BOTIM I ALBAS

Klodian Briçi, fitues i Çmimit “Hans Christian Andersen” 2023 për përkthimin në shqip të “Përrallat e Andersenit” nga ALBAS

Klodian Briçi me përkthimin e plotë “Përrallat e Adersenit” botuar nga Albas, është shpallur fitues i çmimit të madh “Hans Christian Andersen” 2023 në Danimarkë. “Tashmë edhe Shqipëria është në hartën e përkthimeve më të mira të Andersenit”, bëri të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

Shqipëria është fituese e Çmimit “Hans Christian Andersen” 2023. Komiteti i Çmimit të madh “Hans Christian Andersen” në Danimarkë, ka vlerësuar përkthyesin Klodian Briçi si përkthyesin më të mirë të Andersenit për vitin 2023 në gjuhë të tjera. 


Mes përkthyesve nga e gjithë bota është nderuar me këtë çmim të rëndësishëm, përkthimi i plotë i “Përrallave të Andersenit” në gjuhën shqipe, botuar nga “Albas”.


Lajmin e bëri të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti teksa shkroi në rrjete sociale se “është kënaqësi të ndash jo vetëm me dashamirësit e letërsisë, lajmin e mirë se për herë të parë, Shqipëria është shpallur fituese e Çmimit të madh që jepet çdo vit nga Komiteti ‘Andersen’ në Danimarkë”.


Siç citon ministrja Margariti, ky është një çmim i merituar nga Klodian Briçi, përkthyes i mbi 40 veprave të rëndësishme nga letërsia e botërore në gjuhën shqip, për përkthimin “Përrallat e Andersenit”  botuar nga ALBAS (101 përralla). “Tashmë edhe Shqipëria është në hartën e përkthimeve më të mira të Andersenit”, tha Margariti.

Gjatë ceremonisë së organizuar nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit për këtë rast, përkthyesi Klodian Briçi është shprehur entuziast për çmimin e marrë: “Më në fund, Çmimi Andersen erdhi në Shqipëri si nderim për gjithë përkthyesit e vjetër që vunë themelet e përkthimësisë në shqip. Jam i kënaqur që u vlerësova pas më shumë se 20 vjet pune të palodhur dhe mbi 40 libra që kam përkthyer, një pjesë e të cilëve janë kryevepra të letërsisë botërore!”. 


Klodian Briçi është një përkthyes i mirënjohur shqiptar, i cili ka përkthyer më shumë se 40 libra, kryesisht nga anglishtja dhe italishtja, por edhe romane të shkrimtares suedeze, Selma Lagerlöf. 


"Përkthimi i Klodian Briçit, jo vetëm që pasuron korpusin gjithnjë e në rritje të veprës së Andersenit në gjuhët e huaja, por i shton korpusit të letërsisë shqipe një autor të madh të letërsisë botërore", kështu u shpreh Alda Bardhyli, drejtoresha e QKLL.


Ceremonia e dhënies së çmimit do të mbahet më 2 prill, ora 16:30 në Theatre of Odense në Danimarkë. Ndër të tjera, Çmimi do të dorëzohet nga kryetari i Bashkisë së Odense, Peter Rahbæk Juel. 




Nanila Allkja Biçaku

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,759 Lexime
1 vit më parë