Botime akademike Albas

“Kadare ose liria e fjalës së penguar”, Anastas Kapurani

Kadare është i pari shqiptar i madh që hyn në Coupole-në e mençurisë evropiane. Ndaj ai është atje me tjetër tagër dhe vula e tij është tjetër gjë. Kadare është atje si shkrimtar i madh evropian.

Ç’dëgjojmë të na flitet sot kur themi: Kadare?

Gjer më tani Kadare ishte brenda librit dhe na foli së andejmi dhe ne u përpoqëm ta dëgjojmë fjalën e tij. Tani ai del nga libri dhe është me ne. Le ta theksojmë këtë: Kadare është me ne. Po ishte ndonjëherë larg nesh? Po qe se jo, atëherë pse del nga libri tani dhe bie mes nesh? Ngaqë në thelb shkrimtari kështu është: brenda dhe jashtë librit të vet, në po të njëjtën kohë. Shkrimtari ndërkohë është në anën tjetër dhe vjen të na takojë. Ne jemi më këtë anë dhe përpiqemi të jemi më anën tjetër. Shkrimtari është ngaherë një hap përpara nesh. Prandaj shkrimtari nuk vjen tek ne që të rrijë me ne, por që të na marrë me vete brenda librit dhe të na bëjë palë me lirinë e tij të madhe.


Tani kjo praxis e vështirë dhe e mbarsur frikshëm ndryshe, ku mblidhet dhe nga na flet? Ku jemi tani? Po kërkonim të mësojmë rrënjët e kësaj praxis të vështirë që zien në mes të lexuesit dhe shkrimtarit tek Kadare.


Me shkrimtarin e madh ndodh pak a shumë sikundër ndodh me lumin. Lumi rritet dhe një ditë bëhet i madh dhe gjithnjë e më i madh, por në të shumtën e herës zë fill në rrëkenë e vogëlth dhe të hollë, dhe që zakonisht del nga shkëmbi.


Kadare është i pari shqiptar i madh që hyn në Coupole-në e mençurisë evropiane. Ndaj ai është atje me tjetër tagër dhe vula e tij është tjetër gjë. Kadare është atje si shkrimtar i madh evropian. Dhe kjo na thotë shkoqur këtë: Kadare është atje bashkë me lexuesin e tij, të dy të lidhur përjetësisht në një bisedë që nuk mund të mbarojë ndonjëherë, mrekullisht të strehuar brenda ngrehës së ashpër të kacavarjes. - shkruan Dr. Anastas Kapurani tek studimi i tij “Kadare ose Liria e fjalës së penguar”, një botim ky në serinë e botimeve akademike të shtëpisë botuese Albas.


Studimi është i ndarë në pesë kapituj. Në kapitullin e parë, “Dasma në Abyys”, trajtohen simbole si: Plaka e dasmës, Skënderbeu, Enver Hoxha. Tek kapitulli i dytë; “Liria e fjalës së penguar”, brenda studimit i kushtohet një vëmendje e veçantë vitit 1389, Piramidës, Homerit, ndërsa tek kapitulli i tretë, i titulluar “E vërteta e vështirësive”, studiuesi ka hedhur dritë mbi disa romane dhe tema të veprës së Kadaresë si: Përbindëshi, Vajza e Agamemnonit, dhe duke ndërtuar pyetjen se; çfarë sjellin trojanët në Butrint? - na drejton ka një lexim i detajuar i cili zbërthehet përmes gjuhës së simboleve në veprën e Kadaresë.


“Muzgu mes kreshtave” dhe “Mythos i Kadaresë”, vijnë si dy kapituj më vete, të cilët janë një analizë e sintetizuar e mendimit kritik duke zbërthyer veprën letrare të shkrimtarit, i cili tashmë është një prej më të rëndësishmëve në botën evropiane të letrave. Pasfjala, apo përmbyllja e studimit ngre pyetjen; Ç’dëgjojmë të na flitet sot kur themi: Kadare? Kjo pyetje është teza e shtjelluar brenda këtij studimi, një ndër më seriozët në vazhdën e studimeve të shumta për veprën e Ismail Kadaresë.


Dr. Anastas Kapurani, i diplomuar për anglisht ka marrë gradën shkencore doktor i shkencave me triptikun studimor “Poetika midis fjalës dhe individualiteti i poetit”. Ai është autor i disa studimeve ndër të cilat, “Monografi mbi poetikën e fjalës së Lasgushit” (The myths of Lasgush), libër i cili u shkrua dhe u botua në anglisht në vitin 2004 në Angli nga shtëpia botuese Upfront publishing. Po ashtu ai është autor i studimit; “Migjeni ose parathënia e dyzuar”, dhe më këtë libër fitoi çmimin kombëtar “Faik Konica”. Prej vitit 1992, autori vazhdon të jetojë në Athinë, dhe punon në Institutin “City andGulids”, të Londrës në kampusin e Athinës.


Blini online librin që dëshironi duke klikuar në www.librarialbas.al


(Portali Shkollor)

2,546 Lexime
7 vjet më parë