Fushata "Studio në Shqipëri", Manastirliu me maturantët: Zgjidhni ofertën akademike të universiteteve tona
Ministria e Arsimit dhe Sportit, në bashkëpunim me universitetet shqiptare, ka nisur fushatën "Studio në Shqipëri" për të informuar maturantët mbi ofertën akademike të universiteteve shqiptare. Kjo nismë synon të promovojë avantazhet e studimit në vend, duke njohur maturantët me programet e reja të studimit.
“Synojmë zgjimin e interesit për lëndët e mësuesisë dhe degët e kërkuara nga tregu i punës”
Ministria e Arsimit dhe Sportit, në bashkëpunim me universitetet shqiptare, ka nisur fushatën "Studio në Shqipëri" për të informuar maturantët mbi ofertën akademike të universiteteve shqiptare. Kjo nismë synon të promovojë avantazhet e studimit në vend, duke njohur maturantët me programet e reja të studimit, partneritetet që universitetet tona kanë me institucione prestigjioze europiane, programet e studimit me diploma dyfishe dhe programet në gjuhë të huaj.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, prezantoi ofertën akademike shqiptare në një takim me maturantët, të zhvilluar në mjediset e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Në këtë takim, Manastirliu theksoi rëndësinë e kësaj fushate për të informuar dhe ftuar maturantët të zgjedhin degët më të kërkuara nga tregu i punës dhe me perspektivë për të ardhmen. Manastirliu vuri theksin te përpjekjet e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për të diversifikuar ofertën akademike në bashkëpunim të ngushtë me universitetet shqiptare.
“Në kuadër të fushatës "Studio në Shqipëri", jemi bashkë në këtë takim të parë me një pjesë të maturantëve të gjimnazeve, maturantë të cilët kanë patur rezultate vërtet mbresëlënëse në përfundim edhe të maturës shtetërore, për t’ju informuar, por nga ana tjetër edhe për t’iu ftuar në këtë fushatë të promovimit të degëve të cilat janë më të kërkuarat në vend, por që janë edhe degët e të ardhmes. Ministria e Arsimit dhe Sportit në partneritet të ngushtë me universitetet po bën të mundur diversifikimin e ofertës akademike, zgjerimin e programeve të cilat janë në partneritet me universitetet prestigjioze europiane, për të rritur numrin e diplomave të përbashkëta dhe diplomave të dyfishta.”, tha Manastirliu.
Gjatë takimit, Ministrja informoi maturantët për programet e reja të studimit të cilat janë dhe oferta e re akademike për vitin 2024-2025. “Janë me dhjetëra programet e reja të studimit që ne kemi miratuar si MAS për vitin e ri akademik 2024-2025. Ka mbi 960 programe, të dy cikleve që ofrohen në universitetet tona,” tha ajo, duke theksuar se shumë prej këtyre programeve janë në partneritet me universitetet e njohura europiane.
Ministrja gjithashtu përmendi përfitimet e zgjedhjes së një universiteti publik në Shqipëri, duke përfshirë bursa për studentët ekselentë dhe ata me vështirësi sociale dhe ekonomike. “Unë besoj se zgjedhja e një universiteti publik, të studiuarit në Shqipëri patjetër që krijon një perspektivë të re te ju. E para për të gjithë programet incentivizuese që ne kemi për të gjithë studentët. Janë rreth 50 mijë studentë që mbështeten nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe qeveria shqiptare me bursa. Bursa për studentët ekselentë, bursa për studentët me vështirësi sociale dhe ekonomike, mbështetje dhe reduktim me tarifa zero në varësi të kushteve sociale. Nga ana tjetër, për programet që ne i konsiderojmë programe prioritare dhe që jemi duke punuar, edhe këtë vit do të kemi sërish studentë që do të mbështeten për programe prioritare dhe strategjike, të cilët mbështeten me bursa sa paga minimale.”
Një tjetër aspekt që Ministrja Manastirliu përmendi ishte rritja e interesit për programet e mësuesisë, falë rritjes së pagave për mësuesit.
“Unë besoj që do të ketë një interes në rritje këtë vit për programet e mësuesisë. Ju e dini që ne kemi patur dhe po bëjmë efektive duke filluar nga 1 korriku rritjen e pagave të mësuesve, që do të thotë se paga mesatare e mësuesit shkon në 950 euro dhe që sigurisht që kemi si synim të vijojmë mbështetjen për mësuesit. Por ajo që është e rëndësishme është pikërisht impakti që do të ketë rritja e pagave në interesin e maturantëve për të ndjekur degët e mësuesisë. Vlerësojmë se vit pas viti do të ndjehet edhe tek brezi i maturantëve që do duan dhe do dëshirojnë të studiojnë për mësuesi duke ditur tashmë që edhe pagat për mësuesinë janë paga dinjitoze”, përfundoi ajo.
Kjo fushatë synon të informojë maturantët mbi potencialin dhe mundësitë që kanë dhe ofrojnë programet e studimit në universitete shqiptare dhe t’i inkurajojë të rinjtë shqiptarë të zgjedhin të studiojnë në Shqipëri.
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Ceremonia e ndarjes së “Medaljeve të Arta” për 188 maturantë, Manastirliu: 80% e ekselentëve studiojnë në universitetet shqiptare
Dita e Diasporës, Manastirliu: Nis nga Janari programi “Mësues për Greqinë”, mbështetje financiare për mësuesit e diasporës
Pasurimi i bibliotekave shkollore, Manastirliu: Mbi 20 mijë libra për nxënësit në gjithë vendin