Aktualitet

Konkluzionet e “Kongresit për Arsimin”/ Ministrja Kushi: Nevojë emergjente për të ruajtur gjuhën shqipe

Ka përfunduar “Kongresi për Arsimin” i cili për 3 ditë me radhë vuri në qendër të vëmendjes çështjet më të rëndësishme të arsimit në vend. Ministrja Evis Kushi gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare në mbyllje të sesioneve,vuri në fokus kryesor temën e nevojës emergjente për ruajtjen e gjuhës shqipe.

Ka përfunduar “Kongresi për Arsimin” i cili për 3 ditë me radhë vuri në qendër të vëmendjes çështjet më të rëndësishme të arsimit në vend.


Ministrja e Arsimit dhe Sport Evis Kushi gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare në mbyllje të sesioneve, vuri në fokus kryesor temën e nevojës emergjente për ruajtjen e gjuhës shqipe.


“Ajo ku dua të ndalem pak në mënyrë më të veçantë lidhet me një tjetër konkluzion që të gjithë bashkërisht duhet të dalim nga ky kongres, që lidhet me nevojën për ruajtjen dhe forcimin e gjuhës shqipe. Që në seancën plenare e hodhi këtë temë diskutimi edhe kryeministri. Por që tashmë ne kemi kohë që e diskutojmë. Madje edhe iniciativat që kemi ndërmarrë kohët e fundit, qoftë abetarja e përbashkët unike me Kosovën, por po ashtu edhe unifikimi i kurrikulës, teksti i gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë, enciklopedia shqiptare. Që të gjithë këta janë hapa shumë të rëndësishëm që ndihmojnë në ruajtjen dhe forcimin e gjuhës shqipe. Por unë besoj që janë të pamjaftueshëm.” – theksoi ministrja Kushi.


Ajo nënvizoi se duhet të merren hapa konkrete në këtë drejtim dhe theksoi se ajo që solli ky kongres ishte një sensibilizim më i gjerë dhe më i fortë që çështja e gjuhës shqipe është një nevojë emergjente, ndoshta një alarm. 


“Prandaj ne shumë shpejt duhet të organizojmë tryeza diskutimi ku të përfshijmë të gjithë aktorët dhe të kemi një strategji kombëtare për gjuhën shqipe”- tha Kushi. 


Ministrja ka ngritur disa pyetje të cilat mund të jenë temë diskutimi në ditët dhe javët në vijim, përpara një strategjie se ku duhet të shkojmë. 


Pyetjet e ngritura nga ministrja Kushi ishin:


  1. A duhen provime të veçanta në shkollën e mesme? Tashmë ne e kemi gjuhën shqipe si lëndë, dy orë në javë, por provimi i maturës është i përbashkët, gjuhë shqipe dhe letërsi. Mos ndoshta duhet ta kemi gjuhën shqipe provim të veçantë?
  2. A duhet ta përfshijmë gjuhën shqipe në programet apo kurrikulat universitare? 
  3. A duhet në programin Bachelor, a duhet në programet e mësuesisë apo edhe në programet e tjera?
  4. Janë pikëpyetje, dilema që ne duhet t’i diskutojmë. Dhe në tryezat në vijim të marrim një vendim.
  5. A ka ardhur koha të hartojmë një test provimi sipas nivelit gjuhësor për gjuhën shqipe? Siç janë provimet për gjuhën angleze, franceze, për të gjitha gjuhët. Sot për gjuhën shqipe nuk ka një provim të tillë. 
  6. Mos ndoshta ka ardhur koha që ky provim sipas niveleve të jetë ndoshta dhe si kriter për punësim në administratën publike. Ndërkohë disa hapa të tjerë mund të jenë më të shpejtë, program trajnimi kombëtar për të gjithë mësuesit e profileve të ndryshme në lidhje me zhvillimin e kompetencës gjuhësore sipas grupmoshave të nxënësve. Gjithashtu mund të zhvillojmë aktivitete si konkurse për gjuhën shqipe për të folurën në publik në shkolla dhe universitete.
  7. Mund të rishikojmë ndoshta edhe kurrikulën. A janë të mjaftueshme ato dy orë të gjuhës shqipe në shkollën e mesme apo duhet të shtohet edhe një orë tjetër. 

Ministrja Kushi theksoi se {Ky duhet të jetë konkluzioni primar i këtij kongresi, edhe pse ky kongres pati shumë konkluzione të tjera të cilat unë dhe të gjithë së bashku i kemi ndjekur me vëmendje gjatë këtyre tre ditëve".



Kaltra Tafani 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,848 Lexime
2 vjet më parë