Parashkollori

Dosjet për parashkollorin

Albas ka përgatitur tre paketa për fëmijët e parashkollorit. Paktet janë të ndërtuara sipas programit të Ministrisë së Arsimit dhe janë të ndara në grupmosha.

Dosja Hop-Hop “Faqet argëtuese” është hartuar në bazë të programit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për ciklin parashkollor sipas fushave kurrikulare: zhvillimi gjuhësor, matematikor, shkencor, artistik, social dhe shëndetësor.


Dosja shoqërohet me një udhëzues dhe plan mësimor për mësuesit dhe prindërit, të cilët do të ndjekin gjatë një viti ecurinë e fëmijëve të moshës 3-4 vjeç.


Çdo mësim ka dy faqe:

-         Faqja e parë është ilustrim me figura, ku fëmija heton, (investigon), lexon figurën,                tregon, dallon, numëron, pyet, përgjigjet, vepron, zgjedh (rrugën drejtimin):

-         Faqja e dytë është fletë pune, ku fëmija kërkon, zbulon, gjen, lidh të njëjtat, dallon                ndryshimet, ngjyros, vizaton, shkruan.

Pra, në çdo faqe fëmija duhet të drejtohet për të mësuar njohuri të reja e për të punuar në mënyrë të pavarur.

9 miqtë e mi

Ky libër, hartuar në përputhje me programin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për edukimin parashkollor, rekomandohet të përdoret për fëmijët 4-5 vjeç. Libri shoqërohet me një udhëzues për mësueset dhe prindërit, të cilët do ta ndjekin ecurinë e fëmijëve gjatë një viti shkollor.


Libri “9 miqtë e mi” është hartuar sipas fushave kurrikulare: zhvillimi gjuhësor, matematikor, shkencor, artistik, social dhe shëndetësor. Libri është strukturuar më 9 kapituj, që iu përgjigjen 9 muajve mësimorë, nga tetori deri në qershor. Në secilin muaj fëmijët do të njihet me nga një personazh: Arusha Ada, Dinozauri Dino, Tigri Tigo, Pinguini Pigo, Majmuni Moja, Flutura Fufu, Patoku Pam, Bretkosa Besi, Lepurushi Lori.


Nëpërmjeti lustrimeve tërheqëse dhe personazheve zbavitëse, fëmija njëkohësisht do të mësojë dhe do të argëtohet.


Çdo mësim ka një ose dy faqe, ku fëmija heton (investigon), lexon figurën, tregon, dallon, numëron, pyet, përgjigjet, vepron, zgjedh (rrugën drejtimin), lidh të njëjtat, dallon ndryshimet, ngjyros, vizaton, shkruan.


Pra, në çdo faqe fëmija nxitet për të mësuar njohuri të reja e për të punuar në mënyrë të pavarur.


Një mësim mund të punohet disa orë mësimore, sa e sheh të arsyeshme mësuesja për të realizuar objektivat e parashikuar. Në krye të çdo faqeje janë disa kërkesa që përmbajnë thelbin e veprimit që duhet të bëjë fëmija. Këto kërkesa e orientojnë prindin për punën që mund të bëjë fëmija në kushte shtëpie.

Luaj me shkronjat

Kutia “Luaj me shkronjat” përmban fisha kartoni me 36 shkronjat e gjuhës shqipe. Secila shkronjë shoqërohet me nga një figurë.


P.sh.: 

-         shkronja A = ANA (personazh i kutisë)

-         shkronja B = BALONA ... etj

Pas njohjes së shkronjës dhe figurës, fëmijët do të kalojnë në një etapë tjetër: atë të fjalëformimit. Kjo lojë mund të luhet edhe në kompjuter me ana të CD-së që shoqëron kutinë.


Loja abc

Loja elektronike ABC i mundëson fëmijët që të mësojnë shkronjat e alfabetit, bashkëtingëlloret dhe zanoret nëpërmjet anës vizuale dhe të dëgjuarit. Mësimi i shkronjave përforcohet nëpërmjet lojës me figura, ku dallohet shkronja e parë me të cilën fillon fjala. Loja shoqërohet me një zë të ngrohtë e miqësor që e ndihmon kur fëmija gabon dhe e udhëzon atë për mësimin e saktë të tingullit e të shkronjës për fiksimin e fjalës së shkruar dhe të folur.


Një hap drejt shkollës

Kjo paketë, hartuar në përputhje me programin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për edukimin parashkollor, rekomandohet të përdoret për fëmijët 5-6 vjeç. Paketa shoqërohet me një udhëzues për mësuesit dhe prindërit, të cilët do ta ndjekin ecurinë e fëmijëve gjatë një viti shkollor.

Teksti “Unë dhe shkronjat” është ndërtuar mbi bazën e këtyre linjave të programit: gjuhë për komunikim; gjuhë për të menduar; lidhja e tingujve me shkronjat; të shkruarit fillestar.

Teksti është ndërtuar mbi bazën e shkronjave të alfabetit. Çdo shkronjë studiohet më vete nëpërmjet një figure, e cila përmban një tregim. Po kështu nëpërmjet ushtrimeve fëmijët lidhin tingullin me shkronjën dhe ushtrohen të njohin dhe të shkruajnë shkronjat e mëdha të shtypit.

Teksti “Unë dhe mjedisi” është ndërtuar mbi bazën e këtyre linjave të programit: Pjesa e parë-vetja ime dhe të tjerët, familja ime dhe të tjerët, kopshti im, vendbanimi im, lodrat dhe lojërat.

Pjesa e dytë hapet me njohuritë për natyrën; fëmija drejtohet të vëzhgojë natyrën dhe të dallojë nga se përbëhet ajo. Vëren ngjyrat, format dhe përmasat e ndryshme të objekteve që ndesh në natyrë duke vëzhguar botën bimore, shtazore dhe njeriun si dhe gjithçka përreth, fëmija dallon natyrën e gjallë nga jo e gjalla.

Teksti “Unë dhe numrat” është ndërtuar mbi bazën e këtyre linjave të programit: numri, gjeometria dhe orientimi në hapësirë, matja, marrëdhënia dhe funksioni. Të gjitha njohuritë matematikore jepen nëpërmjet vizatimeve dhe situatave të shumta, të cilat i krijojnë mundësi mësuesit / prindit t’i organizojë në formë loje. Figurat e objekteve që përdoren për numërim apo për t’u krahasuar, janë të njohura për fëmijët, pasi merren nga jeta e përditshme.

Teksti “Unë dhe arti” është ndërtuar mbi bazën e këtyre linjave të programit: Pjesa e parë-proceset fillestare të vizatimit (vijat, ngjyrat);

Pjesa e dytë – materialet e  ndryshme për vizatim;

Pjesa e tretë – krijimi i lirë artistik.

Edukimi muzikor realizohet nëpërmjet një CD-je me 12 këngë të shoqëruara me tekstet e tyre.


(Portali Shkollor)

25,020 Lexime
7 vjet më parë