Humanizmi

Heronjtë e Lëpushës, mësuesja dhe ish-nxënësi çajnë borën për 4 nxënësit e shkollës: Do bëjmë të pamundurën

Një gjest vertetë heroik është ai që ka bërë mësuesja Marije Leçaj Pllumaj dhe banori i zonës së Lëpushës, njëherazi dhe ish-nxënës, Valerjan Çekaj. Sot të gjithë po flasin për ta. Të dy çajnë borën që katër nxënësit e mbetur në atë zonë të bëjnë mësim çdo ditë.

Mësuesja e Gjuhë-Letërsisë, Marije Leçaj Pllumaj dhe banori i zonës së Lëpushës, njëherazi dhe ish-nxënës, Valerjan Çekaj, mund të konsiderohen pa frikë heronj. Ata të dy çajnë borën që katër nxënësit e mbetur të bëjnë mësim çdo ditë.


Në një lidhje me Skype për një media kombëtare, mësuesja ka treguar se nuk do të heq dorë nga vështirësitë për të dhënë dije, ndërsa Valerjani ndihmon fëmijët vullnetarisht me traktor për të kaluar, pavarësisht se nuk është mjeti i duhur.


“Tani ka vetëm 4 nxënës, gjithmonë numri është drejt rënies. Nxënësi më i afërt e ka mbi gjysmë ore larg shkollën, ndërsa të tjetër 6 km e sipër. Përveç prindërve, në ndihmë i ka ardhur edhe Valeriani. Unë bëj mësim çdo ditë. Unë kam automjetin tim dhe lëviz me të, kur është rruga normale. Por zakonisht rruga është e zënë krejt nga pjesa e asfaltit te shkolla. Unë kam dhënë mësim dhe javën e kaluar që ka qenë më shumë ngricë, me rregullsinë më të madh. Nxënësit shkojnë mirë me mësime, të katërt nxënësit janë me mesatare mbi 8. Kam 42 vite në arsim dhe kam punuar me shumë pasion, sepse fëmijët i kam si fëmijët e mi. Por mosha bën të vetën dhe nuk e di se si do të bëhet për pak dal në pension. Megjithatë, e kam shumë të vështirë të shkëputem nga nxënësit”, tha mësuesja.



“Duhet të bëjmë të pamundurën për t’i dhënë shkollën këtyre katër fëmijë. E vështirë është sepse mjeti nuk është për borë, por duhet të mundohemi për këta katër fëmijë. Asnjë mjet tjetër nuk lëviz këtu. Me thënë të drejtën, rinia e këtij vendi kanë ikur në emigracion. Por Lëpusha nuk është një vend për të ikur të gjithë se bëhet një shkretëtirë”, u shpreh Valerjani.



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

1,367 Lexime
1 vit më parë