Dhuna ndaj fëmijëve, çudia që nuk zgjat vetëm tre ditë...
I dashur bashkëqytetar! E di qe je i tronditur nga çfarë ke parë këto ditë dhe ditë përpara, por ti, zëri yt dhe gjithçka që bën është një mundësi e mirë që duke filluar nga sot të ndryshosh sado pak këtë realitet...
“Vajza ime ‘E’ është 4 vjeç. Vrapova nga fundi i dhomës së ndenjies për t'ia rrëmbyer nga duart të atit të saj, i cili, prej refuzimit që ‘E’ i bëri ushqimit, i papërmbajtur në zemërimin e tij të zakonshëm, fillojë ta godasë në fytyrë dhe në kokë. Nuk mbaj mend sa herë të tjera vajza ime ka përjetuar dhunë dhe më së shumti ka parë dhunën që im shoq ka ushtruar ndaj meje. Ajo është vetëm 4 vjeç...”
“Djali im ‘A’ është tre vjeç e gjysëm. Vetëm katër ditë më parë zbuluam se edukatorja e tij e friksonte vazhdimisht atë dhe miqtë e tij se, nëse nuk flinin gjumë, një mi i madh do të vinte të hante gjymtyrët e tyre. Çdo natë, ‘A’ qante në ëndërr dhe një ditë ai më tha se çfarë i thoshte “S.L” përpara se të flinin”.
“Vajza ime gjashtë vjeç e gjysëm sapo ka filluar klasën e parë. Ajo që prej muajit të parë nuk donte të shkonte më në shkollë. Thotë se mësuesja e tyre është shumë e egër. Ajo bërtet gjithë kohës dhe i peshon nga veshët ata që nuk sillen mirë në klasë...”
“Djali im 5 vjeçar ‘R’ i thotë motrës së tij më të vogël ‘qepe’, ‘mbylle gojën’, ‘shshsheeet’, ‘idiote’, ‘mistrece’ etj, sepse dadoja e tij i thotë të njëjtat fjalë, kur ‘R’ nuk bën atë që pritet prej tij...”
Këto dhe shumë të tjera të ngjashme janë disa prej dëshmive pa figurë të ndara gjatë seancave të këshillimit me nënat e disa fëmijëve të vegjël. Këto histori nuk janë aspak të ndryshme nga historia që ne të gjithë pamë dhe përjetuam ditët e fundit kur një edukatore ushtronte dhunë ndaj një fëmije të mitur. Aspak e ndryshme nuk është as historia e fëmijës jetim vetëm tre vjeç në qytetin e Durrësit. Sikurse nuk është aspak e ndryshme historia e fëmijëve që shikojnë nënën e tyre të rrihet në mes të rrugës nga shkelmat e grushtat e babait, që qartazi duket se brenda mureve të shtëpisë e ka kryer këtë akt shumë herë më tepër se ç’panë sytë tanë.
Historia e ditëve të fundit nuk vjen e treguar si një “përrallë” që zgjedhim të ketë ndodhur ose jo, por si një realitet me figurë, se vetëm kështu ne nuk do të mund të fshehim në mënyrën më hipokrite të mundshme se fëmijët tanë janë të sigurtë brenda mureve të institucioneve të edukimit, qofshin ato shtetërore apo publike. Fëmija është vetëm 3 vjeç! Ai u dhunua fizikisht dhe psikologjikisht, nga një prej individëve me humanitet “të djegur” brenda mureve të shoqërisë shqiptare. Nuk kishte as fjalë të tregonte si ndihej në ato momente dhe nuk arrinte të bënte asnjë gjë për të ndalur forcën aq të madhe dhe të frikshme të një të rrituri, por thjesht zgjati dorën e vogël me shpresën se mos përfitonte pak qetësi dhe se mbase, i gjithë ai mankth shpejt do të përfundonte.
Të gjithë ne që i pamë dhe i përjetuam ato pamje u shtangëm dhe e urryem fort dhunën ndaj fëmijës. Edhe unë u përfshiva nga emocionet e forta të urrejtjes dhe si pa e kuptuar më pushtoi një frikë e madhe, e pashpjegueshme për momentin. Kaluan ditë dhe reflektimi që më kishte mbërthyer ditë dhe netë më ndihmoi të kuptoj pjesërisht, aq sa unë të arrija të “shikoja” pse reagimi im dhe i të gjithëve ne ishte aq agresiv dhe i pamëshirshëm. Fundja pse mua më dukej aq i drejtë në raport me atë çfarë të gjithë kishim parë...?! Pse isha e pushtuar nga një ndjenjë kaq e fortë frike?! Përgjigjen që unë i kam dhënë dua ta ndaj me ju të dashur bashkëqytetarë. Kjo ishte arsyeja pse ky artikull erdhi vetëm sot. Frika, që kaq fort kishte mbërthyer qënien time vinte nga mohimi që çdo ditë unë i kisha bërë këtij realiteti.
