Claudio Magris në Tiranë, bashkëbisedon me lexuesit
Në aktivitetin e organizuar nga Instituti Italian i Kulturës, Biblioteka Kombëtare Tiranë në bashkëpunim me Shtëpinë Botuese Albas u promovua libri “Danub” në gjuhën shqipe.
“Danub”, romani i përkthyer në shqip nga përkthyesja Alma Hafizi dhe i botuar nga Shtëpia Botuese Albas, sollën në Tiranë, në Bibliotekën Kombëtare, autorin e librit, shkrimtarin italian Claudio Magris.
Claudio Magris, një nga autorët në listën e kandidatëve për çmimin Nobel ishte i pranishëm në promovimin e librit më të vlerësuar nga kritika botërore, “Danub”.
Në aktivitetin e organizuar nga Instituti Italian i Kulturës, Biblioteka Kombëtare, në bashkëpunim me Shtëpinë Botuese Albas ishin të pranishëm shumë personalitete, gazetarë dhe lexues.
Gjatë diskutimit, përkthyesja Alma Hafizi tha ndër të tjera se libri i Magris-it është si një udhëtim që ndërthur imagjinatën dhe realen, duke rindërtuar mozaikun e qytetërimeve të Europës Qendrore.
“Shumë nga librat e Claudio Magris-it trajtojnë, në mënyra të ndryshme, temën e kufijve, të çdo lloji: kombëtarë, politikë, psikologjikë, shoqërorë, kulturorë, etnikë, fetarë, madje edhe të kufijve brenda vetes. Një ndër pyetjet më të shpeshta që bëjnë gazetarët ka të bëjë me Shqipërinë, e cila në libër përmendet disa herë. Pyetja që shpesh ngremë është se cili është imazhi i një vendi të vogël...”, tha drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, Persida Asllani.
Shkrimtari Magris foli për zanafillën e këtij libri. “Danub” mori jetë nga përvoja e një udhëtimi të shkrimtarit me bashkëshorten drejt Sllovakisë, deri në kufirin me Europën Lindore, shumë më parë se të binte Muri i Berlinit. Por nuk ka mjaftuar një udhëtim që shkrimtari të përfundojë librin, ai ka bërë plot katër udhëtime.
Sipas Claudio Magris-it, udhëtimi në qytetërimin europian nuk zgjon vetëm interes letrar, por edhe për shkencat ku dëshmohet ekzistenca parahistorike e një qytetërimi europian, që identifikohej nga besimi, arti, arkitektura, urbanistika, bujqësia, kultura e të shkruarit.
Autori i u shpreh shumë i kënaqur që ishte i pranishëm në promovimin e këtij libri. Ai falënderoi përkthyesen Alma Hafizi pasi për të, të përkthesh është sikur të rishkruash sërish një vepër dhe kjo nuk është e thjeshtë, prandaj ky botim në gjuhën shqipe është meritë e të gjithëve, e përkthyeses, e Shtëpisë Botuese Albas dhe, sigurisht, e tij.
Drejtoresha e botimeve në Albas, Rita Petro, teksa falënderoi shkrimtarin Claudio Magris, theksoi se është shumë e rëndësishme që Botimeve Albas u shtohet një libër i këtij niveli. Sipas saj, ajo çka do të mbetet gjatë në mendjen e të gjithëve është ky takim dhe bashkëbisedim nga afër me autorin e “Danub”. Fjalën e saj, Petro e shoqëroi me një fragment të shkëputur nga ky libër, duke përcjellë edhe një mesazh për shoqërinë shqiptare.
Diskutimet e të pranishmëve me shkrimtarin italian vijuan dhe në mbyllje, Claudio Magris-i firmosi librat e të pranishmëve dhe në kujtim të këtij prezantimi, aparatet fotografike dhe kamerat fiksuan çastet që do të mbeten gjatë në mendjen e të pranishmëve.
Danub
Peizazhe,humor, takime e reflektime të një udhëtari sternian, që rrugëton, me përkushtime dëshirë përgjatë lumit të vjetër, që nga burimet e tij e deri në Detin e Zi,duke risjellë njëherësh në kujtesë vetë jetën dhe stinët e kulturës bashkëkohore, faktet e njohura dhe brengat e saj. Një itinerar, i përzier mes romanit dhe sprovës, që ndjek kulturën si përvojë jetësore përmes vendeve të vizituara e të eksploruara dhe rindërton mozaikun e qytetërimeve të Europës Qendrore, me tërë larminë e popujve e të kulturave; skicon profilin e saj përmes gjurmëve të historisë së madhe dhe të atyre fragmentare të jetës së përditshme.
Udhëtimi, real dhe imagjinar njëherësh, aventura e brendshme, dokumentet arkivore të shumta e të hollësishme ushqejnë trillin letrar dhe shmangiet fantastike të një udhëtari kureshtar për vendet, librat dhe njerëzit, duke krijuar një Dekameron danubian në miniaturë, me histori e ngjarje, fate individuale e kolektive, të mbetura pa zot brigjeve të lumit dhe të kohës. Danub është rruga e pështjelluar në kërkim të kuptimit të jetës dhe të historisë, që nga atlaset e Europës së vjetër e deri në ditët tona.
Claudio Magris lindi në Trieste më 1939. Është profesor i letërsisë gjermane në Universitetin e Triestes, bashkëpunëtor i gazetës prestigjioze Corriere della sera, autor i shumë veprave letrare dhe eseistike, ndër të cilat përmendim l mito asburgico. Umanità e stile del mondoaustroungarico nella letteratura austriaca moderna (1963), Itaca e oltre (1982), L’anello di Clarisse. Grande stile e nichilismo nella letteratura moderna (1984), veprat teatrore Stadelmann (1988), Un altro mare (1991), Microcosmi (1997 çmimi Strega), Utopia e disincanto (1999), L’infinitoviaggiare (2005), La storia non è finita (2006), Alfabeti. Saggi di letteratura (2008), Livelli di guardia. Note civili (2011). Danub (1986) vlerësohet si kryevepra e tij.
(Albina Hoxhaj, Portali Shkollor
Foto: Felix Bilani)
Teste për vetëkontroll dhe teste për vetëvlerësim
65 tituj të rinj, ALBAS ju pret në Panairin e Librit!
"Më quajnë Nexhmije Pagarusha", intervistë me autoren Meliza Krasniqi