Intervistë

Intervistë me shkrimtarin Virion Graçi për romanin “Shtatë dritaret”

Shkrimtari Virion Graçi flet për romanin e tij më të ri, “Shtatë dritaret”, duke diskutuar ndikimin e përvojave personale në krijimtarinë e tij. Ai trajton tema të kujtesës, identitetit dhe shoqërisë, duke ofruar një mesazh për të rinjtë për rëndësinë e sinqeritetit dhe lidhjeve të vërteta.

Në këtë intervistë, shkrimtari Virion Graçi flet për romanin e tij më të ri, “Shtatë dritaret”, një vepër që trajton themele të thella të kujtesës, identitetit dhe shoqërisë. Ai shpjegon procesin e krijimit të romanit dhe lidhjen e ngushtë mes përvojave personale dhe tematikave më të gjera që shpalosin pasqyrën e jetës njerëzore. Graçi gjithashtu diskuton mbi rëndësinë e sinqeritetit dhe vlerave familjare, duke ofruar një mesazh për të rinjtë, që përballen me sfida të ngjashme në kërkimin e identitetit dhe kuptimit të botës që i rrethon.



Intervistoi Nanila Allkja Biçaku 


Zoti Graçi, në radhë të parë urimet për botimin më të ri tuajin, romanin “Shtatë dritaret”. Këtë intervistë dua ta nis me një gjë që më ka bërë përshtypje. Koha e shkrimit të romanit, ka qenë shumë e shkurtër, janar-shkurt 2024. Pse kjo zgjedhje?


Me sa kam numëruar këto ditë, ky është romani im i dymbëdhjetë i botuar dhe mund të them se secili roman kohën e shkrimit të parë e ka pasur afërsisht një muaj. Kuptohet, janë fabula dhe lëndë jetsore që i kam mbajtur në mend prej shumë kohësh; nis t’i shkruaj kur gjej zgjidhjen konceptuale/kompozicionale që është ‘formula’ me të cilën organizoj lëndën, ndërtoj narracionin, këndshikimet, përcaktoj makrostrukturën dhe mikrostrukturat. Është si një tabelë e madhe shahu ku vendos me imagjinatë ‘ushtarët’ e mi. E thënë ndryshe, ulem të shkruaj pa ndërprerje dhe me intensitet disa javë kur e ndërtoj në mendje mekanizmin magjik që jetën bruto ma shndërron në realitet artistik. Për po kaq kohë, 7-8 javë, ndoshta dhe më pak, kam shkruar romane më të gjatë se ky. Por, mos të harrojmë muaj e vite duke menduar pa shkruar asnjë gërmë sikurse dhe periudhën e gjatë kur rri dhe e shikoj e ndërmend atë që kam bërë sikurse një piktor vëzhgon me rreptësi një tablo të tij për të hetuar mungesat, teprimet, pjesët e zbehta.



Kur futemi në brendësi të librit, ju aty keni përdorur eufomizmin: shtatë penxheret për kalanë e Gjirokastrës? 


Burgu mesjetar i kalasë së Gjirokastrës ishte bërë sinonim i i ndëshkimit në përgjithësi. Si burg ka qenë funksional edhe në dhjetëvjecarin e parë të regjimit komunist, por në ligjërimin popullor ka mbetur ende si kërcënim të afërmish kur bëje faje: do të përfundosh te shtatë penxheret. Në rastin tim kjo shprehje e pedagogjisë së ashpër ka një ngarkesë më të madhe. Gjyshi im nga nëna, kalvarin e burgjeve komuniste e ka nisur pikërsisht në “shtatë penxheret” e kalasë së Gjirokastrës.


Gjatë thurjes së romanit, duke hetuar të afërmit e mi si qenie shoqërore, jo vetëm si pararendës biologjikë, kuptova se njerëzit, edhe kur lënë pas shpine mesjetën, burgjet e kalave, diktaturat, përherë janë qenie të kufizuara, të brishta, të kushtëzuara nga rrethana të forta, të jashtme; ekzistenca njerëzore, në forma më të qytetëruara, në fomra më të rafinuara, jeton në burgje pa mure, pa pranga, në burgje të padukshme të cilat unë i kam quajtur metaforikisht shtatë dritaret.



