Botim i ri

Dy fjalë për romanin “Dita e shtatë” të Yu Hua-së

Si një shkrimtar që pasqyron realitetin social, Yu Hua mund të quhet shkrimtar novator. Ai e ka zhvendosur fokusin e tij në botën reale. Vepra e tij përfaqëson dhe zbulon absurditetin e jetës.

Në romanin e errët dhe surreal të Yu Hua-së “Dita e shtatë,” enden viktimat e ekonomisë së tregut kinez në shpërthim e sipër; edhe të vdekur, edhe të gjallë, edhe në vuajtje, edhe fatkeq. Ata s`mund t`ia lejojnë vetes një vend për varr. Ata janë ndarë nga familjet dhe janë shkulur nga shtëpitë e të parëve. Duke mos e pasur mundësinë që dikush të mbajë zi për ta sipas mënyrës tradicionale kineze, fati i thërret që të enden në një “qytet të mjegullt e të papërcaktuar” ku dëbora u përsillet nëpër këmbë dhe, kësisoj, ata kanë mundësinë të reflektojnë mbi jetën dhe rrethanat e vdekjes së tyre. Si ca hije që çapiten me mundim ata takojnë miqtë dhe të dashurit e tyre tashmë të vdekur, të cilët, nga ana e tyre, mishërojnë gjithashtu këtë meganekropol tipik kinez.


Yu është autor i njohur ndërkombëtarisht për romanin e tij “Të jetosh” (mbi të cilin në vitin 1994 u realizua një film që mori shumë vlerësime, ndër të tjera Gran Jury Prise – Çmimin e Madh të Jurisë në Festivalin e Kanës) bashkë me veprën tjetër të tij, romanin satirik “Vëllezër,” përkthyer në anglisht në vitin 2009. Në vitin 2011, koleksioni me ese të përmbledhura, “Kina me Dhjetë Fjalë”, evokonte Revolucionin Kulturor dhe lëvizjet demokratike të vitit 1989, që përfundoi me përleshje të dhunshme në Sheshin Tiananmen, kujtimi historik i të cilit është shtypur vazhdimisht nën hijen e modernzimit të një kombi të humbur në furinë e përparimit dhe përdorimit të kësaj demokracie. Në romanin “Dita e shtatë”, ai i mëshon kritikës së shoqërisë bashkëkohore kineze, veçanërisht korrupsionit të qeverisë dhe etjes së paparë ndaj konsumizimit.


Romani hapet me Yang Fein, një mësues i varfër që sapo ka vdekur, i cili bëhet vonë për takimin që ka lënë me shtëpinë e funeralit. Trafiku është i rënduar dhe autobusi 203 nuk po vjen. Kur ia doli të shkonte atje më në fund, ai zbulon se pabarazia që i ndan njerëzit për së gjalli vazhdon t’i ndajë ata dhe në vdekje. VIP-at kanë zonën e tyre të pritjes, me kolltukë të rehatshëm. Zyrtarët e vdekur rishtas mburren për varret që i presin mbi maja malesh, me pamje mbi oqean. Gurët e varreve të tyre “organike” janë porositur prej kohësh tashmë. Kur e kuptoi se nuk kishte veshjen e duhur, madje as edhe një urnë, Yang Fei nuk përgjigjet kur thërrasin numrin e tij në radhë. Madje, kuturis e largohet nga krematori. Në një rrugëtim shumë befasues postmortum ai bashkohet më në fund me babanë e tij të dashur dhe ribashkohet me ish-gruan, e cila kishte kryer vetëvrasje.


Në udhëtimin e tij mes dy botëve vdekja i ofron Yang Feit bilance të rënda korrupsioni, dhunë policore, shtypje nga politika, shembje shtëpish bashke me banorët brenda, si edhe rrëfimet e përditshmërisë për keqtrajtimin që vuajnë kinezët e zakonshëm, që janë në dorë të të pasurve e të fuqishmëve. Disa nga këto rrëfime, që kur i lexon duken sikur janë shkruar nga gazetat sensacionale të vendit, sjellin raste të një satire të thellë, teksa një prostitutë e veshur tebdil hyn vjedhurazi në një stacion policie për të sulmuar një polic që e kishte arrestuar dhe torturuar dikur. Për të mbrojtur kolegun, policët justifikojnë dështimin e tyre: “Njerëzit që vijnë në Byronë e Sigurisë Publike me çantë shpine zakonisht sjellin dhurata... Kujt do t’i kish shkuar nëpër mend se ai do të nxirrte një thikë në vend të dhuratës?”.


Si një shkrimtar që pasqyron realitetin social, Yu Hua mund të quhet shkrimtar novator. Ai e ka zhvendosur fokusin e tij në botën reale. Vepra e tij përfaqëson dhe zbulon absurditetin e jetës.


"Dita e shtatë" e merr si pikë këndvështrimi të parin Yang Fei e vdekur. Duke filluar nga morgu, autori përdor penelata absurde për të na treguar historinë e takimeve të Yang Feit brenda shtatë ditëve e që, më në fund, arrin në një botë të mrekullueshme.


