Entela Binjaku: Nuk mendoj se teknologjia duhet mënjanuar nga jeta e fëmijëve
Sociologia Entela Binjaku, në këtë intervistë të zgjeruar për Portalin Shkollor, sjell shembuj lidhur me ndikimin e teknologjisë, që ka zaptuar jo vetëm rininë e të rriturit, por edhe të vegjlit.
Lidhur me ndikimet e teknologjisë tek të miturit është folur jo pak herë nga specialistët në gjithë këto vitet e fundit. Është thënë se përdorimi i teknolgjisë te fëmijët ka sjellë shumë ndryshime pozitive, e në të njejtën kohë edhe pasoja negative, fizike dhe psikologjike. Përdorimi i tepruar ndikon përqëndrimin, sjell varësinë, gjendje lodhjeje dhe irritimi madje deri në çrregullim bipolar. Socilogia Entela Binjaku, në këtë intervistë të zgjeruar për Portalin Shkollor, sjell shembuj lidhur me ndikimin e teknologjisë, që ka zaptuar jo vetëm rininë e të rriturit, por edhe të vegjlit.
Si ndikon teknologjia te fëmijët?
Mbi të mirat e përdorimit të teknologjisë në zhvillimin e disa shkathtësive tek fëmijët natyrisht nuk mund të mos jemi të kënaqur. Por ndoshta më shumë do të duhej të shqetësoheshim për ato që mungojnë tek ne, sidomos kur mësojmë apo shohim ndikimin negativ që përdorimi i teknologjisë ka në zhvillimin e të miturve. Te prindërit shqiptarë ka nevojë për edukim dhe këshillim lidhur me rreziqet që vijnë nga përdorimi i tepruar i teknologjisë. Sepse edhe kur ngremë shqetësime, ato nuk bëhen konkrete në fushata kombëtare e me ndikim, ose në ngritje qendrash për këshillim e edukim, ose me ofrime shërbimesh sociale për fëmijë. Pra edhe kur shprehim shqetësim për ndikimin, ne sërish mbetemi teorikë dhe ofrimi konkret i ndihmës është thjesht iluzion.
Kur një fëmijë duhet të nisë të përdorë celularin, tabletin apo një pajisje tjetër teknologjike, cila është mosha e duhur?
Mosha e duhur është sërish e vështirë të përcaktohet, janë të rriturit ata që kujdesen e që e përcaktojnë. Ata janë që shohin nëse fëmija i tyre se është në gjendje të përballojë ato që janë ndikime negative. Shpesh kjo temë që ju pyesni është ajo që krijon më shumë moskuptime mes fëmijëve dhe prindërve. Për shembull, kur fëmija është nën kujdesin e të rriturve siç mund të jenë fjala vjen gjyshërit, apo gruaja që kujdeset si kujdestare, fëmija nuk ka nevojë për telefon. Koha e duhur për tu pajisur është kur fëmija nis të jetë i pavarur, pra lëviz vetëm, rri vetëm në shtëpi, kur fëmija është më i përgjegjshëm. Por kurdo që të jetë mosha, prindërit janë ata që duhet të përcaktojnë që në fillim rregullat që fëmijës i duhen bërë edukatë. Por zakonisht prindërit bëjnë gabimin e madh dhe mendojnë se me kalimin e kohës fëmija e rregullon vetë përdorimin. Ose për shembull, prindërit mjaftohen me kënaqësinë që përjetojnë se ia blenë fëmijës atë që kërkonte, pra celularin, tabletin, kompjuterin etj., detyrimin prindëror e kryen. Por ata duhet të komunikojnë çdo dite më fëmijën, tu shpjegojnë pasojat nëse nuk respekton ndonjë prej rregullave, të dinë se me kë flet, çfarë shkarkon, çfarë aplikacionesh përdor etj.
Cilat janë efektet negative të përdoruesve të vegjël të teknologjisë?
Kompjuteri, televizori dhe lojrat video janë mjaft argëtuese për moshat e vogla dhe shpesh herë i dëgjon prindërit të krenohen me aftësitë që shfaqin fëmijët ose dhe të befasohen me shkathtësisë që tregojnë. Por sado të kujdesshëm të jenë, sërish përdorimit të shtuar të tyre nuk arrijnë tu shpëtojnë dot.
Ne shpesh flasim për varësinë si një ndër efektet negative, por ka njerëz që me të drejtë pyesin: Kur një sjellje e kthyer në zakon quhet varësi? Një zakon bëhet varësi në çastin kur ndikon gjithë jetën në tërësi, funksionimin, qoftë shëndetësor, qoftë jetën sociale, apo dhe arritjet në shkollë.
