"Duajeni Shqipërinë, jo vetëm për festa"
“Duajeni Shqipërinë, duajeni tokën shqiptare ajo na përket të gjithëve ne dhe të gjithë së bashku të bëjmë më të mirën për vendin tonë”, një shkrim kujtesë dhe reflektim për atdhedashurinë jo vetëm në ditë festash, nga ekspertja edukimit Ana Llazo.
Shqipëria është vendi i banuar nga popujt më të vjetër të Europës i cili ka ruajtur gjuhen dhe traditat e saj edhe pse ndër shekuj janë përpjekur ta përbuzin dhe copëtojnë. Populli me cilësitë më të rralla në Ballkan ku kryeson respekti dhe nderi për fjalën e dhënë ndër shekuj, guximi, trimëria dhe shpirti i gjallë.
Ky popull fisnik pasardhës i ilirëve ku shpesh i kanë bërë ballë qëndresë të ashpër pushtuesve dhe veçanërisht sundimit turk. Fshatari, malësori fisnik dhe ushtari shqiptar ka luftuar si një zotëri i madh përball armikut dhe ka treguar vlerat e larta morale dhe të trimërisë që e ka karakterizuar atë ndër shekuj për mbrojtjen e trojeve të tyre. Dhe kur vihej në lojë tërësia e tokave shqiptare, atëherë fshiheshin të gjitha interesat e veçanta, armiqësitë, dallimet dhe kundërshtitë kulturore, fetare dhe partiake.
Shqipëria toka e shqiponjave, dhe bijve të shqipes gjuhës më të lashtë dhe më të veçantë në botë nga e cila rrjedhin të gjitha gjuhet e tjera të njerëzimit, e tokës së pasur me minerale, me pasuri dhe bukuri natyrore, lashtësi dhe kulturë ndër shekuj.
Flamuri kuq e zi magjepsës dhe i thjeshtë të krijon emocionet për tu ndjerë krenar, plot besim dhe guxim. Shqiponja e dyfishtë nëpër gjithë qiellin simbolizon shpirtin e lire dhe luftarak te popullit shqiptar. E kaluara dhe e tashmja, e lashta dhe modernia, të rinj dhe të moshuar, e bukura dhe hyjnorja, myslimane dhe të krishtere, të pasur dhe të varfër, veri dhe jug ndërthuren aq bukur duke shpalosur ekstremet e gjalla te dukshme të shoqërisë shqiptare.
Shqipëria është përpjekur të lërë pas të shkuarën komuniste dhe tranzicionin ndër vite dhe të gjejë rrugën e duhur drejt stabilitetit dhe prosperitetit ekonomik politik dhe social. Kjo tokë e lashtë dhe e pasur me histori nga burime të lashta, tradita dhe zakone meriton të jetë pjesë e familjes europiane duke dhënë kontributin e saj me njerëzit fisnik dhe me vlera në fusha të ndryshme që i shërbejnë shoqërisë njerëzore. Marr shkas ti uroj të gjithë shqiptarëve 110 vjetorin e Pavarësisë.
Duajeni Shqipërinë, duajeni tokën shqiptare ajo na përket të gjithëve ne dhe të gjithë së bashku të bëjmë më të mirën për vendin tonë.
Nga Ana LLAZO, eksperte e edukimit
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Për ty nëna ime, sepse nënat janë frymëzim i jetës
Lufta kundër bullizmit dhe ekstremizmit në sistemin arsimor
Është dita jote mësues/e