Vlerësimi

Ilustruesja Semela Mero, pjesë e katalogut "Honour list 2022" nga iBbY në Panairin e Librit në Frankfurt

Semela Mero është ilustruesja shqiptare e cila është përfshirë në Listën e Nderit në iBbY (Internacional Board on books for Young people).Kjo listë është një përzgjedhje dyvjeçare e librave të shquar, të botuara së fundmi për fëmijë, duke nderuar shkrimtarë, ilustrues dhe përkthyes nga vendet anëtare të IBBY.

Ilustrimet e saj jashtë shkollave skematike, tashmë kanë krijuar një imazh të ri, krejtësisht të veçantë, i cili ra jo pak në sy gjatë Panairit të Librit në Frankfurt të këtij viti. Semela Mero është përfshirë në katalogun "Honour list 2022" nga iBbY (Internacional Board on books for Young people), duke u renditur kështu si ilustruesja shqiptare e cila nderohet për punët e arrira në këtë drejtim, dhe më konkretisht për ilustrimet e librit për fëmijë “Nikola Tesla”. Ky libër, botim i Albas-it, i përket serisë "Më quajnë...." dhe është bashkëpunim me autorin Latif Ajrullai. Tashmë libri paraqitet në katalogun e Frankfurt Book Fair.




Diçka për librit “Më quajnë Nikola Tesla” dhe ilustruesen e tij, Semela Mero



Libri “Më quajnë Nikola Tesla” tashmë është pjesë e serive bibliografike për fëmijë, ku kuptohet që të vegjlit njihen me personazhin duke lexuar për të në veten e parë.  Libri është një biografi e jetës dhe idealit të Nikola Teslës, për gjithë kohët dhe arritjet e tij. 

Foto e shkëputur nga "Honour list 2022" nga iBbY 


Nicola Tesla lindi në Serbi më 1856 por u rrit në Austri dhe në vitin 1884 emigroi në SHBA. Ai që i vogël shfaqi interes për elektricitetin. Shumë nga shpikjet e tij nuk u kuptuan dhe nuk u mirëpriten për kohën. 

Faqe nga libri "Më quajnë Nikola Tesla", ilustruar nga Semela Mero



Nikola Tesla nuk u mjaftua vetëm me shpikjet e sistemit të rrymës alternative, i cili ndryshoi mënyrën e jetesës në botë, por edhe shpikje të tjera, si: drita fluoroshente, llamba me gaz neon, komunikimet valore, sistemet valore të transmetimit të energjisë, rrezet lazer, telekomandat, shpikjet e para në robotikë etj. Gjatë gjithë jetës, ai regjistroi rreth 300 patenta shpikjesh në të gjithë botën dhe hodhi idetë e para për përdorimin e energjisë diellore dhe asaj detare. Shpikjet e tij kanë edhe sot një ndikim të jashtëzakonshëm në njerëzim.

Faqe nga libri "Më quajnë Nikola Tesla", ilustruar nga Semela Mero




Semela Mero lindi në Tiranë në vitin 1988. Ajo u diplomua për marketing në Universitetin e Tiranës dhe studioi në Akademinë IED në Romë. Ajo ka punuar për më shumë se dhjetë vjet si një ilustruese (dizenjuese)dhe së fundmi edhe si Drejtore Arti në shtypshkronjë.

Semela Mero

Ajo ka ilustruar rreth 10 libra për fëmijë dhe me qindra kopertina botimesh. Një nga librat e saj, nga seria “Më quajnë...”, për Musine Kokalarin (shkruar nga Persida Asllani) ka marrë çmimin “Libri më i mirë për fëmijë” në Panairin e Librit Tirana 2017. Në të njëjtën seri, Semela Mero ka ilustruar edhe librin “Më quajnë Thomas Edison”. Librat e saj të tjerë për fëmijë përfshijnë “Mini guida e Tiranës” nga Blendi Fevziu dhe “Gjyshi në kornizë” nga Ermir Nika. Ndërkohë punëve të ilustrimeve të saj do i shtohen së shpejti edhe librat për figurat e tjera të shquara si Xhanfise Keko, Vaçe Zela etj.




Panairi i Librit në Frankfurt dhe katalogu "Honour list 2022" nga iBbY


Në fakt "Honour list 2022" nga iBbY është një përzgjedhje dyvjeçare e librave të shquar, të botuara së fundmi për fëmijë, duke nderuar shkrimtarë, ilustrues dhe përkthyes nga vendet anëtare të IBBY.


Panairi i Librit në Frankfurt është panairi më i madh tregtar në botë për libra, bazuar në numrin e kompanive botuese të përfaqësuara, dhe numrin e vizitorëve. Konsiderohet të jetë panairi më i rëndësishëm i librit në botë edhe për marrëveshje dhe tregti ndërkombëtare. Ngjarja vjetore pesë-ditore në mes të tetorit mbahet në Qendrën e Panaireve Tregtare në Frankfurt mbi Majn, Gjermani. Botuesit nga Shqipëria në këtë panair kanë filluar të paraqiten që nga viti 1995 ndërsa botuesit nga Kosova që nga viti 1999. Edhe këtë vit Shtëpia Botuese Albas ishte pjesë e këtij panairi të sukeseshshëm me botime nga më të ndryshmet të cilat u parapëlqyen sidomos nga familjet shqiptare që punojnë dhe jetojnë në Gjermani. 




Përgatiti Nanila Allkja Biçaku 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,598 Lexime
2 vjet më parë