Teknika narrative: përmes reportazheve të lajmeve dhe narrativës së të vdekurve, perspektiva kalon nga gjendja “përpara vdekjes” në gjendjen “pas vdekjes”, për t’u dhënë karaktereve një përmasë tredimensionale.


  • Stili i tekstit: Ngrohtësia e humanizmit dhe mizoria e realitetit bashkëjetojnë në një stil absurd të Yu Hua-së.
  • Kuptimi realist: përmes kontrastit mes botës së të vdekurve dhe atyre që janë akoma gjallë, autori përcjell realitetin e cuditshëm të vetë realitetit, duke vënë në pikëpyetje kuptimin e ekzistencës së individit
  • Metoda narrative: përmes reportazheve të lajmeve dhe narrativa e te vdekurve, perspektiva kalon nga jeta përpara vdekjes në atë pas vdekjes.


Romani "Dita e shtatë" starton me ditën e parë në çastin, kur Yang Fei kërkon të kuptojë momentin kur ka vdekur dhe mbyllet në ditën e shtatë me mbërritjen e tij “në vendin “e të vdekurve pa varre". Kjo ndodh brenda shtatë ditëve, gjatë  të cilave, përmes syve të Yang Feit shpërfaqen një mori lajmesh sociale. Me shikimin e parë duket sikur do të ngecë në reportazhet e lajmeve, por në fakt, Yu Hua përdor teknika të shkëlqyera të narrativës për të ndërtuar dy botë: njëra është narrative e lajmeve në epokën e internetit, e cila është vendosur në botën "përpara vdekjes", kurse tjetra u dedikohet të vdekurve.


Yang Fei kalon sa nga bota e të vdekurve në botën e të gjallëve, duke na treguar të vërtetën që fshihet pas narrativës së lajmeve, duke përdorur shumë dialogun. Kjo histori me një kontekst të theksuar i sjell personazhet në jetë. Historia shkruhet nga Yang Fei në krematorin e një shtëpie funerali. Shtëpia e funeralit qartazi ndahet në dy zona, në zonën VIP dhe në atë të të varfërve, ku ndryshimi është i thellë.

Të pasurit mund t`i lejojnë vetes, që edhe pas vdekjes të pushojnë në paqe, ndërkohë që të varfërve u takon  të shkojnë në tokën e “të vdekurve pa varr". Meqë nuk ka para për varr, Yang Fei largohet nga shtëpia e funeralit. Ai ecën gjithë kohës dhe takon ish-gruan, Li Qing. 

Mënyra e rrëfimit, ku personazhi ecën e ecën dhe takon dikë rrugës, na kujton shumë narrativën e përrallave e legjendave popullore.

Pas takimit me të, ai merr vesh që ka vrarë veten, pasi dështon në marrëdhënien me sipërmarrësin e pasur. Ajo është shumë e aftë të punojë për një jetë më të mirë, por realiteti është shumë i egër. Edhe vetëvrasjen e saj autori e jep përmes lajmit në gazetë.


Kjo ndodh rëndom gjatë romanit, ku Fei merr vesh lajmet nga media dhe pastaj i takon personazhet në botën tjetër. Por shpesh varianti i vërtetë i vdekjes së personazheve ndryshon nga ajo që thonë lajmet dhe është diametralisht i kundërt.

Yu Hua u jep këtyre njerëzve aftësinë për të folur përsëri, edhe pas vdekjes. E lavdërueshme është mënyra se si Yu Hua i bën fantazmat të flasin. 


Kjo na mundëson të shohim hendekun e thellë që ndan botën indiferente të të gjallëve nga bota plot mirësi dhe dhembshuri e të vdekurve të gjallë. Ai përçon mesazhin se kur njeriu vdes, lirohet nga zinxhirët e botës reale dhe rifiton sërish tiparet e tij njerëzore të mirësisë e dhembshurisë.


Stili


Ngrohtësia e humanizmit dhe mizoria e realitetit bashkëjetojnë në një stil absurd të Yu Hua. Si në shumë nga romanet e tij, në themel të romanit "Dita e Shtatë", qëndron karakteristika tipike e shkrimit të Yu Hua: absurditeti. Absurditeti i Yu Hua-së është në atë që ai e vendos "Pamundësinë" në jetë duke e vendosur përpara syve të lexuesit, duke e shndërruar kështu në një “mundësi” të pranueshme. Absurditeti i romanit "Dita e Shtatë" është se, përmes përkimeve të panumërta, Yu Hua, bën që i ndjeri Yang Fei, ku më shumë e ku më pak, të ketë një marrëdhënie me të gjitha personazhet, duke krijuar kështu një histori "logjike". Përmes penelatave absurde, ai jo vetëm që godet realitetin e ashpër, por gjithashtu përshkruan ngrohtësinë e natyrë njerëzore, duke na dhënë një tablo të jetës sociale në shumë forma  të saj.