Si profesioniste përballem thuajse çdo ditë me fenomenin dhe vetëm atëherë kur e pashë me figurë u trondita se të gjithë u tronditën, e panë lakuriqësinë e pushtetit të dhunës që ne, nën petkun e sipërfaqësisë e mbulojmë, por ai është aty, ne e kemi dhe e ushtrojmë. U frikësova sepse përballë të vërtetës, u gjenda në hipokrizinë e petkut të njeriut “të mirë”, e njeriut të “anës tjetër”, por në fakt, ne jemi të brishtë dhe të “aftë” të bëjmë kësisoj gjërash me fëmijët tanë, forma e së cilës tashmë në kokën time nuk kishte më rëndësi. U frikësova sepse u ndjeva e pasigurtë për veten dhe për fëmijën tim dhe për të gjithë fëmijët e tjerë që tashmë po filloja t'i shikoja me një sy më të vërtetë. Dhuna ishte tek të gjithë ne...
Fëmija i cili hedh fluturimthi hapat e parë për të komunikuar me botën është i programuar që në pamjen e tij fëminore dhe në dinamikën shpirtërore të dhurojë një ftesë dashurie për ndihmë, në varësi të botës në të cilën jeton drejt një bote që pret t'i kthejë dashuri. Shpresa është e madhe si buzëqeshja e sinqertë, me gugatje të çiltra falënderimesh, lojëra “budallaqe” për të kuptuar ambientin që e rrethon, me krahë të vegjël, por me hapësirë të madhe për të përqafuar fort të gjithë ata që i shikon si personat që do t'i konfirmojnë: “je mirë këtu me mua...je i sigurtë...të dua!”
I dashur bashkëqytetar! E di qe je i tronditur nga çfarë ke parë këto ditë dhe ditë përpara, por ti, zëri yt dhe gjithçka që bën është një mundësi e mirë që duke filluar nga sot të ndryshosh sado pak këtë realitet, se britmat e revoltës do të mbarojnë mbas disa orësh, pas disa ditësh dhe habia do të pushojë në heshtje. Ajo që nuk ka ngushëllim është se dhimbja mbetet tek fëmija dhe e nesërmja vjen shumë shpejt. Do të duhet të përballemi me një tjetër histori dhune dhe do të duhet “me e duru” edhe atë me po kaq gjaknxehtësi qytetare. Por a mjafton vetëm kaq? A mund të shfajsojë reagimi ynë i ashpër verbal të gjithë realitetin me të cilin përballemi në të vërtetë? A do të mundemi ne një ditë të kemi kurajë dhe ndershmëri të përballemi hapur me këto modele dhune që ekzistojnë prej kohësh brenda nesh?
Unë mendoj se ne, tashmë prej frikës së pandërgjegjshme, se këto modele dhunë ekzistojnë edhe brenda nesh, reagojnë fuqishëm për t'i çjerrë maskën të tjerëve, por në fakt maska më hermetike që do të duhet të çjerrim është ajo e jona. Shumë prej nesh vijnë nga familje ku dhuna është pjesë e jetës së përditshme, ku babai është “zot” shtëpie bëhet siç thotë ai dhe fëmija nuk e ka thuajse asnjëherë mundësinë të kuptojë “pse”-në. Ai, kryetari i familjes, kërkon që të kontrollojë gjithçka edhe frymëmarrjen e gruas apo fëmijëve të tij dhe kokulur gruaja pret se cila do të jetë “fjala e artë” që do të sjellë burri në shtëpi, se më të mënçur se ajo nuk ka dëgjuar ndonjëherë. Kjo grua e mjerë ka filluar ta besojë dhe kështu i ka treguar dhe mësuar ta bësojnë edhe fëmijët e saj. Kështu i ka bindur edhe ajo fëmijët e saj kur ata janë të “padëgjuar”,“të pambarë”, me dhunë. Edhe sikur ajo të mos flasë ngjarjet e katër mureve të shtëpisë flasin vetë dhe prej gjithë kësaj fëmijët mësojnë se çdo gjë zgjidhet me autoritet, me dhunë dhe me dhimbje. Kështu ai/ajo janë modele të këtij realiteti dhe shumë shpejt do t’ua trashëgojnë bijëve të tyre dhe të gjithë atyre të tjerëve që janë më të dobët se ata.
Ju qytetarë jeni nëna, baballarë, edukatorë, mësues, etj. Ju jeni ata që keni në dorë të ndryshoni këtë trashëgimi, t'i jepni vlera të tjera duke marrë masa ndaj veprimeve tona dhe të përçojmë modele të tjera. Të gjitha përshkrimet e historive më sipër janë modele që ne i kemi legjitimuar si pjesë integrale e edukimit sot. Por “çudia” nuk është tek një episod dhune që ne e shikojmë me figurë, “çudia” më e madhe është jeta e këtij individi të dhunuar, që sigurisht, nuk është më me besimin e merituar të një fëmijë se “bota është një vend i sigurtë...” Që prej kësaj dite fillon kalvari i vështirësive që ky individ do të përballet me veten e tij dhe me botën që e rrethon. E pra, shprehja “çudia më e madhe tre ditë zgjat” në këtë rast është qesharake dhe e pavend. Dhuna tek fëmijët është “çudia” që ndryshon dramatikisht të ardhmen e këtyre të fundit deri sa mbyllin sytë.
(Nga Drnt. Denata Toçe)
65 tituj të rinj, ALBAS ju pret në Panairin e Librit!
“Fshesarja e Republikës”, Anisa Markarian rrëfehet për romanin e saj të ri
"Më quajnë Nexhmije Pagarusha", intervistë me autoren Meliza Krasniqi