Libër i ri

“Dashuria, fantasia”

Ky roman sjell me imtësi atmosferën, ngjyrat, zhurmat e këtyre ngjarjeve historike, por edhe praninë dhe psikologjinë e personazheve historike.

Romani “Dashuria, fantasia” (lojëra të ndryshme tradicionale luftarake, kalërimi algjerian) është një paradë historike, një dialektikë midis të shkruarit (në frëngjisht) dhe të folurit (në arabisht), një hetim mbi natyrën e identitetit algjerian, por edhe një “arkeologji e brendshme”. Kjo paradë historike fillon me pushtimin e Algjerit më 1830, deri në Luftën e Pavarësisë (1954-1962).


Djebar-i bazohet në arkivat dhe rrëfimet e dëshmitarëve okularë, shkruar në atë kohë nga artistë, oficerë, publicistë dhe ushtarë të ndryshëm të panjohur. Këto episode përshkruajnë akte barbarie të kryera nga francezët, të cilët shfarosën fise të tëra, si dhe përvoja individuale, që nënvizojnë krenarinë dhe guximin e pashoq të algjerianëve përballë pushtuesit. Ky roman sjell me imtësi atmosferën, ngjyrat, zhurmat e këtyre ngjarjeve historike, por edhe praninë dhe psikologjinë e personazheve historike.


Rrëfimet e grave janë pasqyruar imtësisht në roman. Fjalët, modestia, shprehjet lakonike dhe mënyra e tyre popullore e të shprehurit: dialogu mes të kaluarës së afërt dhe asaj më të largët; mes përvojës personale dhe asaj kombëtare; mes shkrimit dhe të folurit; mes gjuhës së babait dhe të nënës.


Shkrimtarja, e dashuruar me muzikalitetin e frëngjishtes, përdor një fjalor mahnitës e të larmishëm. Stili i saj mund të pengojë lexuesin e pa mësuar me një ekstravagancë të tillë verbale. Por rezultati është një vëmendje e jashtëzakonshme te detajet, thirrje e të gjitha shqisave. Në këtë kërkim autobiografik, gjithçka bashkohet më në fund në një lëvizje të dyfishtë: në rizbulimin e kulturës dhe natyrës së saj, dhe zbulimin e anës femërore dhe përkatësisë me gratë arabe dhe nënën e saj. Romani fillon me figurën babait - një përkatësi me frëngjishten; fundi i romanit është një përkatësi femërore me kulturën algjeriane, e bazuar tek emocionet.


(Portali Shkollor)

3,014 Lexime
7 vjet më parë