INTERVISTË

Dita Ndërkombëtare e Shkrimtarëve – Intervistë me shkrimtarët e rinj drejtuar studentëve

Shkrimtarët e rinj janë shembulli i duhur për t’u treguar aspiruesve të rinj, studentëve, përse nuk duhet hequr dorë nga shkrimet, paçka barrierave të realitetit. Autorët e rinj Adrian Zalla, dhe Meti Disha, në një rrëfim të veçantë për Portalin Shkollor Albas.

Shkrimi shërben si terapi ndaj vetes, si fanar drite në zbulimin e dimensioneve të brendshme, si zë i fortë në qasjen ndaj tjetrit, si mjet për krijimin e një bote ndryshe, e shpeshherë më të mirë nga sa duket. Dita Botërore e Shkrimtarëve u themelua në fundin e shekullit XX nga klubi i shkrimtarëve “PEN”, bashkim i shkronjave të para të emrave “poet”, “eseist” dhe “novelist”. 


Kjo ditë u kushtohet të gjithë shkrimtarëve, eseistëve, novelistëve, gazetarëve, satiristëve, poetëve, skenaristëve, historianëve. 


Shkrimi do të ruaje fuqinë e komunikimit dhe ndërtimit, sa kohë brezat nxjerrin shkrues pasionantë, të rinj, të cilët duhet të brohorasin veprat e tyre pa droje, pa frikë. Shkrimtarët e rinj janë shembulli i duhur për t’u treguar aspiruesve të rinj, studentëve, përse nuk duhet hequr dorë nga shkrimet, paçka barrierave të realitetit. Adrian Zalla, autor i veprës “Një histori ngritur mbi imazhe të prera”; Meti Disha, autor i veprës “Të mjaftueshmëve me gjëra të vogla”. 



Xhoana Jaku: Të shkruarit vjen si komunikim intim. Dikush shkruan pasi ndihet mirë, dikush ngre një problematikë, apo shtjellon një teori, e sërish, kërkimi i lirisë gjatë procesit të shkrimit është pa dyshim i pari. A ka pasur momente kur jeni shtrënguar të jeni mekanik në shkrim, ndoshta nga puna apo situata të ndryshme, duke kuptuar se kjo formë shkruese ju shkakton revoltë dhe pakënaqësi? Si keni vepruar? A është përshtatja një alternativë?



Adrian Zalla: Duhet të kemi parasysh, jo të gjithë ata që shkruajnë apo prezantohen para një tregu të caktuar mund të quhen shkrimtarë! Mendoj se zhanret e shkrimeve janë të pafundme, sidomos në kohët e sotme ku po lindin profesione të reja me zhvillimin e teknologjisë, duhet të kemi shumë kujdes me përkufizimet. Fakti që në Shqipëri nuk ka një matës apo një instancë vlerësuese ose përzgjedhëse, e bën tregun kaotik, kështu nuk ndahet fjala vjen mes një blogeri që ushqehet me citate dhe një poeti njëlloj! Pastaj arsyet se pse një njeri shkruan janë të pafundme dhe shpesh shumë personale dhe intime. Për t’iu përgjigjur pyetjes suaj, jo nuk ka pasur, duhet të ndodhë diçka që të më shtyjë të shkruaj, diçka që më ndikon emocionalisht fort dhe krijon një brengë, ose plasarit një brengë të së shkuarës që pluhurat e kohës e kanë mbuluar. I vetmi proces mekanik për mua është rishkrimi, riparja, dhe krasitja për të ruajtur linjën e kohezionit dhe koherencës!



Meti Disha: E shoh shkrimin si një proces që duhet të më shërbejë mua së pari, ndaj edhe ku shkruaj, jam në një qetësi apo nevojë të vazhdueshme për të kuptuar veten. Kjo gjë nuk mund të ndodhë mekanikisht, por shkon njësh me jetën. Nuk jam shkrimtar që e cilësoj shkrimin si proces pune, është kjo arsyeja përse shkruaj rrallë e pak. Shkrimtari, duke përsiatur e duke menduar, ka brenda vetes një rezervuar ku mblidhen idetë e letërsisë e të artit, ashtu si një rezervuar mbledh rrëketë e ujit, dhe unë shkruaj kur jam mbushur, kur ka pasur reshje gjatë ditëve. Ndodh që ka edhe periudha thatësire, ama nuk gërmoj për puse, pres. 



Xhoana Jaku: Shkrimi është mënyrë jetese. Profesionet e lidhura me shkrimin kërkojnë mendime dhe komente mbi situata të jetës reale, ngjarje dhe dinamika, duke pasuruar mendimin kritik apo letrar të popullit. Megjithatë, përtej së dukshmes, nëse do shpreheshit me një shifër të përafërt, sa për qind e shkrimeve tuaja nuk përdoren për publikim, por vetëm për kënaqësi personale, terapi, nga ato shkrime që ju ndihmojnë të rriteni si individ, aq intime sa t’i ruani nga masa? 



Adrian Zalla: Rreth 70% e shkrimeve janë personale, sidomos pjesa e notes në telefon! Lexuesi ynë ka një mungesë edukimi dhe orientimi të frikshme, dhe mania për ta përcaktuar një poet ose shkrimtar me një epitet ose një fushë të caktuar krijon barrierat e veta, fjala bie heroik, lirik, erotik etj.


