Botim i ri i Albas, “Martesa e palumtur e Stanishit”, autor Dashnor Kokonozi
“Martesa e palumtur e Stanishit” me autor Dashnor Kokonozi është botimi i ri i Albas të cilin do ta gjeni në stendën e Albas në Panairin e Librit “Tirana 2023”.
Autori e fillon romanin me një paragraf hyrës, që lexuesi të krijojë një ide të qartë për kohën kur zhvillohet ngjarja.
Dashuria e një princi të Zetës - emër me të cilin njihej Mali i Zi deri në fund të Mesjetës - me një aristokrate veneciane, zë mjaft vend në kronikat e kohës. Duke qenë se ai ishte prej gjaku të përzier sllav e arbëror, ajo lidhje ngjalli shpresa të mëdha për një aleancë të fuqishme midis dy brigjeve të Adriatikut.
Martesa e tyre ishte jetike edhe për vetë zotërimet veneciane në anën tjetër të detit, në ato që njiheshin me emrin Arbëria Venedikase e që kërcënoheshin nga ushtritë e Mehmetit të Dytë.
Kronikat historike u pasuruan në vitet ’30 të shekullit të shkuar, kur kërkuesit ranë në gjurmët e një rrëfimi gojor që flet për një sëmundje të rëndë që goditi princin trashëgimtar, tamam në kohën kur do të shkonin të merrnin nusen...
Por gjithçka rrëfehet dhe si bosht i romanit, përgjatë gjithë faqeve të tij, është dashuria mes dy të rinjve.
Në fillim ishte dashuria e kapitenit të Zetës për një grua që nuk e kishte parë kurrë. Dashuria e saj nisi si një kureshtje, ditën kur dëgjoi se një djalë fisnik, përtej detit, marrosej për të. Kishte qeshur me gjithë shpirt. Pastaj pyeti cili ishte. Ajo që mësoi, e shndërroi kureshtjen e saj në një dëshirë përvëluese dhe shpresëhumbur për të qenë me të. Në javët që pasuan, vajza ra pre e një çmendurie mizore e të ëmbël. Ai i kishte rrëmbyer deri edhe frymëmarrjen. E ndiente se nga dalldia për të, nuk merrte më frymë si më parë...
Është një roman i veçantë në llojin e tij. Një kronikë dashurie që të mban nën kureshti deri në faqen e fundit...
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
65 tituj të rinj, ALBAS ju pret në Panairin e Librit!
“Fshesarja e Republikës”, Anisa Markarian rrëfehet për romanin e saj të ri
"Më quajnë Nexhmije Pagarusha", intervistë me autoren Meliza Krasniqi