Dëshpërimi dhe mizoria në botën reale


Ditën e katërt Yang Fei takon Miushen, një vajzë që vret veten pasi i dashuri nuk i kishte blerë një iphone origjinal. Miushja është një vajzë e thjeshtë. Mashtrimi i të dashurit ia bëri jetën të padurueshme, kështu që vendosi të vetëvritej dhe e postoi këtë në internet, asnjë nga bashkëqytetarët e saj nuk u nis ta ndalonte, përkundrazi talleshin duke i sugjeruar si të vetëvritej. Zhgënjimi nga mashtrimi i të dashurit dhe dëshpërimi, e kombinuar kjo me indiferencën e shoqërisë, e çoi atë të vendoste të vriste veten. Pasi mësoi për vdekjen e saj, i dashuri, Wu Chao, i dëshpëruar vendos të shesë veshkën që t’i blinte një vend për varr. Ajo niset drejt vdekjes si një nuse që shkon të martohet.

"Miushja kishte veshur një fustan të bardhë që e tërhiqe zvarrë në tokë, Pashë që po shkonte drejt një vendi ku harliseshin lulet". Edhe Who Chao vdes pas operacionit të veshkës. Të dy të dashuruarit nuk arrijnë të bashkohen as në këtë botë, as në botën tjetër".

Lidhja e tyre mund të përshkruhet vetëm me një fjalë: Pendim.

Yu Hua është si një vëzhgues krejt indiferent; ai e shpalos realitetin lakuriq përballë lexuesit, dëshpërimi mes rreshtash është si një piranja, që të gëlltit ndjenjat, kështu që s`të mbetet tjetër, veç të besosh se diçka është e vërtetë.


Ngrohtësia dhe dhembshuria në natyrën njerëzore


Në romanin "Dita e Shtatë", Yu Hua i hyn thellë përshkrimit të ftohtësisë në marrëdhëniet njerëzore. Familja biologjike e Yang Feit është për faqe të zezë, gjithë konflikte, ndërkohë që Yang Jinbiao, babai i tij birësues i dhuron dashuri pafund.

Yang Jinbiao është personazhi më prekës në libër, ai i dhuron gjithë dashurinë e zemrës, ndonëse nuk kanë të njëjtin gjak. Për të rritur Yang Fein, ai s’u martua kurrë, që t`ia falte krejt dashurinë atij. Yang Fei punonte shumë duke ia dedikuar gjithçka të birit që e kishte birësuar, derisa i bleu shtëpinë. Edhe mënyra si u fik, duke u zhdukur në heshtje, është mjaft prekëse. Yang Jinbiao e ka dhembshurinë të gdhendur deri në palcë. Marrëdhënia mes tij dhe Yang Feit është marrëdhënia më e bukur në botë. Kjo lloj ngrohtësie e mirësie njerëzore haset në shumë nga personazhet e librit. Bota është kaq mizore, por ende ekzistojnë ndjenja të vërteta, çka është dhe arsyeja e mbijetesës.

Kuptimi realist: përmes kontrastit mes botës së të vdekurve dhe atyre që janë akoma gjallë, autori përcjell realitetin e çuditshëm të vetë realitetit, duke vënë në pikëpyetje kuptimin e ekzistencës së individit.


Përshkrimi i një vendi “Për të vdekurit pa varr” është tejet i dhembshur:

"Gjethet do të ta bëjnë me dorë, gurët do të të buzëqeshin, lumi do të të përshëndesë. Atje s`ka varfëri, as dhimbje, as trishtim, as urrejtje... Në vdekje jemi të gjithë të barabartë. "

Kur e krahason botën “përpara vdekjes” me atë “pas vdekjes në roman, nuk është e vështirë të arrish në përfundimin se realiteti është i ftohtë dhe i hidhur, ndërsa bota pas vdekjes është si një utopi e bukur.

"Utopia është shpëtimi i fantazmave të vetmuara që s`kanë ku të shkojnë. Por thellë-thellë, askush nuk e di ç'është pas vdekjes, atëherë përse Yu Hua krijoi një utopi kaq të bukur postmoderne?


"Dita e Shtatë" pasqyron situatën e njerëzve që jetojnë në zgrip të varfërisë në botën reale. Kur jemi gjallë, jetojmë një jetë të vështirë dhe pas vdekjes nuk gjejmë paqe. Atëherë cili është kuptimi i ekzistencës? Kjo është pyetja që shtrohet në këtë roman.


Romain Roland ka thënë: "Ka vetëm një lloj heroizmi në botë, që është pasi e sheh të vërtetën e jetës, ti përsëri e do atë. "Dita e Shtatë” përcjell një të vërtetë:

“Edhe kur je në vështirësi ekstreme, të duhet të bësh një jetë të vështirë, por edhe të bësh një jetë të vështirë është një formë ekzistence më vete”.


Nga Ken Kalfus me përkthim të Albana Kozeli 


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

1,888 Lexime
2 vjet më parë