“Bretkosat” nga Aristofani, botim i ri nga Albas
Serisë së botime klasikë dhe modernë të Shtëpisë Botuese Albas i është shtuar edhe libri “Bretkosat” nga Aristofani, përkthyer nga Romeo Çollaku. “Bretkosat” është një nga komeditë më kryesore të njëmbëdhjetë veprave të Aristofanit, që kanë mbërritur deri në ditët e sotme.
“Bretkosat” është një nga komeditë më kryesore të njëmbëdhjetë veprave të Aristofanit, që kanë mbërritur deri në ditët e sotme. Dionisi, i maskuar si Herkuli, zbret në Had, me qëllim që të kthejë në tokë Euripidin, sepse teatri athinas vuan ndërkaq nga mungesa e krijuesve të përmasave të tilla. Pra, edhe Eskili e Sofokliu janë shpërngulur në Botën e Poshtme. Pas shumë peripecish e keqkuptimesh komike, Dionisi, zot i argëtimeve dhe i teatrit, mbërrin përfundimisht në mbretërinë e Plutonit, pikërisht në çastin kur atje përgatitet zhvillimi i një konkursi poezie midis Euripidit dhe Eskilit.
Shpotitës dhe sarkastik, mendimtar dhe ëndërrimtar, rebel dhe i papajtueshëm, Aristofani është, pa dyshim, përfaqësuesi kryesor i komedisë antike dhe, siç vazhdon të cilësohet me të drejtë, babai i këtij lloji letrar.
Është një komedian që, i pajisur me dhunti poetike, me kurajë të lavdërueshme dhe me aftësi kritike, satirizon mangësitë e mjedisit, pjesëtar i të cilit ishte. Pjekuria artistike e Aristofanit përkon me periudhën e lirisë politike dhe zhvillimit të harlisur të arteve në Athinë.
Në veprat e tij paraqiten personazhe të rëndësishme të epokës – Eskili, Sofokliu, Euripidi, Sokrati, Klisteni etj. – dhe ngjarje e rrethana të shënuara, si Lufta e Peloponezit, përplasja midis brezit të vjetër dhe atij të ri, midis mendësisë së vjetër dhe asaj të re. Por, ndonëse motivet dhe shtysat i merr prej këtij mjedisi të bashkëkohësisë së tij, prapë, ato probleme njerëzore janë diakronike, të rrokshme dhe të afërme për shumëkënd që ka kaluar nga bota gjatë këtyre mijëra vjetëve.
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
65 tituj të rinj, ALBAS ju pret në Panairin e Librit!
“Fshesarja e Republikës”, Anisa Markarian rrëfehet për romanin e saj të ri
"Më quajnë Nexhmije Pagarusha", intervistë me autoren Meliza Krasniqi