Profil

Çfarë do të thotë të jesh studente e infermierisë në Shqipëri këto kohë? Rrëfehet ekselentja Geraldina Mançka

Ajo është ndër të paktat studente të infermierisë në Shqipëri shpresëplotë që ky profesion një ditë do të marrë vlerësimin e merituar. E vendosur për të përmirësuar figurën e infermierit në Shqipëri, punon me shumë pasion për t’ia arritur.

Edhe pse e pranon që është pak idealiste dhe beson në ëndrra e mëdha, megjithëse shpirti i saj luftarak ia lejon një gjë të tillë. Them shpirt luftarak se, përveçse është një studente e përkushtuar dhe ekselente në mësime, ajo ka guximin t’i kundërshtojë padrejtësitë dhe të çojë zërin ndaj këtyre të fundit.

“Infermierët janë qenie speciale. Ata kanë një dëshirë të madhe të kujdesen për të tjerët, gjë që i bën luftëtarët më të mëdhenj të së keqes”, shprehet ajo.


Kush është Geraldina Mançka?


Tashmë një studente e infermierisë Geraldina në jetë është një njeri i thjeshtë që zoti i ka dhënë fatin të ketë një familje të jashtëzakonshme, që e ka mbështetur në çdo ëndërr të saj. E kur bie fjala tek profesioni dhe tek ajo që bën gjatë ditës të saj Geraldina ka shumë për të na treguar. E pyetur se pse zgjodhi infermierinë, ajo shprehet se ka zgjedhur pikërisht këtë profesion sepse i pëlqen të ndihmojë dhe të kujdeset për të tjerët. Duke theksuar se gjithmonë i ka bërë mirë fakti të ndikonte pozitivisht në jetën e dikujt. Por ajo që e bën të veçantë këtë profesion është fakti se mund të jesh në kontakt të vazhdueshëm me pacientin, kuron plagët e tij, i krijon suport psikologjik dhe e dëgjon si një mik i mirë për çdo shqetësim që ka, shton ndër të tjera Geraldina.


“Ka njerëz që mendojnë se infermieria është vetëm bërja e një gjilpëre, por në fakt infermieria është shumë më tepër. Ajo është një art më vete. E jo kushdo  është në gjendje të jetë një infermier i mirë. Më pyesin shpesh se pse zgjodha infermierinë e unë natyrshëm u them se infermieria më zgjodhi mua. Është një profesion fisnik dhe i bukur”, tregon Geraldina.


Sipas saj, nëse krahasohet puna si infermiere sot me të kaluarën, tani është shumë më mirë, për shkakun se, siç thotë ajo, tani infermierët kanë shumë të drejta. Por, Geraldina shton se infermierët në Shqipëri punojnë në kushte të vështira, paga të ulëta dhe pa asnjë mundësi për rritje në karrierë. Pra, infermierët meritojnë vlerësim në shumë aspekte. Megjithatë, ajo thotë se kënaqësia për të qenë afër pacientit dhe për t’i ndihmuar në rastet kur i duhesh, është shumë e madhe.


Fjala “infermiere” për të përkthehet në humanizëm. "Të bësh betimin, se do i shërbesh me sinqeritet dhe me një zemër të madhe dhe të sakrifikosh shumë, natën ta bësh ditë, dhe ditët me shi t’i kthesh në një agim ku dielli të shkëlqejë në ditët e vështira të njerëzve të cilët kanë nevojë për të. Një sakrificë e bukur plot krenari dhe kënaqësi teksa sheh pacientët e buzëqeshur mbas shërbimit të saj. Kam shumë për të folur për këtë profesion aq shumë sa duhen ditë dhe netë të gjata dimri", tregonte e ngazëllyer ajo, ndërkohë që sytë e saj  shndrisnin nga dëshira dhe vullneti i madh që kishte për profesionin e infermierisë. 

E nëse do ishit pranë saj në ato momente do e kuptonit se për të nuk ishte veç se një shkollë, por dukej se bota e saj po krijohej nën lëkurën e një infermieri, e një njeriu të thjeshtë që e përjeton dhimbjen në të njëjtën mënyrë si pacientët që ajo do përballet një ditë.


Por, ndërkaq dita e saj nuk mbyllet vetëm në rutinën e një studente infermierie, por është e angazhuar gjithashtu dhe si aktiviste e Lëvizjes për Universitetin, dhe e pyetur në lidhje më këtë të fundit, ajo shprehet se ideja se ne të gjithë së bashku mund të ndryshojmë çdo gjë për më mirë.


“Ne kemi mundësinë  për ndryshim, sepse jemi shumë. Të gjithë së bashku mund ta bëjmë këtë vend të denjë për çdo infermier”, shprehet ajo. 


Si, një vajzë shumë aktive dhe me një shpirt luftarak, Geraldina është nga ata persona që lexon shumë, thellohet shumë atë në atë që lexon. Rast ky për t’u marrë shembull nga çdo i ri shqiptar. E tani, mbas një periudhë pandemie tepër të vështirë që kaluam, Geraldina rrëfen se i trembet faktit nëse mësimi vitin e ardhshëm do të vazhdojë online, sepse infermieria është një degë që e ka të domosdoshme praktikën, gjë që këtë vit nuk u mundësua për shkak të pandemisë. 


“ Shpresoj të rikthemi në auditore, sepse është e pamundur që praktikën ta zhvillojmë online. Ne duhet t’i realizojmë këto praktika në spitale. E pranoj faktin se është e vështirë në këtë periudhë pandemie, por shpresoj të kemi një rikthim. Sepse kemi dhe provime në shtator”, tha ajo.


Në fund të intervistës, ajo ndau diçka për ne. 

I uroj studentëve si unë por edhe infermierëve të rinj të marrin sa më shumë kënaqësi nga ajo që bëjnë. Mos të lodhen kurrë së punuari me vullnet dhe etikë. Çdo jetë meriton të trajtohet me dinjitet dhe përkujdesje. Na është besuar jeta e shumë njerëzve, meritoni shumë, ndaj krijoni një impakt pozitiv në secilën jetë ku do ndaleni, qoftë dhe një çast të vetëm.



Intervistoi: Marina Kërçeli 


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

5,726 Lexime
4 vjet më parë