Për shembull OBSH e ka përfshirë varësinë nga lojrat video në listën e çrregullimeve mendore. Këto lojra krijojnë botë paralele dhe fëmijët që luajnë për shembull me tepri mund të shfaqin probleme në planin shoqëror apo mund të vuajnë edhe në drejtim të rezultateve në shkollë.
Media Common Sens që është një organizatë në San Francisco që merret me këshillimin e prindërve mbi përdorimin e teknologjisë, mori në studim 685 mësues, të cilët të intervistuar u shprehën në këtë mënyrë: 71 % ishin të mendimit se teknologjia ul kohën e durimit, 60% thonë se u tkurr aftësinë për të shkruar dhe komunikuar ballë për ballë, 50 % mendojnë se ndikon rëndë aftësinë për të menduar dhe për të bërë detyrat e shtëpisë. Ka studiues që pohojnë se fëmija nuk zhvillon aftësitë verbale dhe as inteligjencën emocionale.
Nga ana tjetër ka shkencëtarë apo profesorë që pohojnë se teknologjia ofron më shumë avantazhe sesa jo të mira. Për shembull sipas një studimi të bërë nga Universiteti i Ëisconsin (SHBA), kur ju vihet përpara ekrani fëmijëve të moshave 2 dhe 3 vjeç vihet re se ata mësojnë shumë më shpejt.
Sipas BBC që citon profesoren Heather Kirkorian, “ata fëmijë që ndërveprojnë me ekranin bëjnë më pak gabime dhe mësojnë me një ritëm më të shpejtë se të tjerët”.
Pra mendimet lidhur me përdorimin e teknologjisë vijojnë të ndajnë specialistët.
Përdorimi i teknologjisë te fëmijët ka efektenegative, por edhe pozitive. Sipas jush cilat janë?
Ka specialistë qëpohojnë se përdorimi i tyre ka shumë rreziqe dhe kjo në rastet kur e teprojnë. Për shembull Akademia Amerikane e Pediatrisë është shprehur mjaft e prerë në këtë drejtim: fëmijët nën tre vjeç nuk duhet aspak tëpërdorin, ata të moshës 3 deri në 5 vjeç duhet një orë në ditë e shumta. Ngamosha 6 në 18 vjeç jo më shumë se dy orë në ditë. Sipas psychology.com të dhënat në realitetflasin se koha që përdoret është katër herë më e madhe sesa e rekomanduara.
E dëmton zhvillimin trupor të fëmijëve teknologjia?
Qëndrime orë të tëra në një pozicion të caktuar trupor natyrisht krijon deformime me kohën, shikimi po ashtu që ndikohet dhe kjo e gjitha është një dëm që i shtohet fëmijës në organizëm thjesht për shkak të mungesës së menaxhimit.
Dhe së fundmi, si mund t’i largojnë të rriturit fëmijët nga teknologjia?
Për këtë ka nevojë për një vëmendje të madhe nga ana e shërbimeve publike të Mbrojtjes së Fëmijës, gjë që tek ne mungon. Sa komuna dhe qytete në vendin tonë kanë shërbime sociale për fëmijë? Ose askund në Shqipëri nuk ka mjaftueshëm as vëmendje dhe as personel për këshillimin e fëmijëve: një këshillues është për ...1500 fëmijë. Kjo do të thotë se ky këshillues ka në dispozicion në vit X minuta për një fëmijë, por a mjafton?
Nuk mendoj se duhen larguar apo nuk mendoj se teknologjia duhet mënjanuar nga jeta e fëmijëve. Mendoj se e gjitha kërkon ekuilibër si çdo gjë tjetër në jetë: pra prindërit duhet të kuptojnë se ata janë modeli për fëmijët, çfarë bëjnë të rriturit do të bëjnë edhe të miturit. Vetë qëndrimi që familja mban ndaj teknologjisë është mjaft i rëndësishëm në raportin që fëmija vendos me teknologjinë.
Rezultatet janë të mira kur teknologjia nuk kthehet në zëvendësuese të aktiviteteve të përditshme dhe nuk duhet të zërë as gjithë kohën dhe as gjithë të tjerat. Për këtë prindërit duhet të shtojnë aktivitetet në natyrë, sportet, lëvizjet, leximet, pjesëmarrjet në rrethet jashtëshkollore etj.
(Entela Binjaku për Portalin Shkollor)
Festojmë 28-29 nëntorin!
Festat e Nëntorit, format që zgjodhën nxënësit për të treguar dashurinë ndaj atdheut të tyre
Ese: Mjedisi dhe njeriu