
Fiqiri Çifliku: PISA 2022, faktorët e përkeqësimit dhe rekomandimet për përmirësimin e arsimit në Shqipëri
Eksperti i arsimit, Fiqiri Çifliku, analizon rezultatet e PISA 2022 për Shqipërinë, duke theksuar faktorët që ndikuan në përkeqësimin e aftësive të nxënësve. Ai sugjeron përmirësime në cilësinë e mësimdhënies, vlerësimin e vazhdueshëm dhe angazhimin e prindërve për suksesin e nxënësve.
"Të kuptosh pyetjen është gjysma e përgjigjes”.
Mbi parimin e mësipërm, PISA ose Programi i Vlerësimit Ndërkombëtar të Nxënësve mat njohuritë dhe aftësitë e nxënësve 15-vjeçar në fushat e matematikës, shkencës dhe leximit. Prej vitit 2000, çdo tre vjet, zhvillohet testi ndërkombëtar me qëllim vlerësimin e politikave arsimore në vendet e OECD-së për të gjetur strategjitë e duhura për arritjen e rezultateve më të mira në edukimin dhe formimin e brezave. Rezultatet e PISA 2022 për Shqipërinë tregojnë një përkeqësim të aftësive të nxënësve. Sipas rezultateve Shqipëria u rendit në vendin e 62 nga 80 vende pjesëmarrëse. Krahasuar me PISA 2018, në matematikë pati një rënie prej 69 pikësh, në lexim me 47 pikë më pak dhe në shkencë diferenca në ulje ishte me 41 pikë.
Rezultatet e mësipërme janë ndikuar kryesisht nga mësimi online për shkak të COVID-19 dhe tërmeti i vitit 2019 që shkaktoi dëme të mëdha në infrastrukturën shkollore. Nuk mund të anashkalohen varfëria, mungesa e mbështetjes familjare, mungesa e investimeve të mjaftueshme në infrastrukturë, mungesa e materialeve mësimore dhe trajnimeve të duhura për mësuesit që kanë luajtur rol në rezultatet e nxënësve. Këtyre faktorëve mund t'u shtoja metodat dhe teknikat që ndiqen gjatë procesit mësimor, si dhe serioziteti që kanë treguar mësuesit dhe nxënësit gjatë zhvillimit të testit.
Rezultatet nuk duhen varur vetëm ditën e zhvillimit të testit, por tek përgatitja konstante si një proces i strukturuar, i organizuar dhe që kërkon qasje gjithëpërfshirëse, duke kombinuar njohuri teorike me aftësitë praktike dhe kritike. A është bërë sa duhet gjatë kësaj periudhe për të pasur sukses? A janë të mjaftueshëm vetëm simulimet e zhvilluara në shkolla me modele testesh sipas PISA? Sigurisht, nxënësit duhet të jenë të njohur me formatin e testit PISA, që përfshin pyetje me zgjedhje të shumëfishta dhe përgjigje të hapura. Kjo mund të jetë arritur përmes simulimeve të testeve dhe ushtrimeve praktike, të zhvilluara deri sot, por a mjafton? Si mund të përgatitim nxënësit për testet PISA në mënyrë më efikase për të pasur sukses? Praktika të ndryshme, përgatitja e nxënësve, konsolidimi i njohurive, angazhimi, si dhe pjesëmarrja aktive në mësim duhet të jenë kolonat ku duhet të mbështeten institucionet arsimore në punën e tyre të përditshme për të garantuar suksesin.
Në këtë kuptim, sistemi arsimor, duke filluar nga ai parashkollor, duhet të modelohet në mënyrë të tillë që:
- Nxënësit të zhvillojnë aftësi kritike dhe të zgjidhin probleme, duke përdorur njohuritë në situata reale, jo thjesht në përsëritjen e fakteve. Sistemi ynë arsimor e vuan shumë këtë mënyrë të mësimdhënies dhe vihet re në mënyrën se si sot ne vijojmë të vlerësojmë nxënësit për atë që ata kujtojnë, duke ripërsëritur njohuri dhe jo duke vepruar.
- Mësuesit nga ana e tyre duhet të krijojnë aktivitete që inkurajojnë nxënësit të mendojnë në mënyrë kritike, si dhe të zbatojnë njohuritë e tyre në mënyra krijuese, duke u përfshirë në projekte dhe na aktivitete të punës në grup. Në këtë mënyrë nxënësit do të jenë në gjendje të lidhin njohuritë nga fusha të ndryshme dhe t'i aplikojnë ato për zgjidhjen e problemeve reale.
- Të sigurosh që nxënësit të ndihen të motivuar për të mësuar dhe për të përmirësuar aftësitë e tyre është e rëndësishme, pasi qëndrimet pozitive ndaj mësimit janë thelbësore për suksesin. Kështu do të siguronim që nxënësit janë të angazhuar dhe mësuesi është aty kur ata të kërkojnë ndihmë. Për të qenë plotësisht të përgatitur për testin, shkollat duhet të sigurojnë.
- Organizimi i orëve shtesë për çdo lëndë, që të ndihmojë nxënësit të forcojnë njohuritë dhe aftësitë e tyre përpara testit. Sigurisht këto orë duhet të jenë pjesë e ngarkesës mësimore të mësuesve përkatës. Gjatë këtyre orëve mësuesit mund të përdorin udhëzues dhe materiale specifike për PISA, që ofrojnë shembuj detyrash dhe strategji mësimore. Gjithashtu mund të praktikohen teste të mëparshme për të kuptuar më mirë formatin, si dhe për të përmirësuar aftësitë e nxënësve në menaxhimin e kohës. PISA zhvillohet me kompjuter, kështu që është e rëndësishme që nxënësit të jenë të familjarizuar me përdorimin e kompjuterëve për testim.
Ndërkohë MAS duhet të angazhojë ekspertët e fushës për të rimodeluar mënyrën e vlerësimit të vazhdueshëm të nxënësve. Vlerësimi duhet të ndihmojë në identifikimin e fushave që kanë nevojë për mbështetje shtesë. Nga ana tjetër, pa përfshirjen e prindërve, rezultatet do të jenë të kufizuara. Ata mund të luajnë një rol aktiv duke inkurajuar dhe mbështetur fëmijët të angazhohen në procesin mësimor.
Suksesi i nxënësve shqiptarë në testet ndërkombëtare si PISA, është një synim i rëndësishëm për sistemin tonë arsimor, por nuk duhet të kthehet në barrë dhe sforco mbinjerëzore. Për të arritur rezultate të mira, është e nevojshme të përmirësohet cilësia e mësimdhënies, të investohet në trajnimin e mësuesve dhe të inkurajohet një qasje më praktike dhe kritike ndaj të nxënit.
Shpresojmë që me përpjekje të përbashkëta dhe fokus të qëndrueshëm, nxënësit shqiptarë të arrijnë suksese të merituara dhe të vërteta në PISA 2025, duke reflektuar potencialin e tyre dhe përmirësimin e sistemit arsimor.
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Test për mësuesit, 100 pyetje dhe përgjigje ndihmëse për provimin e kualifikimit
Elementët kryesorë të projektit kurrikular për kualifikimin e mësuesve
Portofoli i praktikës profesionale, profili Gjuhë shqipe dhe Letërsi