Kurrikula e re, ministri Bajrami takim me drejtuesit e parashkollorit
“Përgatitja e mirë e mësimdhënësve është interes madhor publik sepse mësimdhënësit kanë një rol shumë të rëndësishëm në përgatitjen e gjeneratave të reja dhe në tranzicionin që po kalojmë.”
Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë z. Arsim Bajrami, mori pjesë në takimin me drejtorë të Institucioneve parashkollore dhe drejtorë të SHFMU të Prishtinës me ç’rast u prezantuan sukseset e Fakultetit të Edukimit (FE) si dhe iu ndanë mirënjohje bashkëpunëtorëve kontribuues për rritën e këtij institucioni.
Me këtë rast, ministri Bajrami fillimisht ka falënderuar përgjegjësit e institucioneve arsimore të Prishtinës për fillimin e procesit të trajnimit të mësimdhënësve për zbatimin e Kurrikulës së re, e cila është një instrument shumë i rëndësishëm për ngritjen e cilësisë në arsim , ndërsa tha se Fakulteti i Edukimit është partner strategjik i Ministrisë së Arsimit në ndërtimin e politikave publike arsimore dhe përgatitjen e mësimdhënësve.
“Fakulteti i Edukimit është i vetmi fakultet kompetent për përgatitjen e mësimdhënësve dhe më i preferuari nga studentët tanë, për faktin që kemi arritur që profesionin e mësimdhënësit ta bëjmë profesion të preferuar në tregun kosovar të punës, ndërsa përgatitja e mirë e mësimdhënësve është interes madhor publik sepse mësimdhënësit kanë një rol shumë të rëndësishëm në përgatitjen e gjeneratave të reja dhe në tranzicionin që po kalojmë”, theksoi ministri Bajrami.
Në vazhdim, ministri Bajrami tha se po punojmë që mësimdhënësit te kenë tretman të veçantë, të merituar në shoqërinë tonë edhe në kuptimin moral dhe material.
Ndërsa, theksoi se shumica e mësimdhënësve të FE janë të angazhuar në procesin e hartimit të politikave arsimore të MAShT-it, sepse dëshirojmë që përmes njerëzve akademik të krijojmë politika të përgjegjshme.
Në fund, ministri Bajrami vlerësoi lartë marrëveshjen e nënshkruar kohë më parë nga FE dhe DKA-ja e Prishtinës për mbajtjen e punës praktike të studentëve të FE-së në shkollat e komunës së Prishtinës .
Me një fjalë rasti të pranishmit i përshëndetën edhe rektori i Universitetit të Prishtinës z. Marjan Dema, Dekani i Fakultetit të Edukimit z. Ethem Çeku si dhe drejtoresha e DKA-së së Prishtinës znj. Arbërie Nagavci.
Në fund iu ndan mirënjohje bashkëpunëtorëve të Fakultetit të Edukimit të cilët ndër vite dhanë kontribut të çmuar për arritjet në këtë institucion të arsimit të lartë.
Nënshkruhet Kontrata e re kolektive e arsimit
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Arsim Bajrami, dhe kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj, kanë nënshkruar kontratën e re kolektive të arsimit në Kosovë.
Ministri Arsim Bajrami, ka thënë se nënshkrimi i kësaj kontrate parasheh obligimet e shtetit te Kosovës që mësimdhënësit të kenë një pozitë adekuate dhe të stimulohen. Sipas tij, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë mirëpret sindikatën edhe në përpjekjet e përgjithshme për rritje të cilësisë në arsim.
Ai ka thënë se së shpejti do të procedohet edhe ligji për mësimdhënësit e viteve të ‘90-ta.
Ndërsa kryetari i SBAShK-ut Rrahman Jasharaj, ka deklaruar se e veçanta e Kontratës së re kolektive të arsimit është se këtë vit nënshkruhet kontrata e përgjithshme e SBAShK-ut, e cila përfshin arsimin fillor, të mesëm, universitar dhe të gjitha kategoritë e kësaj sindikate.
(Portali Shkollor)
Ceremonia e ndarjes së “Medaljeve të Arta” për 188 maturantë, Manastirliu: 80% e ekselentëve studiojnë në universitetet shqiptare
Pasurimi i bibliotekave shkollore, Manastirliu: Mbi 20 mijë libra për nxënësit në gjithë vendin
Dita e Diasporës, Manastirliu: Nis nga Janari programi “Mësues për Greqinë”, mbështetje financiare për mësuesit e diasporës