ANALIZË

Dr.Natasha Poroçani: Didaktika në kushtet e mësimit on-line

Nga didaktika tradicionale më ne qendër mësuesin, në vitin 2016 kaluam në didaktikën me në qendër nxënësin dhe në kushtet e reja të MND po kalojmë në DND e cila po orientohet drejt mësimdhënies me në qendër nxënësin që punon i pavarur.

Më datë 9 mars 2020 një Vendimi i Këshillit të Ministrave që përkonte me vendimin e OBSH-së, për shkak të shpalljes së Pandemisë, ndërpreu procesin mësimor në Institucionet Arsimore dhe mijëra fëmijë, nxënës e studentë u shkëputën nga sistemi arsimor në klasë, për t`iu nënshtruar një tjetër procesi, i cili nuk kishte njohur precedentë masivë në asnjë sistem tjetër në botë. Procesi i të mësuarit, nga mjediset fizike të klasave e auditorëve, u zhvendos në një tjetër hapësirë, në një tjetër modalitet, duke përdorur të tjera mjete që e moderuan atë: mësimi kaloi në distancë. Duke patur parasysh faktin që pothuaj çdo familje shqiptare i ka të ngushta lidhjet fizike dhe infrastrukturore me shkollën, pohojmë se mësimi në distancë solli perceptime që ndryshuan imazhet tradicionale të mësimdhënies. Shkolla u bë më shumë invazive. Në procesin mësimor u përfshinë jo vetëm target grupet që e realizojnë këtë marrëdhënie (mësues/pedagog-nxënës/student), por nëpërmjet integrimit të hapsirave (fizike dhe virtuale), në këtë proces të ri u përfshinë edhe familjet, duke deformuar konceptin tradicional dhe të qëndrueshëm mbi didaktikën dhe dinamikën e saj. 


Më tej akoma, procesi i ri në të cilin ka hyrë jo vetëm sistemi arsimor, por çdo hallkë e nënsistemeve sociale e ekonomike në botë, jo pak raste sugjeron dhe orienton në fakt gjithë sferat produktive (të të çdo lloji) drejt një formati të ri analitik, i cili jo pak herë u kthye në një test favorizues ose jo, përballë rreptësisë së të cilit kanë falimentuar apo vazhduar përpara sisteme edhe më pak delikate se ai arsimor. 


Prandaj është thelbësore që të përpiqemi të sqarojmë disa ide se çfarë mund dhe nuk mund të bëhet me mësimin në distancë (këtu e tutje: MND), për të shmangur krijimin e tensioneve kundërproduktive.


Nisur nga e drejta themelore e çdo individi për t`u arsimuar, MND është një nga mënyrat më efikase që çdo sistem arsimor ofron, në kushte të jashtëzakonshme (pandemi, luftë, fatkeqsi natyrore, etj). Çdo sistem shkollor është i detyruar (por ende jo ligjërisht) ta ofrojë atë, ta garantojë, të jetë përgjegjës për vijimësinë e tij dhe të kontribuojë në përputhje me dekretet permanente që Ministritë përkatëse përcjellin. Por, kjo situatë e papritur nxori në pah problemin e parë: ndarjen dixhitale, që konsiston në ndryshimin e dukshëm në pajisjet e IT (mjetet dhe lidhjet) sipas klasave shoqërore dhe zonave të vendit. Në këndvështrimin social, MND e thellon këtë hendek, duke e bërë edhe më të dukshëm pabarazinë shoqërore. Në të vërtetë, ndarja dixhitale e ka zanafillën në një ndarje sociale përtejshkollore; shkolla nuk mund ta eleminojë atë; në kushte normale vetëm mund të zvogëlojë disa efekte në drejtimin mësimdhënie-mësimnxënie, nëse funksionon mirë, por nëse nuk bën asgjë, ato efekte shpalosen në tërësinë e tyre. 


Po cila është marrëdhënia e mësuesit me detyrimin ligjor para të cilit ata u ndodhën?

 Në Dispozitat Normative nuk është parashikuar apo përfshirë një nen i posaçëm ku të cilësohen kushtet e punës së mësuesit gjatë MND, nuk është parashikuar një rregullator ligjor, para të cilit mësuesi të jetë i mbrojtur apo i detyruar. Ky vakum ligjor, i rregulluar me dekrete dhe urdhëresa të herëpasherëshme, vlerësoi edhe më shumë përgjegjësinë dhe korrektësinë profesionale të mësuesve, të cilët u përfshinë në një ndjenjë të fortë bashkëpunimi, duke treguar se nuk ishte nevoja të legjitimohej zyrtarisht ky detyrim.


