E vërteta mbi tekstet shkollore në Maqedoninë e Veriut
Nëse të gjithë nxënësit shqiptarë, pavarësisht se ku jetojnë, do të punonin me të njëjtat tekste, përfitimet do të ishin shumë të mëdha dhe kjo lidhet si me çmimet më të ulta, po ashtu dhe me përmbajtjen cilësore në formimin e tyre
Nga Latif Ajrullai
Nëse të gjithë nxënësit shqiptarë, pavarësisht se ku jetojnë, do të punonin me të njëjtat tekste, përfitimet do të ishin shumë të mëdha dhe kjo lidhet si me çmimet më të ulta, po ashtu dhe me përmbajtjen cilësore në formimin e tyre
Para disa ditëve Ministri i Arsimit në Republikën e Maqedonisë së Veriut u mundua që të sqaronte se, përse nxënësit shqiptarë nuk kanë tekste shkollore dhe se tekstet tanimë janë korrigjuar, përmirësuar dhe shmangur gabimet e shumta që vinin nga përkthimi me google translate. Pa dashur që të debatoj për të gjitha ato që janë thënë këto ditë në mjetet e informimit në lidhje me tekstet shkollore do të doja të paraqitja një realitet pa doreza të problemit.
Përvoja ime njëzetë vjeçare si botues edhe si profesor më ka mundësuar që të jem shumë afër këtij problemi. Nëse kthehemi prapa, lirisht mund të themi se nxënësit shqiptarë në kohën e Titos kanë përdorur tekste më të mira se ato që përdorin sot. Tekstet botoheshin nga shtëpi botuese me njerëz profesionistë dhe disiplinë në përgatitjen e materialeve për shtyp dhe më kryesorja, nuk ishin përkthime të këqija, sepse botoheshin në Kosovë. Në fillimet e pluralizmit politik në Maqedoni u përpiluan ligje shumë të mira në drejtim të hartimit të teksteve shkollore dhe për hir të së vërtetës në shkolla pati tekste shumë të mira për një periudhë kohore të caktuar. Me kalimin e kohës dhe sidomos me politizimin e çdo gjëje pra, edhe të këtij procesi, filloi degjenerimi dhe degradimi profesional duke zëvendësuar shtëpitë botuese të konsoliduara me shtëpi botuese afër politikës. Kulmi i së keqes ndodhi atëherë kur Ministria e Arsimit në kundërshtim me të gjitha rregullat e ligjet e një vendi me ekonomi tregu, nga një institucion shtetëror që bën politikat arsimore u shndërrua në një në shtëpi botuese. Individë të caktuar pranë Ministrisë filluan të bëjnë biznes me nxënësit duke u fshehur pas Ministrisë së Arsimit. Këto ishin vitet më të këqija edhe në drejtim të furnizimit të shkollave me tekste shkollore. Pasojat e asaj politike vazhdojnë edhe sot. Rregullimi i kësaj situate erdhi “me shpikjen gjeniale” që nxënësit të punojnë me libra të përkthyer nga Cambridge! Këtu degradoi çdo gjë, sidomos për nxënësit që mësonin në gjuhën shqipe. Si gjithmonë konkurset fitohen nga një shtëpi botuese maqedonase, e cila i përkthen librat në gjuhën maqedonase dhe pastaj nga gjuha maqedonase në gjuhën shqipe. Botuesit shqiptarë e kam fjalën për ata seriozë, nuk pranuan që të bëhen pjesë e kësaj loje ku haptazi kuptoheshin se në kushte të tilla vetëm tekste me cilësi të mirë nuk mund të kishte, madje në shumë raste nuk do kish aspak tekste. Në një situatë të tillë tekstet ngelën në dorë të shtëpive botuese amatore duke e zmadhuar kështu dëmin që i bëhej e që vazhdon t’i bëhet arsimit me tekstet e botuara nga këto shtëpi botuese të përziera maqedonase-shqiptare, të cilat kanë kaluar pa asnjë kontroll nga Ministria e Arsimit. Që të argumentoj këtë që thashë ju vë në dispozicion vetëm një faqe të një teksti shkollor. Në këtë tekst nuk duhet të jesh shumë i zgjuar për të kuptuar se emrat e marra si shembull, qëllimisht janë lënë në dëshirën e botuesit maqedonas, i cili emrat anglezë i ka përshtatur në gjuhën maqedonase, kurse në gjuhën shqipe jo.
Kjo është vetëm një faqe e një libri, por të jeni të bindur se të gjitha librat janë në gjendje të tillë, sidomos librat e shkencave natyrore janë plot e përplot gabime. Më habit fakti se si ka mundësi që mësuesit dhe prindërit, fëmijët e të cilëve punojnë me këto tekste, të heshtin dhe mos ankohen apo së paku, të denoncojnë këto anomali në tekstet shkollore, të cilat janë primare për formimin e fëmijëve të tyre. Në një situatë të tillë Ministri i Arsimit në vend që të kërkojë hartimin e programeve për të gjitha tekstet shkollore nga fillimi, duke krijuar hapësira që autorët shqiptarë përmes shtëpive botuese, të konkurrojnë për tekste të reja, ai ndihet aq i lumtur vetëm se libri i muzikës i mundëson nxënësit shqiptarë të këndojnë këngë shqipe. Me hyrjen në fuqi të ligjit për gjuhët, botuesit shqiptarë mund të konkurrojnë në gjuhën shqipe gjë që ishte e ndaluar deri tani; ky ligj i krijon të gjitha kushtet e mundësitë për rritjen e cilësisë së teksteve shkollore.
Fundja shqiptarët më së paku kanë nevojë të përdorin përkthime nga gjuha maqedonase, ndaj nuk e kuptoj qëndrimin e Ministrit, i cili ose nuk dëshiron ose ka harruar se shqiptarët që jetojnë jashtë kufirit me Maqedoninë, si në Shqipëri dhe në Kosovë po përdorin tekste shkollore për fëmijët e tyre shumë herë më të mira se këto tekste apo përkthimet me njëmijë e njëqind gabime.
Të dashur mësues dhe prindër, ne duhet të kërkojmë që politikanët të tejkalojnë interesat lokaliste apo personale për hir të gjërave madhore, siç janë në këtë rast tekstet shkollore. Duhet të kërkojmë që programet për hartimin e teksteve shkollore të harmonizohen në nivel mbarëkombëtar dhe tekstet e përpiluara mbi këto programe, të përdoren në të gjitha vendet ku jetojnë shqiptarët. Boll më me përkthime, ne kemi kapacitete, kemi autorë shumë të mirë, kemi shtëpi botuese dhe shtypshkronja shumë të fuqishme, prandaj të dashur politikanë nëse nuk na ndihmoni, së paku mos u bëni pengesë drejt rrugës së unifikimit të programeve të teksteve shkollore. Nëse të gjithë nxënësit shqiptarë, pavarësisht se ku jetojnë, do të punonin me të njëjtat tekste, përfitimet do të ishin shumë të mëdha dhe kjo lidhet si me çmimet më të ulta, po ashtu dhe me përmbajtjen cilësore në formimin e tyre.
(Marrë nga e përditshmja informative Koha)
Udhëzuesi i përditësuar për mësimin në kushtet e shtëpisë
Letër e hapur për prindërit, mësuesit e institucionet: Për të mos neglizhuar asgjë në edukim!
Nisi Panairi i Librit, nga data 13-17 nëntor jeni të mirëpritur në Pallatin e Kongreseve