Artin Sermagjaj merr çmimin “Shkencëtari i Ri 2017”
“Përmes frymës së garave dhe aktiviteteve të ndryshme, ne po fusim një lloj gare motivuese, ku nxënësit tregojnë aftësitë dhe kreativitetin e vet, prandaj kemi obligim kombëtar dhe shtetëror që kësaj rinie t’i sigurojmë një edukim cilësor”
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami dhe drejtoresha e Drejtorisë Komunale të Arsimit znj. Arbërie Nagavci , ndanë çmimet dhe mirënjohjet 6 nxënësve fitues të garës “Shkencëtari i Ri 2017”, e cila u organizua nga MAShT dhe DKA e Prishtinës.
Çmimin e parë e fitoi Artin Sermagjaj, nxënës i shkollës “Xhevdet Doda” i cili mori vlerësimin maksimal në lëndën e kimisë. Çmimi i dytë shkoi për nxënësen Medina Kqiku, nga shkolla “Sami Frashëri”, kurse çmimi i tretë në lëndën e Biologjisë e ka marrë Kaltrina Lahu, nxënëse e shkollës “Xhevdet Doda”.
Ministri Bajrami, me këtë rast ka përgëzuar nxënësit fitues të kësaj gare të diturisë, njëherësh theksoi se ky dhe aktivitetet e ngjashme na bëjnë krenar dhe dëshmojnë se kemi të rinj shumë inteligjent, të cilët me sukseset e tyre na bëjnë të besojmë se një ditë mund të jenë liderë të së ardhmes.
“Përmes frymës së garave dhe aktiviteteve të ndryshme, ne po fusim një lloj gare motivuese, ku nxënësit tregojnë aftësitë dhe kreativitetin e vet, prandaj kemi obligim kombëtar dhe shtetëror që kësaj rinie t’i sigurojmë një edukim cilësor”, u shpreh ministri Bajrami.
Duke folur për sukseset e nxënësve dhe studentëve tanë në gara të ndryshme diturie edhe në nivel ndërkombëtarë, ministri Bajrami tha se Ministria e Arsimit do të vazhdojë që të motivojë zbulimin e talenteve të rinj, t’i mbështes ata në zhvillimin e tyre në karrierë.
“Këta nxënës të shkëlqyeshëm na japin shpresë për një të ardhme të mirë, duke ngritur një gjeneratë të re, të arsimuar dhe edukuar, të cilët do të jenë të barabartë me moshatarët e tyre në vende të ndryshme të botës”, - tha ministri Bajrami.
Jeta Kumnova përfaqësuese e nxënësve fitues ka falënderuar Ministrinë e Arsimit, shkollën dhe familjen, duke thënë se pa ta suksesi nuk do të ishte i mundur.
Në këtë garë diture, në lëndën e Kimisë dhe Biologjisë, kanë marrë pjesë 42 nxënës te dalluar të klasave 10, 11 dhe 12 të shkollave të Komunës së Prishtinës.
(Portali Shkollor)
Vlerësimi përfundimtar, përshkrimi i notës
Datat e provimeve të lirimit 2021
Etika e komunikimit, fjalori i nxënësve të shkollave si (nuk) duhet të jetë, nga Muhamet Selmani