AKTUALITET

Hapet thirrja për 200 drejtues shkolle, Manastirliu: Forcojmë rolin e drejtuesve për përmirësimin e cilësisë në arsim

Ministrja shpalli thirrjen për konkurrim për 73 pozicione në DRAP Durrës, 40 në DRAP Fier, 55 DRAP Korçë dhe 32 në DRAP Lezhë për drejtues shkolle dhe siguroi se procesi do të jetë transparent dhe meritokratik dhe do të ndiqet me shumë kujdes dhe vëmendje nga MAS dhe DPAP.

Ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Ogerta Manastirliu zhvilloi një takim me drejtues të drejtorive arsimore në rrethe si dhe mësues, ku shpalli thirrjen për konkurrim për 200 pozicione për drejtues shkolle. 

 

“Ky vit për Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve do të jetë viti i proceseve transformuese në sistemin arsimor, duke filluar nga arsimi parashkollor tek ai parauniversitar dhe arsimi i lartë. Synimi ynë është rritja e cilësisë në arsim për të gjitha nivelet e edukimit. Në takimet që unë kam pasur gjatë dialogut “Te flasim për arsimin” me mësues, nxënës dhe prindër, ka dalë qartësisht nevoja për të rritur rolin e mësuesve në proceset vendimmarrëse të shkollës, por edhe të drejtuesve të shkollës, të cilët duhet të përmirësojnë aftësitë e tyre drejtuese dhe menaxhuese në funksion të gjithëpërfshirjes dhe në funksion të vendimmarrjeve të përbashkëta, duke përfshirë akoma më shumë mësuesit në proceset vendimmarrëse”, tha Manastirliu.

 


Sipas Ministres, formimi profesional dhe mbështetja e drejtuesve të shkollave është një investim në qelizën bazë të arsimit dhe ka një rëndësi thelbësore për të gjithë ecurinë e proceseve mësimore dhe mënyrën se si shkolla udhëhiqet dhe menaxhohet.


Duke vënë theksin në rëndësinë dhe rolin që ka drejtuesi i shkollës në përmirësimin e cilësisë së arsimit,  Ministrja shpalli  thirrjen për konkurrim për 73 pozicione në DRAP Durrës, 40 në DRAP Fier, 55 DRAP Korçë dhe 32 në DRAP Lezhë për drejtues shkolle dhe siguroi se procesi do të jetë transparent dhe meritokratik dhe do të ndiqet me shumë kujdes dhe vëmendje nga Ministria e Arsimit dhe Sporteve (MAS) dhe Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar (DPAP).

 




“Sot, shpallim 200 vende vakante, pra për 200 pozicione të reja për drejtues shkolle, në shkollat 9-vjeçare dhe ato të mesme, në katër drejtoritë arsimore rajonale. Pozicionet të cilat shpallen sot,  janë pozicione për të cilat ftohen të gjithë mësuesit, aspirantët, drejtuesit, të cilët duan që ta çojnë shkollën në një nivel të ri, për nga pikëpamja e arritjeve, për nga pikëpamja e rezultateve dhe performancës shkollore, dhe që padyshim plotësojnë kriteret e përcaktuara në udhëzimet përkatëse që do të munden t’i aksesojnë në faqen zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar dhe në faqen e Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, ku dhe mund të aplikojnë. Aplikimi do të ndiqet me shumë kujdes nga MAS dhe strukturat e saj,  për të pasur një proces të hapur, transparent, një proces meritokratik,  në mënyre që në krye të 200 institucioneve tona arsimore të vihen mësuesit, drejtuesit më të mirë, menaxherët më të mirë, për të çuar përpara shkollën, për të çuar përpara rezultatet e mira dhe për ta ngritur në një nivel të ri, administrimin dhe  menaxhimin e shkollave tonë. Sigurisht kjo do të të jetë vetëm një fazë e parë e procesit, pasi menjëherë pas përfundimit të fazës së parë, pra të plotësimit të 200 vendeve drejtuese të shkollës, do të vijohet me fazat e tjera; të dytë dhe të tretë, për plotësimin e pozicioneve të reja, të cilat do të shpallen nga MAS dhe DPAP në funksion të plotësimit të gjithë shkollave me drejtues, të cilët do të jenë, drejtues të përhershëm dhe jo të përkohshëm.”




Kaltra Tafani 

©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

1,421 Lexime
11 muaj më parë