Familja e dashurisë, “Preka”
“Kolegji Preka” është shndërruar në institucionin që nuk prodhonte vetëm studentë brilantë, por në një familje të madhe që edukonte të rinj që dinin edhe si të mësonin, edhe si të argëtoheshin në mjediset shkollore.
Strukur në një xhep të gjelbër të Korçës, aty ku një zile shkolle pajtohet në intimitet me zërat e mëngjesit, ngrihet faltorja, ku dëshirat tona u farkëtuan si krahë ëngjëjsh e nga ku ne u nisëm shtegëtimthi në jetë - KolegjiPreka. Rrezet e fundit të vjeshtës 1993 shtronin në tokë partiturat e gjetheve të florinjta, ndërsa brenda shkollës së mesme të përgjithshme, ku mësimi mbahej në anglisht, dirigjohej uvertura e së ardhmes më të sigurt për ne, 50 nxënës14-vjeçarë, si dhe për shumë nxënës të tjerë që do të vinin. Hapat tanë të ndrojtur rreshtuar në oborrin e pasëm të Kolegjit Preka, nën sytë e Madonnina-ës, tërhiqnin zemrat tona në klasat plot dëshira për t’u ndjekur e vullnet për t’i përmbushur. Dhe fërshërima e tyre ndihej deri në ëndërr. Ne ishim rekrutët e parë të një armate tashmë të madhe e të përbotshme. Ia besuam të ardhmen tonë vellezërve Preka dhe ata na e shpërblyen duke na e mirosur fatin me intelekt.
Atë shtator të ngrohtë, të vitit 1993, të gjithë e dinim që buzëqeshja diellore e Vincentit, Çarlit, Gaetanos dhe e të gjithë profesorëve që na mirëpritën në Kolegjin Preka ishte një ftesë për të mësuar sesi të mbanin përgjegjësi për vendimet dhe veprimet tona në të ardhmen, më shumë sesa paralajmërimi i dhjetëra provimeve që na prisnin për të gjitha lëndët në çdo fund simestri. Në çdo hap që hodhëm korridoreve të gjëra e të ndriçuar me shprehje e citate të filozove më të shquar, në çdo shkallë që ngjitëm deri në katin e tretë të Kolegjit e ndjenim që mësimi në Preka nuk do të ishte vetëm testim njohurish, por njohja në praktikë me disiplinën, fokusimin, këmbënguljen, etj., vlera këto të cilat ishin diploma e vërtetë që na e lehtësoi karrierën nëçdo shtet ku provuam e jetuam.
Që në ditën e parë të jetës së saj, shtator 1993, misionii shkollës së mesme anglishtfolëse “Kolegji Preka” ishte që jo vetëm të përgatiste studentë për Universitetet brenda dhe jashtë vendit, por, mbi të gjitha, të shërbente si burimi i autenticitetit dhe pavarësisë së ne nxënësve. Që në frymëmarrjen e parë, “Kolegji Preka” u projektua të ishte pasqyra e dëshirave të studentëve të tij dhe sa herë të shiheshim në të të pranonim vetveten për atë që ishim, pavarësisht familjeve nga vinim, mënyrës sesi visheshim, sesi flisnim, etj.
Në çdo vit, programi mësimor i “Kolegjit Preka” ka reflektuar programin e shkollave të mesme në Shqipëri duke u bazuar njëkohësisht mbi standarde europiane dhe tekste nga shkolla partnere në Europë, pasi synon në zhvillimin natyral të aftësive të nxënësve. Dalëngadalë, “Kolegji Preka” është shndërruar në institucionin që nuk prodhonte vetëm studentë brilantë, por në një familje të madhe që edukonte të rinj që dinin edhe si të mësonin, edhe si të argëtoheshin në mjediset shkollore.
Në Kolegjin Preka edhe nxënësi më i turpshëm inkurajohet të jetë vetvetja dhe të ndihet i sigurt për atë që është. Por Preka nuk është një“kullë fildishi” ku përforcohet vetëm mirësjellja, dashuria dhe respekti për jetën. Preka është para së gjithash kolegji i sfidave, vullnetit dhe krijimtarisë. Përmes një kurrikule të balancuar dhe të hollësishme që lidhet me sfidën e vlerësimeve, “Kolegji Preka” ka 22 vite që kujdeset që gjenialiteti i të rinjve të mos përfundojë proverbave. Mjafton që studenti të jetë thjesht kurioz dhe Kolegji i ndihmon ata që përpjektjet e tyre të konvertohen në talente.
Përmes një rreptësie intelektuale, standarteve të larta akademike, modeleve ndërkombëtare të të kuptuarit, ndërgjegjësimit për kulturën humane që bashkon njerëzit, të gjithë brezat e të rinjve të “Kolegjit Preka” kanë demostruar përgjegjshmëri të lartë qytetare në cilindo shtet ku ka nënshkuar të studiojnë e jetojnë, SHBA, Greqi, Itali, Maltë, Belgjikë, Argjentinë,Turqi, etj, duke krijuar rreth vetes kushtet më të përshtatshme për të ndarë njohuritë e tyre më të tjerë, si edhe për të përçuar paqe e tolerancë në komunitet.
“Kolegji Preka” është një drejtësi sociale, ku, përveç programeve akademike konkuruese që stimulojnë studentët të arrijnë rezultate nga më të lartat, në kolegj krijohet edhe fryma e përshtatshme që të gjithë studentët të zhvillojnë aftësitë e tyre dhe sferën e interesave të tyre me potencial të plotë.
Jeta në “Kolegjin Preka” nuk është një ëndërr talentesh mistike, apo përrallë njohurish pozitive. Përkundrazi, falë stafit pedagogjik të përzgjedhur me kujdes ndër vite, nxënësit mësojnë të vetëdisiplinohen, të respektojnë veten dhe të tjerët, të shfrytëzojnë lehtësirat dhe materialet e shkollës për të krijuar dhe për të ushqyer vetveten si një qënie me fat.
Preka nuk është një rresht në CV-të tona, por mbiemri që mbajme ne, mbi 1000 studentë të diplomuar që nga viti 1997, sepse edhe ata nga ne që nuk lindën gjeni “Kolegji Preka” u kujdes që të ishin të lumtur nga shfrytëzimi i talentit, apo edhe aftësisë më të vogël. Kolegji Preka ishte prindi që na frymëzoi për sukses, që na motivoi për arritje, që na edukoi të kërkojmë perfeksionin me anë të punës.
“Kolegji Preka” është familja jonë ku mësuam gjuhën e dashurisë. Kalojnë vitet dhe familja Preka rritet, por ne mbetemi adoleshentët që kemi qenë edhe pse tani prindër. Ndjehemi të vegjël si copëza yjesh, por të pushtetshëm si galaktika, sepse ne jemi Preka dhe një Preka nuk mund të ndjehet ndryshe.
(Nga Dasareta Mitro, MSc., Matura ’97)
Letër e hapur për prindërit, mësuesit e institucionet: Për të mos neglizhuar asgjë në edukim!
Hartimi i projektit kurrikular
Kualifikimi i mësuesve sipas udhëzimit të ri