Aplikimi për në universitet, raundet, afatet dhe hapat si duhet plotësuar formulari A2
Maturantët dhe kandidatët e viteve të shkuara që duan të konkurojnë për në universitet, deri në datën 3 gusht, duhet të aplikojnë në ualbania për të plotësuar formularin A2, ku mund të listojnë 10 preferencat me të cilat do të garojnë për kuotat e raundit të parë të pranimeve për vitin akademik 2020-2021.
Ka nisur tashmë aplikimi për studimet e larta. Maturantët por edhe kandidatët e viteve të shkuara që duan të konkurojnë për në universitet, 29 korrik deri në datën 3 gusht, duhet të aplikojnë në portalin online për të plotësuar formularin A2, ku mund të listojnë 10 preferencat me të cilat do të garojnë për kuotat e raundit të parë të pranimeve për vitin e ri akademik 2020-2021.
Aplikimet do të lejohen vetëm për kandidatët që kanë shlyer në kohë pagesën prej 2,000 lekësh të aplikimit, si dhe që plotësojnë kushtin për mesataren minimale të konkurimit që është miratuar nga qeveria për çdo program studimi.
Sikundër ka ndodhur gjatë viteve të shkuara, edhe për 2020-n, konkurimi për universitetin do të zhvillohet me tre raunde, deri në plotësimin e kuotave të miratuara për çdo program studimi. Sipas kalendarit të shpallur nga Qendra e Shërbimeve të Arsimit, për raundin e parë aplikimi për preferencat do të zhvillohet në datat 29 korrik-3 gusht. Krahas datave të aplikimit, janë përcaktuar edhe afatet e regjistrimit të fituesve që do të zbatohen në secilin nga këto raunde pranimesh.
Ky është kalendari i datave të aplikimit në universitete, Matura Shtetërore 2020
HAPAT QË DUHET TË NDIQNI PËR PLOTËSIMIN E FORMULARIT A2
Aplikimi do kryhet nga portali UALBANIA, duke aksesuar në adresën: https://ualbania.al/. Pasi të hapet faqja përkatëse, duhet të klikoni mbi butonin “Aplikimi A2/A3”, ku do të shfaqen tre butona të tjerë që janë: “Maturantë, Mësues dhe Universitet”. Klikoni mbi butonin “Maturant”, për të hyrë në hapësirën e Maturantit. Pas këtij veprimi duhet që të plotësoni ID-në tuaj të maturës dhe numrin personal të Letërnjoftimit (ai që fillon dhe mbaron me shkronjë), për të kryer identifikimin, teksa do tju hapet edhe faqja me të dhënat tuaja personale.
Faqja përmban 3 seksione: Seksioni i informacioneve personale, Seksioni i faturës dhe Seksioni i aplikimit.
Në seksionin e informacioneve personale do shikoni të dhënat tuaja. Në seksionin e faturës, keni shkarkuar faturën për arkëtim, me të cilën keni kryer pagesën pranë Postës Shqiptare ose në bankë. Fatura përmban një kod 6-shifror unik (kodi i aplikimit), me të cilin keni konfirmuar pagesën pranë mbikëqyrësit të shkollës, dhe për të përfunduar plotësimin e preferencave.
Në seksionin e aplikimit mund të shikoni statusin e aplikimit tuaj.
Statusi i aplikimit mund të jetë në 2 gjendje:
1. Statusi kur nuk keni konfirmuar ende pagesën pranë mbikëqyrësit të shkollës;
2.Statusi që tregon se aplikimi është konfirmuar tregon se ju keni përfunduar me sukses plotësimin e preferencave. Pasi pagesa e faturës tuaj të jetë konfirmuar do ju shfaqet mesazhi “Fatura juaj është konfirmuar” në seksionin e faturës, tashmë ju mund të plotësoni preferencat tuaja, fillimisht duke zgjidhur Universitetin, dhe më pas, programin e studimit. Mund të plotësoni deri në 10 preferenca.
Pasi të keni plotësuar preferencat, klikoni mbi butonin ‘Konfirmo’ 2. Do ju shfaqet modali i konfirmimit, ku duhet të vendosni kodin e aplikimit që gjendet tek kopja juaj e faturës, me të cilën keni kryer konfirmimin. Vendosni kodin e aplikimit në fushën përkatëse, dhe klikoni butonin “Konfirmo”. Në këtë moment, aplikimi juaj është konfirmuar dhe do t’ju shfaqet butoni “Shkarko” për të vijuar me printimin dhe ruajtjen e aplikimit. Ky hap shënon dhe fundin e aplikimit për pranimet e Raundit të parë.
KY ËSHTË MANUALI SHPJEGUES I FORMULARIT TË APLIKIMIT A2
Mesatarja që duhet për konkurim
Për kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve 2-vjeçare me karakter profesional, në degët e arteve, apo edhe të sporteve nuk do të aplikohet kriteri i mesatares në konkurim. Fituesit në këto programe do të përzgjidhen kryesisht nga rezultatet e konkurseve praktike që do të zhvillohen përgjatë muajit gusht.
Në programet e studimeve të ciklit të parë dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, kandidatët, që kanë përfunduar me sukses arsimin e mesëm të lartë minimalisht me notë mesatare 6.5.
Në degët e gjuhëve të huaja do të mund të konkurojnë vetëm maturantët dhe kandidatët e tjerë që disponojnë një mesatare të shkollës së mesme duke nisur nga nota 7. Po ashtu, edhe për degët e mësuesisë në garë mund të përfshihen të gjithë maturantët që kanë mesatare të gjimnazit jo më të ulët se sa nota 7.5.
Edhe Universiteti i Mjekësisë ka vendosur në lidhje me kriterin e mesatares që duhet për të konkuruar në degët e këtij profili. Konkretisht, për të garuar në degët për programet e teknikës dentare dhe higjienist dentar duhet një mesatare mbi notën 7; për degët logopedi, teknik laboratori, teknik imazherie, mami, fizioterapi, infermieri e përgjithshme duhet notë mbi 7.5, për degën e shëndetit publik duhet mesatare e gjimnazit mbi notën 8, si dhe për degët siç janë: mjekësia, farmacia, dhe stomatologjia në garë mund të përfshihen vetëm kandidatët që kanë mesatare të shkollës së mesme nga nota 8.5 dhe më lart.
Nota mesatare për pranimin në institucionet e arsimit të lartë përllogaritet si mesatare e thjeshtë e treguesve, si vijon: “mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm të lartë, mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të Maturës Shtetërore”.
Kaltra Tafani
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Të drejtat dhe detyrat e nxënësve, mësuesve e prindërve
Hartimi i projektit kurrikular
Letër e hapur për prindërit, mësuesit e institucionet: Për të mos neglizhuar asgjë në edukim!