Mësimi në Kosovë

Kosova me tre skenarë për fillimin e vitit të ri shkollor

Mësimi në distancë, mësimi nga platforma të ndryshme, por edhe mësimi i kombinuar, janë disa nga skenarët që Ministria e Arsimit e Kosovës ka përgatitur për fillimin e vitit të ri shkollor. Sipas zyrtarëve të kësaj ministrie, procesi mësimor do të vazhdojë bazuar në rekomandimet e institucioneve shëndetësore.

Institucionet shkollore në Kosovë janë mbyllur nga data 12 mars, pas masave që kishte marrë Qeveria e Kosovës për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Pastaj, Ministria e Arsimit vendosi që mësimi të vazhdojë nga distancë. Për klasat 1-9, mësimi është realizuar nëpërmjet transmetimit të mësimeve të regjistruara në televizionin publik, si dhe përmes kanalit të Ministrisë së Arsimit në YouTube. Ndërsa në nivel të shkollave të mesme të larta, mësimi në distancë është zhvilluar në mënyrë të decentralizuar.


Enver Osdautaj, këshilltar i lartë politik në kabinetin e ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), thotë se ministria tashmë ka krijuar një grup punues, i cili po realizon përgatitjet për fillimin e mësimit në rrethana pandemie. Ky grup, thotë Osdautaj, ka përgatitur disa skenarë, por prioritet do të mbetet shëndeti i nxënësve.

“Janë marrë disa modalitete të vendeve të rajonit dhe Bashkimit Evropian. Është menduar që mësimi të mbahet në disa forma: mësim në distancë, mësim nga platforma të ndryshme, përmes televizionit, por edhe mësim i kombinuar, varësisht nga situata epidemiologjike në Kosovë. Do të thotë të gjitha mundësitë janë shqyrtuar dhe janë krijuar dokumente në mënyrë që nxënëseve t’u ofrohet ajo që është më e mira në rrethana pandemie”, thotë Osdautaj për Radion Evropa e Lirë.


Mësim i kombinuar


Duke folur për mësimin e kombinuar, Osdautajt thotë se për shkak të numrit të kufizuar të nxënësve që do të jenë në klasa, do të ketë orar ku nxënësit një pjesë të mësimit, nëse lejojnë mundësitë, ta zhvillojnë në shkolla, pjesa tjetër që nuk arrihet të realizohet, do të plotësohet me mësimin online.

“Është menduar që të ketë deri në 10 nxënës, duke respektuar distancën sociale. Tashmë janë duke u përgatitur edhe planet se si do të organizohen klasat, duke marrë parasysh edhe masat për mbrojtje dhe siguri anti- COVID. Për shkak të interaktivitetit edhe qasjes, nëse lejojnë mundësitë, do të provohet edhe në këtë variant”, shprehet Osdautaj.


Një prej problemeve, me të cilin përballen shkollat në Kosovë, sidomos ato në zonat urbane, është numri i madh i nxënësve në klasa. Nga 30 deri në 45 sillet numri i nxënëseve në një klasë, si në shkollat fillore ashtu edhe në ato të mesme. Kurse, numri i nxënësve në institucionet e arsimit parauniversitar llogaritet të jetë mbi 300 mijë. Por, njohës të çështjeve të arsimit, vlerësojnë se vendimi për fillimin e vitit të ri duhet të ketë prioritet mirëqenien shëndetësore të nxënësve. Çfarëdo vendimi që merret, sipas tyre, duhet bazuar në rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.


Qehaja: Mësimi i kombinuar nuk kontribuon në shëndetin e fëmijëve

Rinor Qehaja nga Instituti “EdGuard”, thotë se Ministria e Arsimit nuk duhet të vendosë për mësimin e kombinuar.

“Pa marrë parasysh skenarët e ndryshëm të ministrisë, unë mendoj se janë dy opsione, ose të vazhdohet tutje me mësimin nga distanca sikurse në gjysmëvjetorin e kaluar, ose rikthehemi në shkolla, me kujdes të shtuar dhe me protokolle të mirë-definuara nga institucionet përkatëse. Në të kundërtën, çdo opsion i ndërmjetmë, nuk besoj se do të kontribuojë shumë, qoftë edhe në shëndetin e fëmijëve ose në parandalim situatës”, vlerëson Qehaja duke shtuar se vendimet e qeverisë duhet të bazohen edhe në praktikat e vendeve evropiane.


"Rikthimi i fëmijëve fizikisht në shkollë është mënyra më e pranueshme, por me kujdes të shtuar duhet të analizohet situata me pandeminë, duke vendosur në rend të parë shëndetin e fëmijëve", thotë sociologu dhe psikologu Besnik Peci. Ai thekson se mësimi në distancë ndikon edhe në aspektin sociologjik te fëmijët. “Në aspektin sociologjik është prekur fusha e socializimit, është prekur zhvillimi i shkathtësive ndërpersonale, është prekur zhvillimi i shkathtësive për jetën, në mënyrë indirekte është prekur edhe shëndeti fizik, psikologjik dhe organik i fëmijëve për shkak se jeta në karantinë pamundëson aktivitete fizike në mënyrë që të shkrijnë kaloritë që i fitojnë”, thekson Peci.

Ndryshe, një ndër masat e Qeverisë së Kosovës, të datës 28 korrik, është që të obligohet Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik që në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Drejtoritë komunale të arsimit, deri më 15 gusht 2020, të hartojnë udhëzuesin për mënyrën e organizimit të mësimit për vitin e ri shkollor-akademik 2020-2021. 


Burimi: europaelire.org 


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

2,774 Lexime
4 vjet më parë