KONKURSI

Festivali Rinor Letrar, Antigoni Jani fiton çmimin e parë në prozë

Në Festivalin Letrar të organizuar nga Këshilli Kombëtar Rinor, çmimin e parë në zhanrin prozë e ka fituar gjimnazistja nga Lushnja, Antigoni Jani. Me pjesë nga libri i saj i botuar "Ajo që nuk u shua kurrë", e reja triumfoi mes gjithë konkurrentëve.

Shërbimi Kombëtar për Rininë, që është një institucion shtetëror në varësi të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë organizoi një konkurs kombëtar në Tiranë për krijuesit më të mirë të poezisë dhe të prozësAntigoni Jani fitoi çmimin e parë në zhanrin e të shkruarit prozë. Ajo studion në shkollën e mesme "18 Tetori" në Lushnjë, ndërsa në konkurs u paraqit duke dërguar pjesë nga libri i saj i botuar "Ajo që nuk u shua kurrë”. Në Festivalin Letrar të organizuar nga Këshilli Kombëtar Rinor morën pjesë mbi 400 vetë, mes të cilëve ishin gjithë letrarët e rinj, që janë pjesë e Antologjisë. 

Më poshtë gjeni një pjesë të materialit me të cilin fituesja e prozës, Antigoni Jani, ka marrë në këtë konkurs. 


Libri : “Ajo që nuk u shua kurrë”.

Autore: Antigoni Jani

Shkolla: “18 Tetori” Lushnjë


Prologu

Ditë pa shpresë. Netë pa asnjë ëndërr. Vetëm zhgënjime. E vetme dhe e zhytur në mendime. Mendime që më fundosën thellë në llumin e dëshpërimit...në baltën e vuajtjes. Buzëqesh dhe kujtohu, se ti nuk zotëron problemet e gjithë botës. Ti duhet t’ia dalësh mbanë dhe e di këtë Nëse dikush bën monstrën, kujtohu se bukuria e një personi nuk është ajo se si vishet, çfarë statusi ka në shoqëri, apo pasuria e tij. Jo!

Bukuria e një personi është pikërisht shpirti i tij, dëlirësia, sinqeriteti dhe dashuria. Ti je e rëndësishme, e bukur, me vlerë…A mjafton kjo? Duhet të kuptosh, se një urë nuk shembet, nëse njëri prej gurëve është i shtrembër. Një lis nuk lëkundet nëse furtuna i rrëzon një gjethe…një degëz, qoftë edhe e njomë.

Ti je unike! Duhet ta pranosh këtë, pavarësisht se çfarë thonë e mendojnë të tjerët. Je ti ajo që vendos. Dhe, nëse shpirti të është lodhur, ka qarë, apo të ka mbytur vetmia, atëherë…bërtit! Bërtit fort! Ulërij! Qaj! Thyej…! Sepse, në fund të fundit, ti do kuptosh që je akoma njeri...Do ta kuptosh, që ti je, frymon, ekziston.


(Pjesë të shkëputura nga libri)


Jeta është shumë e shkurtër. Megjithatë ajo është kaq e komplikuar, kaq e pazbuluar, saqë labirinteve te saj shkenca ende synon dritësimin e të pa panjohurave. Por jeta është një pus i çudirave të brendshme të vetvetes…Shpeshherë fatkeqësitë e mëdha të jetës ne thjesht i përballojmë me trimëri dhe kuptojmë se jemi duke bërë gjënë e duhur. Duhet t’i lemë në fund gjërat e vogla të cilat as që na hyjnë në xhep. Kjo ishte një tjetër gjë që duhet ta vinim në mendje. Në tatëpjetën e jetës sonë ne luftojmë fortë për t’u kapur pas asaj që nuk shuhet kurrë. Shpresës. 