Cila është pika kyçe e romanit tuaj?

Nuk mund të nënvizoj një kulm a një kthesë të romanit. Besoj se në prozën moderne dhe në vepra cilësore të cdo epoke nuk ka një rend të ngulitur: ekspozicion, pikë kulmore, zgjidhje e konfliktit, sic ka me tepri në vepra të dobëta, skematike. Në fakt, në veprat e arrira, ekspozicioni i personazheve, shpërfaqja e thelbit të tyre mund të ndodhë në fund dhe nga funde të tillë të paparashikueshëm nis te lexuesi rimendimi i romanit, rivlerësimi i asaj që të është bërë e ditur e njohur sipërfaqësisht më parë. Si pikë kulmore për mua si njeri, si përvojë jetësore ka qenë fakti shkollor: im bir, kur ishte në shkollën 9 vjecare, si detyrë klase në orën e anglishtes, pa më pyetur mua më parë për pararendësisht tanë, kishte plotësuar pemën tonë familjare në katër breza, habi e mrekulli për mua si prind, kurse si shkrimtar më bëri me faj: duhej dhe unë të flisja për gjyshërit e mi që ikën nga kjo botë pa lënë pas gjurmë zyrtare, kornika, fotografi, trofe lufte.



Romani gjithashtu trajton kujtesën emocionale të fëmijërisë, humbjen e babait dhe udhëkryqin e të tashmes. Si mendoni se ndikojnë këto elemente të jetës personale në mënyrën sesi ju si shkrimtar trajtoni tematikat më të gjera të shoqërisë shqiptare, si liria dhe dinjiteti?


Vdekja e babait ka qenë një përpëlitje disa vjeçare. Symbyllja krijoi mundësinë të mblidheshim të gjithë dhe aty lexova shumë histori dramatike që kishin kaluar të pranishmit: nuk ishim të vetmit që ishim shënuar nga një fat tragjik, nuk kishte njerëz pa plagë të mëdha shpirtërore nga humbje të parakohshme jetësh e zhgënjime të përmasave drakonike. Aty mësova prej tyre bukurinë e burrërisë, të durimit, të mosqaravitjes, stoicizmin, nëse mund ta përdorim edhe këtë fjalë. Ka qenë një moment edukimi dhe ndërgjegjësimi njëkohësisht: jeta është më tronditëse dhe më e bukur njëkohësisht se cdo sajesë letraro-artistike.


Për fëmijërinë do të perifrazoja dy shprehje shkrimtarësh të mëdhej: ‘unë përherë e ngatërroj fëmijërinë me parajsën’ dhe ‘pas moshës 9 vjeçare nuk më ka ndodhur ndonjë gjë e rëndësishme.’

Tematika e romaneve të mi ka ndjekur spontanisht ndjeshmëritë e mia si njëri nga njerëzit e kohës sime me ëndrra, me kujtime, me plane për të ardhmen, por edhe me parime të qarta morale humane, mbrojtja e zbatimi i të cilave më ka lënduar dhe përmirësuar, njëkohësisht. 



Cili është mesazhi që dëshironi të kaloni përmes ngjarjeve dhe personazheve në "Shtatë dritaret", veçanërisht për lexuesit e rinj që mund të përballen me sfida të ngjashme të identitetit dhe të kaluarës?


Autorëve të rinj ju këshilloj të bëhen zëdhënësa të qenies së tyre, të bëhen ciceronë të asaj bote që kanë parë e jetuar intensivisht, të bëhen eksploratorë të maktheve a casteve të tyre ngazëllyese që përjetojnë hap pas hapi; duhet ta dinë se jetë e humbur është vetëm jeta që nuk rrëfehet e nëse rrëfen ndershëm, sinqerisht e spontanisht, nuk të duhen truke, artifice, receta, parafabrikate. ‘Duke shkruar, ka shkruar diku A.Kamy, ne zbulojmë disa të vërteta dhe marrim menjëherë pamjen e tyre.” Kurse lexuesve të rinj do tu lutesha të besonin më shumë te familja e vogël biologjike se sa te familjet e mëdha të rjeteve sociale, te ortakëritë mëditëse, te lidhjet e përkohëshme pragamatike.



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

900 Lexime
1 muaj më parë