Arrestohet Ermes Hoxhalli, 20-vjeçari arriti të mashtrojë qindra mësues e studentë dhe institucionet arsimore duke u premtuar Amerikën
Ermes Hoxhalli 20 vjeç u arrestua në Devoll, pasi ndaj tij ishte vendosur masa “Arrest në burg” për falsifikim. Ai mashtronte institucionet arsimore, me projektet “Let’s Talk Together about US”, duke u premtuar nxënësve e mësuesve udhëtime falas në SHBA. Hoxhalli kishte krijuar një identitet të rremë.
Strumbullari i skemës më të madhe të mashtrimit në sistemin arsimor në të gjithë vendin, Ermes Hoxhalli u arrestua këtë të hënë me akuzën e falsifikimit kompjuterik dhe të dokumenteve. Banues në Devoll dhe vetëm 20 vjeç, ai kishte arritur të bënte pjesë të supermashtrimit edhe zyrtarë të arsimit, vepër penale për të cilën u mor në hetim edhe drejtoresha e gjimnazit Qemal Stafa Klotilda Jaupi.
Sipas policisë, Ermes Hoxhalli i mashtronte institucionet arsimore, me projektet e ashtuquajtura “Let’s Talk Together about US 23” and “Let’s Talk Together about US 24”. Programet u premtonin nxënësve dhe mësuesve, udhëtime falas në Shtetet e Bashkuara. 20-vjeçari kishte arritur të krijonte një identitet të rremë, duke u angazhuar me zyrtarë të Ministrisë së Arsimit dhe shkollave në mbarë vendin. Viktima të mashtrimit, siç bën me dije policia u bënë qindra studentë, mësues dhe zyrtarë arsimorë.
Në këtë hetim kompleks që zgjati 6 muaj, pjesë ishte edhe njësia e Hetimeve Kriminale pranë Ambasadës së ShBA-së në Tiranë.
Ishte ambasada amerikane që pas arrestimit bën me dije se 20-vjeçari mashtronte duke paraqitur programe si të lidhura me ambasadën dhe prodhonte dokumente që mbanin vulat dhe emrat e zyrtarëve të ambasadës.
Në qershor të këtij viti, nisën hetimet për zyrtaren Valentina Lamaj dhe drejtoreshën e gjimnazit “Qemal Stafa”, Klotilda Jaupi, si pjesë e kësaj skeme mashtrimi.
Mashtronte qytetarët duke u premtuar programe arsimi dhe udhëtime falas në SHBA, Ambasada Amerikane reagon pas arrestimit të 20-vjeçarit
Ambasada Amerikane në Tiranë ka reaguar në lidhje me arrestimin e 20-vjeçarit Ermes Hoxhalli, i cili mashtronte institucionet arsimore, me projektet e ashtuquajtura “Let’s Talk Together about US 23” and “Let’s Talk Together about US 24”.
Në një postim në rrjetet sociale, Ambasada e SHBA ka falënderuar policinë dhe Prokurorinë e Tiranës për bashkëpunimin me Njësinë e Hetimit Kriminal Ndërkombëtar të Shërbimit Diplomatik të Sigurisë.
“Ambasada e SHBA falënderon Policinë e Shtetit dhe Prokurorinë e Tiranës dhe i përgëzon për bashkëpunimin me Njësinë e Hetimit Kriminal Ndërkombëtar të Shërbimit Diplomatik të Sigurisë. Njësia e Hetimeve Kriminale Ndërkombëtare dhe Departamenti i Hetimeve Kriminale të Policisë së Shtetit kanë një njësi të posaçme që kryen hetime të përbashkëta. Një hetim gjashtë-mujor nga kjo njësi speciale kulmoi me arrestimin e djeshëm të një individi që mashtronte duke paraqitur programe si të lidhura me ambasadën dhe prodhonte dokumente që mbanin vulat dhe emrat e zyrtarëve të ambasadës. Ambasada falënderon Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku, Drejtorin e Policisë Kriminale Neritan Nallbati, kreun e Prokurorisë së Tiranës Arenc Çela, prokuroren e çështjes Eloida Goxhi dhe oficerët e përkushtuar të Policisë së Shtetit për ndihmën e dhënë për këtë çështje.”- njofton ambasada e SHBA.
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
9 karakteristikat e një mësuesi të mirë
Nis Programi Kombëtar i Zhvillimit Profesional të Mësuesve
Nis Programi Kombëtar i Zhvillimit Profesional të Mësuesve