Meti Disha: Do të thosha se pjesa e shkrimeve që nuk i publikoj, që veç unë duhet të jem lexuesi i tyre, pasi unë ua kam nevojën, janë pjesa dërrmuese që e tejkalon pjesën e atyre që publikoj. Sigurisht, shkëputje apo copëza prej atyre shkrimeve që i kam terapi për veten, i ndaj me ndjekësit (në llogarinë e Instagramit ‘poetët e shiut’ ) dhe ndodh që ata gjejnë veten e tyre në to. Është pjesë e vështirë të nxjerrësh prej vetes kumte për vete, kërkon vërtetësi që, shpeshherë, cilësohen si të zorshme për t’u përtypur, sepse shpesh ne kemi frikë nga të vërtetat që njëra anë e jona priret të mos i pranojë. Mirëpo, kjo është njëra nga mënyrat që unë di se si të shërohem tërësisht nga ideja e mosnjohjes së vetvetes. 



Xhoana Jaku:Rinia është e ardhmja. Ndërkohë, kur gjendemi përballë një realiteti të brishtë, ku shkrimet përqafohen sa për mirësjellje, dhe me shkrime zakonisht u referohem kurioziteteve, kronikave rozë, horoskopit apo lajmet, pra shkrimet e shkurtra, pasi më thellë hasim interesim të vagëllt, çfarë qëndrimi mbani ju si shkrimtar mbi këtë vëzhgim të përgjithshëm? Çfarë do kërkonit të ndryshohej nga brezat e rinj?



Adrian Zalla: Pyetja ngre diskutime të mëdha shoqërore dhe pyetja është shumë e përgjithshme! Do doja të ndryshoheshin kushtet dhe mundësitë për të rinjtë! Brezat e rinj mund të përpiqen të ndryshojnë apo të rrëzojnë sisteme, por sa kohë kemi një shoqëri të polarizuar kemi edhe qytetarë e artistë që ndahen në të nënës e të njerkës. Do kërkoja të mos hiqnin dorë!


Meti Disha: Shiko, nuk është e çuditshme që pacientët të mos e dinë diagnostifikimin e një sëmundjeje, dhe madje ndodh shpesh që njerëzit nuk duan t’i dinë sëmundjet që kanë, derisa vjen çasti kur dhimbja bëhet e dukshme dhe nevoja i nxit drejt kurës. Kështu, edhe leximi i letërsisë së mirë është nevojë jetike për të mbajtur gjallë shpirtin njerëzor. Ne lexojmë për të kuptuar veten, përndryshe ç’na duhet Don Kishoti, Hamleti, apo Raskolnikovi, përveçse për të kuptuar anët tona të mira e të errëta. Duke qenë se sot masa priret drejt “filozofisë boshe” të shkrimeve, lajmeve, këngëve, filmave, emisioneve që u serviren e që nuk i përftojnë asgjë arsyes, mendjes, zemrës e shpirtit njerëzore, ata në fakt vetëm sa orvaten duke pritur deri në çastin e përkitjes me dhimbjen, për të kërkuar më pas, medoemos, kurën. Kësisoj, sado që njerëzit të priren drejt këtyre kotnive, vjen çasti kur ata do ta duan artin dhe cilësinë dhe, atje, te stacioni i duhur i përkitjes me vetveten, i pres. Do doja brezat e rinj të bënin një gjë, vetëm një gjë: të shihni veten më shpesh në pasqyrë, që të mos vonojnë për tek ai stacion. 



Xhoana Jaku: Në një plan të dytë, tregu favorizon shkrimet e shkurtra, emotive dhe personale. A mendoni se veprat e mirëfillta rrezikojnë të humbasin nga fenomeni i blogut, apo jeni të mendimit se dhe leximet përshtaten dhe ndryshojnë sipas ritmit të zhvillimit njerëzor? 



Adrian Zalla: Pyetjes do i përgjigjesha me një përgjigje të thjeshtë: blogjet paraqesin një rrezik të madh, atë të krijimit të bujës së pamerituar që ndodh rëndom në vendin tonë të vogël! Ndërsa duhet të kemi të qartë një herë e përgjithmonë që kryeveprat nuk janë bestsellera, njëlloj si një blog, qoftë edhe letrar, nuk është një vepër mirëfilli letrare! 


Meti Disha: Mendoj se një vepër e mirë dhe cilësore e gjen rrugën për te lexuesi dhe për te piedestali i njohjes mbarë. Sado të vonojë, sado që tregu sot promovon letërsi limonadë dhe tallava të përkthyer nga letërsia e huaj, mendoj se kriteri, treguesi dhe përzgjedhësi më i mirë i një vepre është lexuesi dhe për këtë nuk kam dyshim. Ndoshta koha vonon, por nuk e zbeh dot veprën e mirë që ka brenda një kumt madhështor për t’ia rrëfyer lexuesve të saj. 



Xhoana Jaku:Në ditën ndërkombëtare të shkrimtarëve, mund të ndani një citim ose pasazh që jeton me ju prej vitesh, duke u kthyer edhe në mantrën tuaj motivuese?



Adrian Zalla: Duhet guxim i madh për të mbetur vetja në një botë që përpiqet çdo sekondë të të tjetërsojë!


Meti Disha: Do të thosha se udhëheqësi im shpirtëror deri tani ka qenë Rumi, me diturinë dhe largpamësinë e tij përtej të gjitha komplekseve njerëzore, dhe ky citim prej tij, mjafton për t’u ndarë këtu me ju:“Pjekuria shpirtërore fitohet kur pushojmë së shtuari ‘lumturinë’ gjërave materiale!”




Intervistë me shkrimtarët Adrian Zalla dhe Meti Disha

Intervistoi: Xhoana Jaku


©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.


1,637 Lexime
2 vjet më parë