Përpara një vakumi ligjor u gjendën edhe nxënësit/studentët të cilët gjithashtu nuk kanë detyrimin ligjor të kalojnë në këtë format të ri mësimnxënieje. Kjo vështirëson në fakt statusin e MND, sepse zyrtarisht nuk përcaktohten disa norma mësimore si: mungesat, arsyetimi apo jo i tyre, bashkëveprimi, etj. Duke mos qenë të detyruar, puna e nxënësve/studentëve bëhet fleksibël në kushtet e dhëna, duke e e vështirësuar pjesëmarrjen masive. Kjo "pjesëmarrje jo e detyrueshme" ka pasoja në dy aspekte shumë të rëndësishme të procesit didaktik: vlerësimin e vazhdueshëm dhe vlerësimin përfundimtar. Në të dy rastet, por veçanërisht në të dytën, vendimet penalizuese mund të sfidohen lehtësisht. Vlerësimi përcaktoi pak a shumë aftësimbn dalës të nxënësit por fakti që në vitin në vijim ai do të rimarrë koncveptet shkencore , didaktika dodhet para një kolapsi të paparashikuar. Prandaj mësimdhënia duhet të ndryshojë, të konceptohet në një kornizë tjetër, pa dështime. Kjo është një sfidë e re. 


Situata e re, e krijuar solli një tjetër nocion në fushën e didaktikës. Duke qenë se didaktika është sistemi i komunikimit dhe i pjesëmarrjes (këtu qëndron forca e saj) në kushtet e reja kjo marrëdhënie vendoset para dyshimeve, kur përballet me mungesën e këtij komunikimi. Mendojmë se ka lindur një tjetër nocion, ai i didaktikës në distancë (këtu e tutje DND) i cili u shoqërua me problematika shumë ekzigjente si: mënyra e organizimit, metodologjia, koha, mjetet, etj. Problematika kryesore mbeti menaxhimi i kohës standarde dhe kombinimi i instrumenteve telematikë, karakteristikat që duhet të përmbushin  në vlerat minimale dhe maksimale, standardizimi institucional dhe personal i tyre. 


U shfaq një tjetër modalitet në të cilin hapësira private e një punonjësi bëhet publike në funksion të përshtatjes së instrumenteve alternativë të komunikimit. Për më tepër serisë së paqartësive iu shtua dyshimi se në cilat vlera u gjend rrjeti i metodave bashkëkohore të mësimdhënies me në qendër nxënësin, duke qene se mësimi si një proces interaktiv nuk optimalizohet në këtë format të ri. Dhe lindi pyetja aq e përdorshme sot: 


A ËSHTË VËRTETË NXËNËSI NË QENDËR TË KËTIJ PROCESI MËSIMOR?


Kjo pikëkyçe e transferoi  vëmendjen drejt të tjerave dyshime: 

Çfarë ka ndodhur me të menduarit kritik si një element bazik i didaktikës tradicionale?  

Si u përball modaliteti i ri didaktik me modalitetin e ri social?

Si do të veprohet me dy tipat e standardeve të mësuesve: mësuesit që nuk ndryshojnë zakonet tradicionale didaktike duke vazhduar mësimdhënien me bazë librin dhe mësuesit që përdorin platformat on-line të cilat i kanë të vagullta lidhjet me librin si codex.

A ruhet dhe respektohet parimi i vigjilencës epistiomologjike dhe cilat janë rrugët, mjetet e transferimit të dijeve?

Vetë qenësia e dyshimeve të tilla, na pohon se tashmë jemi përpara një realiteti krejtësisht të ri: po, ka lindur kultura e re, didaktika e re e cila vuri në krizë parametrat e vjetër.


Si duhet të bëhet DND në këtë kuadër? 

Detyra e parë dhe kryesore: didaktika duhet të jetë konceptuar në mënyrë të tillë që të jetë gjithpërfshirëse. Për të shkuar te secili nxënës, kërkohet që detyra kryesore e secilit mësues nuk duhet të jetë mësimdhënia në munitor. Procesi në tërësinë e tij duhet të konceptohet si një aktivitet të cilin nxënësit mund ta bëjnë në kushte autonomie, edhe nëse ky aktivitet drejtohet nga mësuesit.


Pra, nga didaktika tradicionale më ne qendër mësuesin, në vitin 2016 kaluam në didaktikën me në qendër nxënësin dhe në kushtet e reja të MND po kalojmë në DND e cila po orientohet drejt mësimdhënies me në qendër nxënësin që punon i pavarur.  


Vendosja e një ekulibri të tillë është një proces i vështirë: gjithsesi mësuesi duhet të jetë i pranishëm; mësuesi duhet të ketë një kontakt të vazhdueshëm me nxënësin; lidhja digjitale nuk duhet të ndjehet tutoriale; në didaktikë e re duhet të konsiderohen edhe faktorë joshkollorë si psh., familjet me shumë fëmijë, përdorimi me kohë të caktuar i mjeteve elektronike, etj. Vendosja e këtij ekuilibri, mbetet pika më e vështirë e didaktikës së re që po lind. Vidio-mësimet dhe çdo lloj aktiviteti në lidhje të njëkohshme (sinkrone) me nxënësit duhet të shërbejnë për t`i "ndjekur" ata, për t'i shoqëruar përgjatë procesit. Këto lidhje duhet të jenë të vazhdueshme, por të përfshira në rregulla të caktuara. Kjo nuk duhet ta kthejë procesin në presion, por nga ana tjetër  kontakti i përditshëm i mësuesit është domosdoshmëri motivuese. Ky monitorim mund të garantohet edhe me mjete të tjera, përveç vidiove sinkrone: video të regjistruara, mesazhe të shkruara, mesazhe audio, etj. Është shumë e rëndësishme që nxënësit duhet ta ndiejnë praninë e vëzhgimit monitorues, me qëllim kujdesin ndaj aftësimit të tyre.

