Politikat arsimore

Artur Baxhaku: Kush tha që me fizikë, kimi apo matematikë nuk gjen punë të mira?

“Po mbarove studimet për degë që nuk po preferohen nga studentët, si matematikë, kimi, fizikë apo biologji nuk bëhesh vetëm mësues, por gjithçka dhe bota ka nevojë për këto degë”, ka thënë Artur Baxhaku, përgjegjësi i departamentit të Matematikës në Fakultetin e Shkencave të Natyrës.

Po mbarove studimet për degë që nuk po preferohen nga studentët, si matematikë, kimi, fizikë apo biologji nuk bëhesh vetëm mësues, por gjithçka dhe bota ka nevojë për këto degë. Përgjegjësi i departamentit të Matematikës në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Artur Baxhaku i tha  Gazetasi.al se si degë, matematika është një nga degët e para të fakultetit të Shkencave të Natyrës.


“Matematika ka dy drejtime. Matematikë dhe inxhinieri matematike dhe informatike. Nga dega jonë furnizohen përgjithësisht mësuesia dhe ka nevojë për mësues, por ka edhe studentë që nuk vijnë vetëm për t’u bërë mësues. Ata që vijnë në departamentin tonë ndjekin matematikën jo vetëm për t’u bërë mësues, meqë në të ka edhe dy mastera që është një për mësuesi dhe një master që është për shkenca matematike që përgatit specialistë të matematikës. Këta specialistë arrijnë të mbushin ambientet shkencore, pedagogjike të nivelit të lartë të universiteteve por edhe punojnë nëpër institucione të ndryshme”, thotë Baxhaku. 


Sipas tij, shumë studentë që kanë dalë nga departamenti i matematikës punojnë jo vetëm si specialistë të matematikës në institucionet arsimore, apo në institucionet studimore për problemet e mësimdhënies apo edukimit në shkolla, por dhe si personel akademik apo shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë dhe në Institucionet Kërkimore-Shkencore.


Gjithashtu, një student i diplomuar në këtë program mund të punojë edhe si specialist në administratën publike, në ambientet informatike apo të teknologjisë së informacionit, në ndërmarrje të ndryshme ekonomike falë njohurive që ka në modelime dhe optimizime.


“Unë kam studentë që punojnë edhe në institucionet bankare, në agjencitë e sigurimeve apo edhe në Bashki. Të gjitha këto janë profesione që të sigurojnë jetën”, thotë Baxhaku. Sipas tij, studentët që dalin nga departamenti i matematikës janë të preferuar dhe shihen si elitë në shumë institucione.


Përse ka pak prurje matematika?


“Prurjet e vogla janë trend i përgjithshëm që ka prekur disa degë. Me hapjen e shoqërisë tonë ku shumë shkojnë e studiojnë jashtë dhe me rënien e numrit të maturantëve dhe kjo pritej.  Ka një rënie të përgjithshme dhe unë them se është shumë i rëndësishëm edukimi për matematikën”, shpjegon profesor Baxhaku.

Sipas tij, politikat arsimore nuk janë të studiuara. Është detyrë që të ndërtohen politika arsimore që të mos lejohen deformime aq të mëdha ku ka kuota shumë të larta për ndonjë program momentalisht më i kërkuar ndërkohë që të gjithë maturantët shkojnë në disa drejtime kur nevoja është dhe për drejtime të tjera. Politika e degëve prioritare në thelb të saj nuk është risi, e në realizimet e mëparshme nuk ka pasur sukses.


“Shtytja e studentëve për të studiuar matematikë me anë të një burse sa paga minimale është një eksperiment që është përdorur dhe më parë dhe ka rezultuar pa sukses. Para shumë vitesh, kur ka qenë hyrja në universitet me konkurs, studimi në degën e matematikës u bë me bursë dhe kur konkurronin studentët tek ekonomiku, për shembull, atje konkursi bëhej në lidhje me matematikën dhe ata që nuk fitonin, vinin regjistroheshin në degën e matematikës ku merrnin bursë 1 vit, mësonin matematikë dhe hynin përsëri në konkurs tek ekonomiku dhe si përfundim u rrit niveli i matematikës në ekonomik. Pra, si përfundim, ishte një politikë e pasuksesshme dhe që atëherë u kuptua se nuk rregullohen mungesat duke dhënë bursa”, shpjegon profesor Baxhaku.


