Do zbatohen dy projekte me nxënësit e shkollave fillore

Në takimin me drejtuesve të Sektorit për Arsim, Kulturë dhe Sport të Komunës së Gostivarit, përfaqësuesve të Sektorit të Punëve të Brendshme në Tetovë dhe Stacionit Policor të Gostivarit, u prezantuan projekte

Sektori për Preventivë në suaza të Sektorit të Punëve të Brendshme në Tetovë në bashkëpunim me Stacionin Policor, Komunën e Gostivarit dhe drejtorit e Shkollave fillore, në periudhën në vazhdim do të zbatojnë dy projekte me karakter preventiv në të gjitha shkollat publike fillore të Gostivarit.

Në takimin me drejtuesve të Sektorit për Arsim, Kulturë dhe Sport të Komunës së Gostivarit, përfaqësuesve të Sektorit të Punëve të Brendshme në Tetovë dhe Stacionit Policor të Gostivarit, u prezantuan projektet që pritet të realizohet në ditët në vazhdim.

Fillimisht, koordinatori i Sektorit për Arsim, Kulturë dhe Sport në Komunën e Gostivarit, Edit Azizi shpreh mirënjohje deri tek drejtuesit e Sektorit të Punëve të Brendshme në Tetovë dhe Stacionit Policor të Gostivarit për projektet preventive të realizuara me nxënësit e shkollave të Gostivarit, duke premtuar mbështetje të gjithanshme edhe në të ardhmen për iniciativat e tilla.

Kadri Avziu inspektor i pavarur në Sektorin për Preventivë në suaza të Sektorit të Punëve të Brendshme në Tetovë, prezantoi projektet që do të realizohen.

Projekti i parë që do të zhvillohet në shkollat fillore të Gostivarit, respektivisht me nxënësit e klasave të nënta, parashikon ligjërata dhe broshura në gjuhën amtare kundër konsumimit të alkoolit, drogave dhe substancave të ndryshme narkotike që kanë ndikim negativ në shëndetin e njeriut.

Avziu tha që: “Ligjëratat janë paraparë të zgjasin sa një orë mësimore dhe përfaqësues të aftësuar dhe përgatitur paraprakisht nga Sektori për Preventivë në suaza të Sektorit të Punëve të Brendshme në Tetovë, do të njoftojnë nxënësit në gjuhën e tyre amtare me rreziqet që sjellin konsumimi i lëndëve të tilla narkotike dhe alkooli”.

Projekti i dytë ndërlidhet me Lojërat e Fatit. Policia e koordinuar me Institucionet kompetente do të vëzhgon nga afër objektet që merren me organizimin e lojërave të fatit, përfshi çështjen e funksionimit të tyre në bazë të ligjeve, si dhe praninë eventuale të personave të mitur nën moshën 18 vjeçare.

“Me nxënësit e shkollave fillore nga klasa e pestë deri në të nëntën do të mbahen ligjërata për tu shpjeguar atyre pasojat nga frekuentimi i bastoreve sportive apo objekteve të tjera ku organizohen lojëra të fatit.

Paralelisht, Policia do të ndjek funksionimin e objekteve të tilla. Nëse do të hasen persona nën moshën 18 vjeçe duke luajtur lojëra fati, në bashkëpunim me organet kompetente do të merren masa ndaj pronarëve të subjekteve juridike. Sipas ligjit, masa do të merren edhe për prindërit e fëmijëve që do të hasen në objekte të tilla”, tha Azviu duke shtuar që këto aktivitete preventive po ndërmerren me qëllim që të parandalohen dhe fëmijët të qëndrojnë larg dukurive të tilla devijuese.

Komuna e Gostivarit në bashkëpunim me Sektorin për Punë të Brendshme në Tetovë dhe Stacionin Policor në Gostivar, edhe në të kaluarën ka realizuar projekte të shumta të kësaj natyre nëpër shkollat fillore dhe të mesme publike.

(Tetova Sot)

1,895 Lexime
8 vjet më parë