë jemi përballur me pretendimin e prindërve se sot fëmijët i janë larguar librit, e në vijimësi kjo tendencë po rrit intensitetin e saj.
Por në fakt, a kemi një largim të fëmijëve nga libri apo, nga procesi i të lexuarit?
Në kushtet kur shoqëria jonë po bëhet gjithnjë e më shumë konsumatore dhe komercializmi po na determinon përditshmërinë, do të konstatonim se kontaktet tona intensive me mediat audiovizive i japin një spektër tjetër përgjigjes së kërkuar, duke na çuar në përfundimin se procesi i të lexuarit sot jo vetëm që nuk ka pësuar rënie, por përkundrazi ai është në rritje.
Sot lexohet kudo: lexohet në avion, në rrugë, në tren, në shtrat, në banjo, shkurt kudo. Pra të lexuarit ka ndryshuar formë dhe në disa raste përmbajtje. Por nëse i referohemi shqetësimit të prindërve për përmasën e re që ka marrë marrëdhënia e fëmijës me librin artistik (duhet të jemi më specifikë), atëherë duhet të realizojmë një tjetër hapsirë reflektimi, në qendër të së cilës ndodhet libri në llojin e tij letër.
-Ia marr celularin, -pohon një prind duke referuar fëmijën,- por kjo nuk është se po e detyron atë të lexojë libra.
Nëpërmjet këtij pohimi, kemi marrë edhe përgjigjen e shqetësimit të prindërve.
Letërsia është kënaqësi. Ruberto Piumino pohon se folja “lexo” nuk e duron dot mënyrën urdhërore. Nëse ne e detyrojmë fëmijën të lexojë një libër artistik, atëherë e kemi armiqësuar përgjithmonë këtë fëmijë me librin. Për më tepër gjithkush që e do librin, që rri orë të tëra mbi të, që ka një bibliotekë madhështore në shtëpinë e tij, pa dyshim që është përdorues aktiv edhe i celularit.
E në fakt të lexuarit është mbi të gjitha kënaqësi. Italo Kalvino, ndërsa na flet për të lexuarit thotë: “Mbylle derën, shtrihu në kanape, ndize abazhurin. Tani lexo”. Dhe kjo situatë vjen vetëm nëse ti ndjen domosdoshmërinë të marrësh në duar një libër.
Jo në pak raste prindërit fajësojnë shkollën dhe mësuesit për largimin fizik të fëmijëve të tyre nga libri. Sigurisht që shkolla duhet të luajë një rol determinues në afrimin me librin artistik. Por më shumë se kurrikula shkollore, fëmijën drejt librit e çon mësuesi. Kur në klasë hyn mësuesi i letërsisë, atëherë mes fëmijë duhet të hyjë Shekspiri. Letërsia kërkon pasion, dëshirë, duhet të shkojë përtej dy orëve kurrikulare, përtej analizës së thatë. Le të nisë mësuesi të lexojë me zë të lartë, të interpretojë poezi përmëndësh, të shkruajë në klasë, ta çojë nxënësin në Mars e ta sjellë përsëri në bankën e rreshtit të tretë…dhe ndërsa i bën të gjitha këto, le ta harrojë që përpara ka nxënësin e të mos kërkojë asgjë në këmbim. Atëherë do të shohë që sistemi do të funksionojë.
Kur Topolinon-baba e pyeti i biri se si kishte arritur të lexonte aq shumë libra, përgjigja e tij ishte epokale: “Njëri pas tjetrit”. Kështu dhe mësuesi hap pas hapi është faktori që edukon.
Por nëse pretendojmë që ky mision i përket vetëm shkollës, pa dyshim që do të bëheshim qesharakë. Ne përpiqemi t’i japim fëmijës një botë të lumtur, nxitojmë të plotësojmë një piramidë nevojash e dëshirash që i tejkalojnë ato bazike, dhe jo pak herë realiteti shqiptar na dëshmon se në këtë hierarki ofertash mungon hapsira kushtuar librit. Fëmija duhet të rritet mes librave; të gjejë modelin te prindi që lexon; të jetë pjesë e një rituali të përjavshëm familjar: e shtuna e librarisë, ku ai vetë të kërkojë librin që do, ta prekë, ta marrë në duar, ta zgjedhë. Është shumë e rëndësishme ta zgjedhë ai vetë dhe jo mami a babi. Sepse nëse vetë e bën zgjedhjen, vetë merr edhe përgjegjësinë për ta përballur librin.
Por edhe pse shtohen çdo ditë prindërit e shqetësuar për largimin e fëmijës nga libri artistik, mendojmë se po me këtë ritëm shtohet edhe numri i lexuesve të vegjël. Nëse fëmija librin tim “Bëmat e Estes dhe Kokosë” parapëlqen ta lexojë në monitor, atëherë ç’të bëj….mbetet detyra ime ta sjell në variantin në fjalë.
(Natasha Poroçani; Portali Shkollor)
Festojmë 28-29 nëntorin!
Letër falenderuese mësuesit
Mesazhet më të bukura të nxënësve shqiptar për Ditën e Tokës në Portalin Shkollor