Nevoja për ndërtimin e një didaktike të orientuar për nga puna e pavaruar e nxënësit, nuk duhet të nxitojë të zëvendësojë “detyrat e klasës”; kjo didaktikë duhet të përpunojë  brenda konteksteve kohore të parapërcaktuara planifikimet, përgatitjen materiale. Didaktika duhet ndërtuar duke patur si objektiv organizimin e aktiviteteve të tipologjive të tilla, të cilat nxënësit mund t`i  kryejnë në kushtet e reja, duke respektuar konceptualizimin e nocioneve shkencore në formatin e ri virtual; të formatojë instrumente për vjeljen e rezultateve të këtyre aktiviteteve; t`i deshifrojë  dhe korrigjojë ato; të vlerësojë këto aktivtete duke treguar pikat e forta dhe të dobëta; pasi të jetë përpunuar materiali, të institucionalizojë takimet virtuale me nxënësit. Momenti i takimit duhet të shërbejë për të diskutuar punët e tyre, për t'i rishikuar ato, për t'i vlerësuar ato. Kjo mund të bëhet në mësime video, me forume diskutimi, ose përmes postës elektronike. Madje edhe thjesht, duke dhënë vlerësime tekstuale, mbi të cilat zhvillohen diskutime dinamike, kritike në mënyrë të tillë që të shmangen metodat moralizuese që jo pak herë shoqërojnë punën e mësuesit.  

Vlerësimi i nxënësit është një nga hapësirat më të nevojëshme të procesit mësimor. 

Por vlerësim nuk do të thotë notëzim. 

Notëzimi nuk është proces i përshtatshëm për cilëndo lloj didaktike, dhe aq më pak për DND. Edhe në kushte normale shkolla nuk ka nevojë të "vendosë shumë nota". Pikërisht kjo situatë e pazakontë tregoi se shkolla e bërë mirë nuk ka qëllimin e saj përfundimtar notëzimin. Përkundrazi, MND na mësoi se shkolla mund të bëjë edhe pa nota, por procesi domosdoshmërisht ka nevojë të motivohet dhe këtë  e bën vlerësimi. Këtë formë vlerësimi në përditshmëri mësuesi e quan vlerësim formues, domethënë që synon t'i tregojë secilit nxënës pikat e forta dhe të dobëta.


DND-ja dallimin thelbësor me të gjitha didaktikat pararendëse e gjen te shmangia e riprodhimit të praktikave tradicionale. Duke u gjendur para pamundësisë për të riprodhuar situata e “detyrave në klasë”, mësuesit kalojnë te kontrolli me pyetje virtualisht. Është fare e dukshme që ky devijim bëhet duke pasur si model kontrollin me pyetje tradicionale (që edhe vetë është i diskutueshëm si model) . Ky sistem ka si produkt të pavërtetën, sidomos në këto situata. DND-ja duhet të ndërtohet mbi forma alternative kontrolli: për shembull prezantime të bëra nga nxënësit, bashkëbisedime në grupe të vogla (katër-pesë nxënës), etj. Qëllimi kryesor është të braktiset ideja se dija perceptohet duke mësuar përmendësh. 


Kolegjialiteti, domethënë, bashkëpunimi midis mësuesve, është thelbësor në shkolla gjithmonë. Në këto kushte edhe më shumë. Nëse mësuesit nuk bashkëpunojnë, nuk bien dakord për një plan kohor për aktivitetet e tyre, nuk flasin me njëri-tjetrin për metodat dhe ngarkesën e punës, DND rrëshqet. Të kesh një frymë bashkëpunimi, të heqësh dorë nga individualizmi shpesh i pranishëm në mësimdhënien shqiptare (veçanërisht në AML) është kushti kryesor i DND.


Procesi i DND  për vetë dinamikën e tij, nuk e toleron kohëhumbjen. Zgjidhjet e propozuara duhet të jenë fleksibile, të shpejta. Për shembull: drejtuesit duhet së pari të garantojnë rezultatin, të arrijnë te nxënësit, të mos vendosin kufizime të ngurta në përdorimin e mjeteve ose aspekteve të tjera. Nga ana tjetër, mësuesit duhet të kuptojnë se ata nuk mund të riprodhojnë në asnjë mënyrë situatën e zakonshme të mësimdhënies: për shembull, orët e mësimeve në video duhet të jenë të lehta (nuk mund të jetë kurrë të njëjta me ato të zakonshmet) dhe fleksibël kur është e nevojshme. Edhe këtu duhet të arrihet një ekuilibër shumë i vështirë: nga njëra anë, duke garantuar fleksibilitet dhe hapje, nga ana tjetër, duke u dhënë nxënësve një rutinë të re,  të sigurtë.



Nga Dr.Natasha Poroçani, pedagoge pranë Departamentit të Gjuhës Shqipe në Universitetin e Durrësit

© Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

3,414 Lexime
4 vjet më parë