Bulkthi Xhimini dhe mëngjeset e vrullshme
Mëngjeset janë të vrullshme, ndoshta pak më të vrullshme për familjet me fëmijë (imagjino me të vegjël fare). Të gjithë nxitojnë të bëhen gati për të filluar ditën, pikërisht aty ku e la gjumi i natës...
Mëngjeset janë të vrullshme, ndoshta pak më të vrullshme për familjet me fëmijë (imagjino me të vegjël fare). Të gjithë nxitojnë të bëhen gati për të filluar ditën, pikërisht aty ku e la gjumi i natës.
Në gjithë këtë tollovi mëngjesore, ku dikush bën gati kafenë, një tjetër hekuros diçka që mendon se duhet ta veshë patjetër atë mëngjes, një tjetër bën gati çantën pikërisht disa sekonda para se të dalë nga shtëpia, një tjetër përgatit ushqimin për ta marrë me vete në punë apo në shkollë, një tjetër kërkon çelësat dhe kthen përmbys shtëpinë, një tjetër në moshë kopshti vendos të përdorë tualetin dhe ndërkohë të bëjë flluska me sapun dhe t’i vërë ato duart e sapunisura mbi flokë.
Shumë herë qesh me vete duke menduar sesi do të ngjanin këto “gonxhet ditore a.k.a mëngjeset” tona nëse do t’i shihnim të filmuara? Do të ishte hata t’i shihnim këto tornado mëngjesore, një të shtunë dhe jam e bindur që do të vinim buzën në gaz me disa nga reagimet apo qëndrimet tona përgjatë javës. Ndoshta me disa “vish këpucëëëëëëëëëëëëëët tani"! Shoqëruar me tejnxehje kordash zanore, nuk do të ishim dakord.
Sado që e “mirëkuptoj” veten për raste që mendoj se e kam ngritur pak zërin me të drejtë, se di pse por dëgjoj atë Bulkthin Xhimini (kujtoja se kishte vetëm Pinokun nën vëzhgim) që më pëshperit: “Filloje ditën mbarë"! Duro dhe pak se ja e lidhi këpucën! Shko përqafoje se ka ankth, ka një provim orën e dytë! Mbuloje me të puthura, Dashurinë tënde, ti je muza e tij! Lëre të kalojë atë që të zuri korsinë, jepi 5 sekonda durimi dhe mirëkuptimi! Merre ti në telefon dhe thuaji një fjalë të mirë, nuk i dihet çfarë ndodh nesër! Harroje atë goditje pas shpine, vetëm dëm të bën ta tërheqesh zvarrë nëpër kokë! Mos e krahaso me askënd, është unik! Pse je e paduruar, është vetëm 3 vjeç! Oh durim, e ka nga pasiguria! Mos ia thuaj atë fjalë, ajo e di dhe vetë!”
Përqasja jonë ndaj të tjerëve në çdo fillim dite (dhe jo vetëm) nuk është aq e parëndësishme sa mendojmë, sikundeër edhe mbështetja emocionale që u japim të shtrenjtëve tanë. Bulkthi Xhimini, është një vëzhgues i hollë dhe besomëni ... nuk të kursen fare.
(Nga Edi Gogu për Portalin Shkollor)
Festojmë 28-29 nëntorin!
Festat e Nëntorit, format që zgjodhën nxënësit për të treguar dashurinë ndaj atdheut të tyre
Ese: Mjedisi dhe njeriu