Me ëndrrat ne supet e mia te brishta, ngjitur si një shoqe të pandashme kam edhe shpresën. Me shpresën bashkë edhe me ëndrrat, çdo gjë është e mundur. Unë besoja tek ëndrrat. Kam kaq shumë ëndrra, të cilat, më mbushin me shpresa dhe më bëjnë të lumtur. Jemi, një mrekulli e veçantë e natyrës. Për ëndrrat? Ëndërro, o njeri! Vazhdo dhe ec përpara edhe atje ku errësira mbizotëron, sepse pas fundit të çdo tuneli të errët, jashtë saj të pret diçka që ti nuk e mendon. Mund të ndryshojë rrjedhën e jetës tënde përfundimisht! Ëndërro! Sepse një ditë s’do kesh mundësi për ta bërë. Ëndërro! Sepse ëndrrat janë si shpresa dhe pasqyra e jetës. Ëndërro! Edhe kur të tjerët tentojnë të na i vrasin ëndrrat! Nëse ke fuqinë e duhur, mund t’i shpëtosh ato. Ëndërro, sepse në fund të ditës, kjo je ti. Ëndërro!

Por ata që na mbushin shumë me dashuri janë ndjesitë qe na i japin njerëzit që duam. Kjo është ndjesi që s’ka limit. Si dashuria, përkushtimi, lumturia. Aftësia për të dashur dhe për t’u dashur nga të tjerët. Ajo qe i jam më shumë mirënjohëse dhe e mbaj si xhevahirin tim më të shtrenjtë, është familja ime. Familja ime e shtrenjtë! E shtrenjtë dhe e shenjtë!

Duhet të qëndroja përherë pranë atyre gjërave që më bënin të lumtur. Dhe unë e di shume mirë se kush më bën të lumtur. Historinë e bej vet. Jam vet heroina e kësaj historie. Mos kërko te kurrkush atë që e ke vetë në dorë…atë që të orienton nga brenda vetes. S’mund të shpëtohemi nga “askush”, por çështja e vërtetë është se njeriu është qenia më e ndërlikuar dhe më e fortë në rruzullin tokësor. Një dorë e shtrirë për ndihmë, një dorë që të prek në sup, një fjalë e ngrohtë që motivon ekzistencën, brendësinë për të dalë fitimtar mbi gjithçka…duke dalë mbi emocione dhe boshësitë e panumërta të kësaj bote…

Dalja nga errësira në dritë…

Dhe unë…e pash më në fund dritën…


….E enjte…

(Atë ditë në ditar kisha shkruar këtë pasazh)


“Një ditë më tej, është si të thuash një shans i dytë. Për të riparuar gjithçka të shkuar e për të  tentuar ecjen pa u ndalur në synimin e jetës. Urrejtjen vetëm zemërgjerësia e kthen në dashuri. Dhe dashuria ka dhimbjen e saj. Dhimbja, kur vjen e pasur me gëzimin, mbetet vetëm në kujtesë. Një gëzim është një e qeshur. Pa errësirën nuk do shikonim kurrë shpirtin tonë të shndriste kaq fort. Shkëlqimi i rrezeve të brendësisë janë burimi i vlerave njerëzore. Falënderoj çdo forcë që më dha krah në kapërcimin e dhimbjes. Është dhimbja ajo që na mban gjallë. Enigma dhe vështirësia më e bukur e botës njerëzore. Emocionet mposhten dhe stresi venitet, kur arsyeja na bënë të jemi toleranca e njerëzimit. Pavarësisht se sa shumë të lënduar ndihemi, se sa shumë të braktisur në vetvete, ose e konsiderojmë veten të tillë, asnjëherë nuk duhet të braktisim vlerat tona, ajo që ne jemi në të vërtetë. Ne do jemi përherë mirë pas asaj errësire dhe dallgëve që na duhet të kapërcejmë.

Lumturia na jep krahë, por është dhimbja ajo që na mëson të fluturojmë…!”

-Fund-



(Portali Shkollor) 

2,528 Lexime
4 vjet më parë