Ju jeni vërtet të arsimuar!
Sot ju do të filloni të aplikoni për vazhdimin e studimeve të larta. Për fat të keq, ju, si edhe unë, do të ngeleni gjithmonë skllevër të këtyre të parëve, pavarësisht se JU JENI VERTET TË ARSIMUAR!
Ardi Stefa
Të dashur nxënësit e mi!
Sot ju do të filloni të aplikoni për vazhdimin e studimeve të larta. Sot do të doja të isha optimist, tek ju shoh me diplomat në duar dhe ëndrrat në sy. Do të doja të isha optimist si ju, por sot pyes veten nëse do të ngulmoni në optimizmin që keni edhe pas diplomimit, kur do të përballoheni me rroga të ulëta, me respektin e munguar (siç përballemi ne mësuesit), me poshtërimin, me të cilin përballen intelektualët jo kriminelë, me njerëz ashiqare të painteresuar, me shantazhet nga çdo anë, me përçmimin.
Analfabetë apo gjysëm- analfabetë të vërtetë, që sot thjesht e përcaktojnë veten si menaxherë, drejtues apo drejtuese emisionesh që, edhe pse injorantë, thonë se janë gazetarë dhe këngëtarë të tipit turbo- folk që vetëpërfytyrohen artistë, pa folur pastaj për, me radhë, drejtorët e artit, konsulentë financiarë, projektues produkti, administratorë zyrash e biznesesh. Pas emrave të zhurmshëm të këtyre profesioneve, fshihen shpesh mashtrues, të cilët, të paaftë për t’i qëndruar pas kohës që kërkon formësimi arsimor, mendojnë se vlerësimi mund të fitohet me shpejtësi, duke ndërruar zanatet si të ishin çorape të pista.
Do të doja t’ju thoja (ashtu si profesoresha Rajna Dragisheviç, që parafrazoj), të jeni krenarë, për orët e vitet e shumta të studimit me këmbëngulje dhe zell, me vetëpërmbajtje, duke punuar ditë e natë, duke sakrifikuar shumëçka.
Do të doja t’ju thoja që të mos lejoni që titullarët e shumtë të restoranteve, ndërmarrjeve, avionëve privatë, shtëpive luksoze, njerëzve arrogantë, mburravecë dhe vetëpërcaktues t’ju japin, ata juve, leksione mbi suksesin.
Do të doja t’jua thoja këtë gjë, sepse ju jeni VËRTET TË ARSIMUAR, ndërsa ata pronarë metrash katrorë. Janë ata që përpiqen të zhvlerësojnë punën tuaj.
Do të doja t’ju thoja që të mos harroni që ju jeni rojtarët e dinjitetit të profesionit tuaj.
Do të doja t’ju thoja që diplomat merren me shumë mund dhe duhet të shpenzosh po aq lodhje duke e vazhduar të investosh në dijen mbi të cilën diploma rri këmbëkryq.
Do të doja t’ju thoja që të jepni llogari për sjelljen tuaj edhe jashtë shkollës, ta pasqyroni në mënyrën sesi visheni, si raportoheni me kolegë, studentë dhe prindër.
Nëse ndjeni turp përpara vetë syve tuaj, do të ndjeni përçmim edhe në vështrimin e të tjerëve. Do të doja t’ju thosha të jini krenarë dhe me bindje në rolin tuaj, të vendosur që të studioni përjetë sepse ju jeni VËRTET TË ARSIMUAR.
Do të doja t’ju thoja të doni njerëzit rreth e qark jush, të nxirrni jashtë çdo gjë fisnike që ata kyçin përbrenda, edhe kur s’janë të ndërgjegjshëm, nëse ja kanë fshehur qoftë edhe vetes së tyre. T’ju ngrini lart nivelin e vetëvlerësimit.
Por nuk ua them dot më...
Do të doja t’ju thoja që të doni atdheun.
Dhe gjithmonë ua kam thënë këtë.
U kam thënë që të refuzoni të dorëzoheni, të qëndroni në Atdhe e të mos emigroni.
Sot ju këshilloj që të emigroni sa më parë. Arritjet e mira në studim quhen lejekalimi i përsosur për të ikur.
Deri dje ju thoja që pikërisht JUVE mund ta ndihmoni sëmundjen e atdheut, në mënyrë që ky i fundit të mund të kthehet në një vend të jetueshëm. Deri dje nuk ju lejoja të ikni, as që ta braktisnit vendin në duart e njerëzve jo të denjë.
Por sot e shikoj që atdheu ynë nuk kurohet dot...
Të dashur nxënësit e mi!
Deri dje ju thoja që përpjekja kryesore e jetës suaj është beteja kundër batakut në të cilin po katandisemi. Ju propozoja kuptimin e përgjegjësisë civile, në mënyrë që të bindeshit se askush tjetër, veç jush, s’mund ta pastrojë këtë vend. Deri dje shpresoja të më dëgjonit sepse JU JENI VËRTET TË ARSIMUAR
Ju dini ta bëni dallimin në mënyrë të pagabueshme. Ju këshilloja të mos e përfillnit përgatitjen e pakët të disa bashkënxënësve tuaj, faktin që bëjnë hiçmosgjë dhe që përfitojnë po prapë. Ju këshilloja të mos e përfillnit kalbësirën rreth jush dhe mos dorëzoheshit. Besoja dhe uroja që përgatitja juaj do të ishin një oaz në shkretëtirë, një pikë dritë në errësirë, një kokrrizë mirëkuptimi mes kësaj marrëzie.
Bash këtu qëndron dallimi mes jush dhe gjithë atyre menaxherë, konsulentë, koordinatorë, administratorë, pronarë të pasur ndërmarrjesh dhe të tjerë shitës mjegullash. Në duart e tyre janë projektet, ndërmarrjet, avionë e kamionë, në tuajat duhet të ishte e ardhmja e vendit. Për fat të keq, ju, si edhe unë, do të ngeleni gjithmonë skllevër të këtyre të parëve, pavarësisht se JU JENI VERTET TË ARSIMUAR!
Dhe sot u them të kundërtën e të gjitha atyre që u thosha deri dje!
Ju them të ikni sa më parë...
Ju përshëndes e u uroj fat nxënësit e mi të mirë!
Dhe ju dua...
(Ardi Stefa; Portali Shkollor)
Ese: Mjedisi dhe njeriu
Letër falenderuese mësuesit
Urim për nxënësit e mi!