Kleçka qëndron tek qasja e të rinjve


Baxhaku shpjegon se departamenti ka bërë takime e bisedime me maturantë dhe të rinj “por e vërteta është se ata nuk tërhiqen nga programe të tilla". "Maturantët janë shumë më konkretë, shohin raportin e trajtimit financiar të mësuesve të matematikës në lidhje me punën e përpjekjet që duhen jo vetëm për t'u diplomuar, por dhe kur dalin në profesion”, thotë Baxhaku.

Shumë prej tyre shkojnë drejt degëve që janë në ‘trend’ dhe degë që u sigurojnë një punë jashtë.

“Nuk është mungesë informacioni nga ana e maturantëve por është koha, një mentalitet i përgjithshëm i marrjes së jetës lehtë”.

Profesori thotë për Gazetasi.al se shumë shpejt do të ndihet nevoja për mësues dhe për specialistë të matematikës dhe do të jetë e pamundur të plotësohet kjo mungesë pikërisht sepse nuk po veprohet tani.


“Matematika është një fushë që nuk mund të zëvendësohet me punëtorë nga jashtë siç po flitet kohët e fundit. Do ndjehet mungesa dhe kjo do jetë për pasojë se nuk janë bërë politikat e duhura duke parë nga e ardhmja, pasi tregu rregullon momentin por jo të ardhmen”, thotë Baxhaku. Sipas tij, edhe jashtë ka pasur të tilla deformime me programet.


Një shembull është Anglia ku fjalimi i parë i këtij viti i kryeministrit Rishi Sunak është hapur me nevojën për të plotësuar edukimin në matematikë. Sunak tha se edukimi i detyrueshëm në matematikë duhet të shtohet, nga 16 në 18 vite, pasi ka rënë niveli i njohurive në matematikë i shoqërisë.


"Dhe në vendin tonë, nëse vazhdohet me këto politika arsimore, nuk është larg koha kur do kemi mungesa të specialistëve të matematikës", thotë profesor Baxhaku.


Kimia dhe Biologjia, degë kritike për Shqipërinë

Programi i Kimisë pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës përgatit kimistë të aftë për drejtimin e proceseve kimikë në industrinë kimike, si edhe për laboratorët e industrisë kimike, laboratorët mjekësore, laboratorët e kimisë së mjedisit, etj.


Gjithashtu, përgatiten specialistë të shkencës së kimisë që mund të punojnë si pedagogë dhe si kërkues në shkollat e larta si edhe ne institucionet e ndryshme kërkimore-shkencore, përveç se mësues në arsimin e mesëm.


Ilir Pilku, ekspert i sigurisë ushqimore, thotë për Gazetasi.al se është një fatkeqësi kombëtare që  auditorët e fakulteteve nuk do të kenë studentë të kimisë, fizikës, biologjisë etj,, degë që janë sa të nevojshme aq edhe kritike për njerëzimin.


"Fizika, kimia dhe biologjia janë tri shkenca natyrore. Quhen shkenca natyrore meqë studiojnë natyrën, botën që na rrethon me të gjitha pasuritë e saj dhe dukuritë e shumta që ndodhin në të dhe për të studiuar këto dukuri, duhen profesionet që po humbin në vend”, thotë Pilku.


A ka vende pune për këto profesione?


“Ka vende pune për kimistë, fizikantë apo biologë më shumë se për çdo degë tjetër. Ka vende adekuate në AKU, ISUV, Institutin e Higjienës, spitale, fakultete (laboratorë), Institutin e Farërave dhe Fidanëve, Bankën Gjenetike, QTTB-t, Institute të Kërkimit Shkencor, Drejtoritë e Doganave, Institutin e Fizikës Bërthamore, Drejtoritë e Tregjeve, Portet dhe Aeroportet, ushtri dhe kudo tjetër”, thotë Pilku.



Nga Sorgena Leka / Gazeta “Si”

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

4,490 Lexime
1 vit më parë